Alarmi që ngriti Dr. Halim Kosovën

 

Nga Ndriçim Kulla

Nëpër filma kemi parë të gjithë sesi në anë të krevatit të pacientit në dhomën e spitalit ka disa aparate moderne që tregojnë gjendjen shëndetësore të pacientit me anë të disa vijave me ulje-ngritje në ekran, dhe që kur befas ka një përkeqësim serioz, aparati lëshon një tingull të zgjatur alarmi. Ky është një sinjal për mjekun që vrapon t’i marrë gjërat nën kontroll. Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Tiranë, dr. Halim Kosova, ka qenë shumë herë në situatë të tillë në spital. Shumë herë ai ka bërë mrekullira në situata të tilla. Në të shkuarën, sa herë që përmendej emri i dr. Halimit si kandidat i mundshëm i PD-së për bashkinë e Tiranës, unë në imagjinatën time e përfytyroja dr. Halimin që e shikonte kryeqytetin si një pacient, por që aparati te koka e të cilit akoma nuk kishte dhënë alarmin që do ta bënte dr. Halimin të vraponte për t’u marrë me të.

Dr. Halimi vepron sipas instinktit profesional. Këtë herë ai ndjeu një alarm të një lloji të veçantë, një alarm që vinte nga politika. Duhej një alarm shumë serioz që ta bënte dr. Halimin që të pranonte propozimin e strukturave të PD-së për të kandiduar për kryetar bashkie në Tiranë. Disa herë më parë ai e kishte refuzuar këtë propozim. Pse dr. Halimi e pranoi propozimin pikërisht këtë herë, kur karriera e tij profesionale kishte arritur në kulmin e saj dhe ai më shumë se kurrë më parë nuk e shikonte zyrën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit me syrin e një njeriu që ka nevoja materiale? Çfarë alarmi e ngriti këtë herë dr. Halimin, që e bëri të hyjë në garën për kryetar bashkie të Tiranës?

Sigurisht, besojmë se dr. Halimi vendosi të kandidojë se ai beson që ka një vizion të tij për zhvillimin e Tiranës, vizion që po e shpalos me shumë thjeshtësi, vizion të cilit kërkon t’i japë jetë me pasionin e mjekut që është mësuar t’u japë jetë qenieve të reja njerëzore. Ashtu siç në mënyrën e tij beson të njëjtën gjë edhe kundërshtari i tij. Por këtë vizion, dr. Halimi, si qytetar i përgjegjshëm, si intelektual, si një njeri me interesa të gjera publike, interesa këto që ushqehen nga eksperiencat e punës dhe profesionit, e ka pasur pak a shumë edhe më parë. E megjithatë ai nuk vendoste që të kandidonte. Duhej një alarm i llojit spitalor që ta bënte dr. Halimin të pranonte kandidimin. Çdo njeri i jep mesazhet me gjuhën e profesionit të tij. Kur dr. Halimi tha për kandidatin kundërshtar, atë të qeverisë, se e kishte pritur në duart e tij si fëmijë që lind, kandidati kundërshtar e mori këtë si fyerje dhe kritikoi dr. Halimin se nuk i ka hije që si burrë dhe mjek tregon barcaleta për gratë që lindin fëmijë. Në fakt, dr. Halimi nuk donte të fyente njeri. Ajo që donte të bënte dr. Halimi ishte që t’u thoshte bashkëqytetarëve me gjuhën e profesionit të tij, se kishte rrezik që kryeqyteti të binte në dorën e një njeriu të cilit i mungonte madje qoftë edhe një eksperiencë e vogël pune, përveç asaj ku kishte firmosur në bordero si deputet dhe si ministër, pra përveç punës prej politikani. Ky njeri të cilin unë e kam pritur në duar të lindë dikur, deshi të na thotë dr. Halimi me gjuhën e tij, nuk ka bërë asgjë që atëherë, përveç demagogjisë. Për këtë arsye, unë, mjeku që e prita në duar atë kur erdhi në jetë, dhe që do të kisha bërë gjithçka për ta shpëtuar nëse jeta e tij do të rrezikohej gjatë lindjes, ndjej përgjegjësi për këtë “dhuratë” që iu kam bërë bashkëqytetarëve të mi dhe dua të bëj gjithçka që kam në dorë në mënyrë që kryeqyteti të mos rrezikohet më.

 Është për t’u habitur se sa shumë njerëz të mëdhenj, që kanë patur detyra të rëndësishme dhe kanë bërë gjëra të mëdha në fusha të ndryshme, e kanë parë si shumë të vështirë dhe me përgjegjësi detyrën e kryetarit të bashkisë. Sa për të përmendur vetëm disa prej tyre, ish-presidenti amerikan Lindon Johnson, gjatë kohës kur presidenca e tij ka pasur kohë të vështira, ka thënë: “Kur barra e presidencës më duket veçanërisht e rëndë, unë gjithmonë i kujtoj vetvetes se ka edhe më keq. Unë mund të isha një kryetar bashkie”.

Aktori i famshëm amerikan, Klint Istvud, i cili u bë kryetar bashkie nga fundi i karrierës së tij artistike, ka thënë: “Të fitoni zgjedhjet është një gjë e llojit lajm i mirë-lajm i keq. Okej, tani ju jeni kryetari i bashkisë. Lajmi i keq është se tani ju jeni kryetari i bashkisë!”

