Aksidenti fatal i vajzës nga Tropoja, festa kthehet në tragjedi
Aksidenti i rëndë i një grupi turistësh shqiptarë, që ktheheshin nga Dubrovniku i Kroacisë, rrezikoi të merrte shumë jetë njerëzish. Por nga ky aksident mbeti e vdekur 30-vjeçarja nga Tropoja, Orina Kuça. Në profilin e saj në “Facebook” shihen fotot e fundit që ajo ka postuar nga udhëtimi i saj i fundit dhe janë bërë në Dubrovik më 25 dhjetor. Miq të saj kanë shënuar plot dhimbje edhe ndonjë koment poshtë atyre fotove, ku shprehin mbi të gjitha, faktin se sa e pabesueshme ishte kjo fatkeqësi. Ndërkohë që edhe tre persona nga të 30 të plagosurit kanë pësuar dëmtime serioze. – “Tre nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët jashtë rrezikut për jetën”, konfirmoi Mimoza Veroshi, sekretare e ambasadës shqiptare në Maline Zi. Sakaq, pasagjerë të tjerë që panë plagë të lehta rrëfejnë makthin që kanë përjetuar dy ditë më parë. Sipas tyre, rruga jashtë parametrave, reshjet e shiut dhe manovrimi i autobusit, për t'i shpetuar perplasjes me një automjet që vinte përballë, shkaktuan rënien e autbusit në greminë. – “Rruga nuk kishte drita. Një mjet i doli përpara autobusit tonë. Shoferi për të mënjanuar përplasjen manovroi lehtë nga e djathta, ndërkohë që ne nuk po ecnim me shpejtësi të madhe. Vajza vdiq në vend, sepse pesha e karrigeve e kishte zënë ndërmjet”, – thotë një nga pasagjerët, Aleks Manoli. Drejtori i Spitalit të Tivarit, njëkohësisht shefi i kirurgjisë së këtij spitali, Tomanoviç Dragosllav thotë se i tërë personeli i spitalit të Tivarit ka qenë gati për t'i dhënë ndihmë të plagosurve. – “Në spital janë sjellë 30 të plagosurit, tre prej tyre janë me dëmtime të rënda. Dy ndërhyrje i janë bërë njërës për prej të plagosurve. Zonja është dërguar me urgjencë në Podgoricë. Dy të tjerë janë në terapi intensive. Sa u përket pjesës tjetër të të plagosurve kanë fraktura dhe trauma të ndryshme që nuk përbëjnë rrezik për jetën. Të lënduarit e tjerë kanë fraktura dhe trauma dhe nuk ka rrezik për jetën,” – thotë drejtori i spitalit. Në spitalin e Tivarit pak pas mesnate ka mbërritur edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ministri Beqaj pa nga afër gjendjen e të plagosurve dhe përgëzoi stafin mjekësor për punën e bërë. – “Për fat të keq ka ndodhur një aksident i rëndë edhe me pasojë tragjike. Vihet re një përgjigje shumë e mirë dhe shumë e shpejtë e autoriteve kompetente të Malit të Zi”, – tha Beqja. Sakaq, policia malazeze ka nisur hetimet për ngjarjen ku është shoqëruar në polic drejtuesi i autobusit shtetasi, Shkëlqim Çali.