Aksion anti-kontrabandë në 3 pika doganore/Spiropali: Vlera e mallrave të bllokuara 100 milionë lekë
Drejtoria e Doganave nëpërmjet një njoftimi bën të ditur se mallrat të cilat tentuan të kalonin doganën duke iu shmangur detyrimeve doganore ishin të ndryshme.
Ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Doganave në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se vlera e tre rasteve të kontrabandës arrinte në 100 milionë lekë.
“Super aksion i njëkohshëm i strukturave të specializuara operativo-hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Kakavijë, Qafë-Botë dhe Shkodër ku u bë e mundur parandalimi dhe goditjave e tre rasteve kontrabandë me vlerë malli 100 milionë. Aksioni vazhdon në të gjithë Shqipërinë për kthimin e ligjshmërisë dhe luftën ndaj informalitetit.”
Operacioni i parë u zhvillua në pikën doganore të Kakavijës u bllokua një sasi e konsiderueshme çizme grash, këpucë dhe konfeksione të cilat po silleshin nga Greqia me një autobus me targa AA 578 CK, me drejtues mjeti A. Taraj dhe M. Simoni.
Operacioni i dytë u zhvillua në pikën doganore të Qafë Botit ku Shtetasi A. Qosja me automjetin e tij tip kamion, me targa AA 663 FR, tentonte të kontrabandonte 1000 dyzina luge ose 12000 copë, mbulesa divani 74 copë, perde 1069 copë ose 3207 metër linear, mbulesa tavoline 604 copë, shalle 410 copë, konfeksione 281 copë. Vlera e shmangies doganore ishte rreth 35 mijë Euro.
Ndërsa operacioni i tretë u finalizua në Doganën Shkodër, ku Vasil Tahiri me automjetin me targa SH 9022 C, po përpiqej të fshihte pa deklaruar një sasi të konsiderueshme mallrash industriale dhe konfeksione. Vlera e shmangies së detyrimit doganor shkon në disa mijëra Euro.