Kjo duhet të ketë ndodhur se nga të gjithë politikanët, kryetari i bashkisë është ai që ka kontaktin më të afërt dhe më te drejtpërdrejtë me zgjedhësit, me popullin. E në këtë gjë kryetari i bashkisë i ngjan shumë mjekut. Kjo është arsyeja për të cilën ndoshta mjekët që merren me politikë janë veçanërisht të përshtatshëm për postin e kryetarit të bashkisë, aq më shumë për gjendjen e sotme të kryeqytetit tonë. Nuk kanë qenë të paktë mjekët të cilët kanë qenë dhe janë kryetarë bashkie të suksesshëm. Por nuk ka ndodhur asnjëherë që të ketë demagogë, si kundërshtari i dr. Halimit, të cilët nuk tregojnë dot saktë publikisht as llojin e diplomës së tyre universitare kur janë akuzuar për vërtetësinë e saj që e kanë detyrim që ta bëjnë për hir të korrektësisë publike. Apo kur i dëgjon tek flasin për një punë të mëdha si ligji i ri i dosjeve, që ai ka hartuar si ministër, të cilin e paraqet si sukses të tij të madh, kur në realitet ai ligj nuk ka destinacion tjetër veçse të mbrojë dhe maskojë në mënyrë tepër dredharake ish spiunët keqbërës të komunizmit, duke i legjitimuar ata të vazhdojnë punën në administratën e lartë shtetërore, duke përfshirë ministra, deputet ose zëvendës-ministra. Shembuj të tillë që punët e këqija ti paraqesin si të mira nuk mund të gjesh kaq lehtë në botën e sotme demokratike.

Duke e njohur se cili është kundërshtari i tij, dr. Halimi nuk po e merr seriozisht ftesën e tij për debat, megjithëse për mua mund të përfitonte shumë nga ky debat. Se dr. Halimi mund t’i kërkonte kundërshtarit të tij që në fillim të debatit të paraqesë secili dhe në mënyrë të krahasuar listën e punëve që ka bërë për të mirën publike ose për të mirën njerëzorePor, dr. Halimi, si profesionist i quan pa rëndësi truke të tilla politike, të cilat në fushata zgjedhore përdoren shumë madje edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore. Dr. Halimi beson shumë te kredoja e tij në këtë fushatë se ka ardhur koha kur duhet punë dhe jo fjalë. Ai beson se zgjedhësit e Tiranës janë bindur qe ka ardhur koha që kryeqyteti ka nevojë për një kryetar të tillë bashkie.

Dr. Halimi, duke e njohur se cili është kundërshtari i tij i drejtpërdrejtë, nuk e merr seriozisht ftesën e tij për të shkëmbyer fiq në një studio televizive, por i drejtohet publikisht kryeministrit, duke e ftuar për një kafe pune, për të bërë një bisedë serioze për bashkinë e Tiranës, si kandidati serioz për kryebashkiak i kryeqytetit me kryeministrin e vendit të tij që të mos guxojë ta bllokojë, ashtu siç bëri në këtë mandat që shkoi kryeqytetin. Dr. Halimi me kulturën e tij institucionale, paralajmëron kështu bashkëpunim me qeverinë, nëse do të zgjidhet kryebashkiak, bashkëpunim për të mirën e kryeqytetit, jo luftë politike shterpë. Por fatkeqësisht kryeministri e ka shpallur hapur luftën politike të qeverisë ndaj bashkive që do të fitojë opozita, dhe nuk ka veshë për të dëgjuar zëra të tillë të arsyeshëm duke krijuar një precedent në rrafshin botëror për mungesën e etikës dhe edukatës, kur arrin dhe i quan kandidatët e opozitës si budallenj apo që si duhen as dreqit. Dhe ky është një tjetër sinjal alarmi për dr. Halimin si mjek. Ai është një kandidat për kryebashkiak që ka të bëjë me një qeveri të sëmurë.

Dr. Halimi ecën nëpër rrugët e kryeqytetit me hapin normal me të cilin ka ecur me dekada në korridoret e spitalit. Hap që nuk e ka ndryshuar ritmin me kalimin e moshës, moshë kjo plot urtësi dhe mençuri, që unë do ta quaj epërsi kundrejt dobësisë që e kanë cilësuar kundërshtarët e tij politik. Hap, që në çdo çast mund të shpejtohet, kur veshi i mjekut kap sinjalin e alarmit. Dhe duket se në çdo çast dr. Halimi është gati të shpejtojë hapin në rrugët e Tiranës, për zgjidhjen e problemeve, ashtu siç është mësuar, se ai dëgjon gjithandej sinjale alarmi. Sinjale alarmi që përfaqësojnë shqetësimin qytetar dhe që do të duhet ta çojnë dr. Halimin në zyrën e kryebashkiakut për të realizuar sfidën e re që tashmë ka nisur.

***Ky opinion është shprehje e qëndrimit të vazhdueshëm intelektual të autorit dhe nuk shpreh domosdoshmërisht opinionin e institucionit të Presidencës ku ai punon

Mapo

SHKARKO APP