Aksident tragjik në Greqi, humb jetën një 23-vjeçar shqiptar
Një i ri shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti rrugor të ndodhur në Greqi. Sipas raportimeve të mediave greke, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, në zonën e Atikës.
Viktima, 23 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga e më pas duke u përplasur me barrierat mbrojtëse. Si pasojë e përplasjes së fortë, makina është përmbysur.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë të paktën pesë efektivë të zjarrfikëses, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e të riut nga automjeti i shkatërruar. Ai është transportuar me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të rënda nuk ka mundur t’u mbijetojë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit, ndërsa pritet të hidhet më shumë dritë mbi rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
KOHA JONË SONDAZH

