Aksioni anti-informalitet, Rama: Nuk synojmë ndëshkimin e biznesit
Klima e biznesit në vend nën efektet e operacionit anti-informalitet të ndërmarrë nga qeveria ka qenë në fokus të një takimi të zhvilluar sot në ambjentet e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Në fjalën e tij para studentëve dhe të pranishmëve, kryeministri Rama ka nënvizuar se operacioni në fjalë nuk synon ndëshkimin e bizneseve, por futjen e tyre në rrugën e ligjshmërisë.
“Operacioni ynë ka rrezikun të jetë i pabarabartë e i padrejtë. Ndaj këtë rrezik duam ta luftojmë bashkë me ju. Qëllimi i operacionit tonë nuk është penalizimi, por respektimi i ligjit. Operacioni duhet të stimulojë çdo biznes të vogël që të ndjekë rrugën ligjore të veprimit”, ka deklaruar Rama.
Pasi ka theksuar se ekonomia dhe biznesi në vend janë sfilitur nga kanceri i informalitetit, shefi i qeverisë ka premtuar edhe lehtësi për bizneset e vogla.
“Për tregtarët ambulantë nuk do të ketë më asnjë taksë”, ka thënë ai, për të shtuar se pjesë e operacionit nuk është vetëm kontrolli i subjekteve tregtare.
“Pjesë e operacionit tonë është edhe trajnimi i administratës tatimore, që është gjatë gjithë javës në një trajnim intensive”, ka shtuar Rama.