Albana Koçiu nga Berati: Dyfishim mbështetjeje për fëmijët me aftësi të kufizuara
Në vijimësi të ftesës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, erdhëm në Berat, këtu ku sot organizohet në fakt një panair shumë interesant, shumë i bukur, i qendrave zhvillimore dhe i qendrave që ofrojnë kujdes ditor, por edhe rezidencial për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me aftësi të veçanta do të doja t’i quaja unë.
Në fakt ky është një aktivitet që është simbolik për nga natyra, por që tregon shumë sa i përket iniciativave që Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë, duke nisur nga Plani i Veprimit për personat me aftësi të kufizuara 2026-2030. Një plan veprimi në fakt që integron shërbimet kryesore në një sistem gjithëpërfshirës që është pikërisht sistemi shëndetësor, sistemi arsimor, por edhe sistemi i kujdesit social dhe shërbimeve sociale.
Duke bërë të mundur që fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara të marrin shërbime shumëdimensionale për t’u integruar dhe për të lehtësuar bashkëjetesën e tyre në komunitet. Mendoj shumë që aktivitetet e përfshira në këtë plan veprimi, që zbatohen me korrektësi nga Shërbimi Social Shtetëror dhe gjithë stafi i përkushtuar, do të ndihmojnë akoma më shumë në përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara.
Dhe për të përforcuar mesazhin që Ministrja sapo lançoi, në fakt qeveria shqiptare duke e njohur si detyrim moral, por jo vetëm, dhe për të lehtësuar akoma më shumë të përditshmen e personave me aftësi të kufizuara, ka ndërmarrë iniciativën, së pari, për të dyfishuar pagesën mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 18 vjeç. Duke dyfishuar pagesën financiare mujore, do të krijojmë më shumë mundësi, më shumë kushte për familjet, por edhe për këta fëmijë, për të marrë shërbime më të specializuara, me kujdes më të posaçëm.
Dhe nga ana tjetër, një kërkesë e kahershme për të njohur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për plot 15 mijë kujdestarë të cilët ofrojnë kujdes – nuk janë vetëm prindër, janë edhe persona që kanë në kujdes fëmijë apo persona me aftësi të kufizuara, të cilët ia dedikojnë jetën e tyre shërbimit dhe kujdesjes për këta persona. Për të cilët, pa diskutim, kemi një detyrim moral për të njohur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për t’u garantuar një pension dinjitoz, por patjetër edhe për t’i ofruar gjithë ndihmën dhe mbështetjen që skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore duhet të ofrojë për të gjithë qytetarët e vendit.
Kështu që shumë faleminderit Ministre, shumë suksese në të gjitha iniciativat shumë të mira që po bëni në fakt. Dhe uroj shumë që nga Berati sot të japim një lajm të mirë në fakt për të gjitha qytetet, pasi shërbimet sociale që ju ofroni nëpërmjet Fondit Social, që është gjithashtu një mekanizëm shumë i rëndësishëm për të mbështetur shërbimet sociale, ne jemi duke u zgjeruar në të gjitha bashkitë e vendit dhe kemi bërë të mundur në fakt që nëpërmjet Fondit Social sot të ofrojmë shërbime sociale të mbuluara në të 61 bashkitë e vendit.

KOHA JONË SONDAZH

