Albana Vokshi: Më shumë gra në politikë, më shumë politika të përgjegjshme
Albana Vokshi është një nga gratë deputete me më shumë influencë në Partinë Demokratike prej disa vitesh. Tashmë në rolin e opozitares ajo ngre zërin kundër reformave të qeverisjes së majtë, të cilat ajo nuk i quan as reforma. Ndërkaq, duke folur në një intervistë për “Koha Jonë”, në prag të zgjedhjeve lokale, kur në kryeqytet diskutohet nëse do të kandidojë apo jo Basha, Albana Vokshi bën thirrje që të kandidojnë sa më shumë gra në një intervistë për “Koha Jonë”…
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Në prag të zgjedhjeve lokale, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani ka thënë se kryetari i PD-së nuk duhet të kandidojë për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ishte një mendim i tij personal, apo është vendosur diçka konkrete?
Në parim, unë asnjëherë nuk komentoj, apo aq më pak të gjykoj deklaratat e kolegëve të mi, si në parti ashtu edhe në Parlament. Mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe me interes veçanërisht të lartë publik, e cila pritet të trajtohet që nga strukturat bazë si seksionet, deri tek forumet më të larta të partisë si Këshilli Kombëtar, Kryesia etj. Besoj se ky do të jetë një proces transparent dhe demokratik, ku çdo zë i strukturave të pasqyrohet në vendimmarrje dhe kjo jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por për të gjitha bashkitë e tjera në vend. Në këtë aspekt, nuk ka një përgjigje të prerë në këtë moment që po flasim. Mos harrojmë se bëhet fjalë për kandidatët/kandidatet e opozitës që shqiptarët u kanë drejtuar sytë për shpresë e zgjidhje të shumë problemeve. Personalisht shpresoj që forca jonë politike të përfaqësohet me më shumë zonja në nivel këshillash bashkiakë dhe më shumë zonja kandidate që do të garojnë për bashkitë. Unë jam për një promovim të kandidateve gra, pasi mendoj që është momenti të provohen në këtë proces sifdues. Sa më shumë gra në politikë dhe në vendimmarrje lokale, aq më shumë do kemi politika sociale, vendime të përgjegjshme dhe të mbështetura fort në ligje pro një Shqipërie evropiane. Praktikat politike të shteteve të zhvilluara nxjerrin në pah se ka shumë më pak denoncime për shkelje ligjore apo korrupsion ndaj grave në politikë, sesa ndaj burrave.
Përse Partia Demokratike e konteston reformën territoriale dhe a mendoni se kjo do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve?
Reforma territoriale nuk është fare reformë, për sa kohë që në këtë proces nuk është dëgjuar zëri i ekspertëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe mbi të gjitha, ai i vetë qytetarëve. Ai ka qene një proces i një anshëm i interesit politik të shumicës. Të mos harrojmë se nga korifejtë e antikitetit vjen sinteza për çka quhet demokraci: “nuk është vullneti i shumicës, por respektimi i pakicës”. Kontestimi vjen nga arsyetimi i sipërpërmendur edhe për faktin se ndarja është bërë mbi bazën e parcelizimit me prapamendim partiak i elektoratit. Thënë më thjesht, janë shkrirë bashki dhe komuna që kanë mbështetur historikisht PD-në dhe janë grupuar në bashki të mëdha, duke u munduar që të asimilojnë votat për PD-në. Pastaj, nëse flitet për reformë territoriale, kjo është një çështje që lidhet gjerësisht edhe me kontrollin dhe kompetencat e pushtetit lokal, mundësimi i shërbimeve për të gjithë qytetarët, të cilat mendoj se nuk janë pasqyruar në këtë paketë.
Shpërthimet e fundit të tritolit të ndodhura në vend, të cilat prekën së fundmi edhe familjen e ministrit të brendshëm, si do t’i komentonit?
Në radhë të parë, dua të shpreh keqardhjen time për atë që i ndodhi familjes së ministrit të Brendshëm, ashtu siç ndjej keqardhje për atë çka mund t’i ketë ndodhur apo mund t’i ndodhë në rrethana të ngjashme çdo familjeje shqiptare. Rendi dhe siguria janë sektorë të tronditur rëndë, pasi në radhët e policisë janë punësuar njerëz të inkriminuar dhe militantë partiakë, të cilët PD-ja i ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme. Janë përjashtuar nga puna profesionistë të trajnuar nga struktura ekspertize të njohura ndërkombëtare. Me këtë rast, nuk do të desha aspak t’i referohesha asaj që vetë kryeministri i këtij vendi, para rreth një viti e konsideronte tritolin dhe shpërthimet si “larje hesapesh midis bandave rivale”. Organet përgjegjëse duhet të veprojnë sa më parë për të gjetur autorët e për t’i vënë ata para drejtësisë. Një qeverisje duhet të largohet nga flirtimi me krimin dhe çdo formë të tij e të pozicionohet qartë në luftë kundër tij, për të mos pasur më ngjarje të rënda për rendin. Gjej këtu rastin të shpreh mendimin tim që ministri Brendshëm e ka deformuar misionin e Policisë së Shtetit, për sa kohë që policët dhe drejtuesit i shohim në aksionet e INUK, CEZ, apo aksione me interesa politike të qeverisë. Pra, policia po i largohet çdo ditë e më shumë rolit të saj parësor të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, familjarëve. Beteja me krimin nuk mund të quhet e fituar vetëm me çështjen e Lazaratit, zbulimin nga ekspertët gjermanë të laboratorit të Xibrakës, apo kapja e dy-tri bandave me aksione sporadike. Beteja me krimin është e vështirë, e gjatë, e përditshme dhe duhet të jetë pa kompromis.
Si do ta cilësonit qeverisjen e koalicionit të majtë në këto dy vite?
Vlerësimin dhe gjykimin më të drejtë e të paanshëm po e bëjnë çdo ditë shqiptarët. Për këtë mjafton të lexosh blogjet, mediat sociale, televizionet, apo të dëgjosh vetë njerëzit në terren. Në këto dy vite nuk gjej dot as edhe një arritje, aq më pak nga ato që konsiderohen arritje historike, në qeverisjen e Rilindjes. Do të thosha se kjo qeveri do hyjë në historinë e Shqipërisë si qeveria më antisociale dhe qeveria e mashtrimit publik, qysh në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit. Një qeveri drejtohet me politika dhe plan-veprime, me lidership vizionar dhe reforma dhe jo me propagandë, diversion e slogane si prapambetje e sistemit autoritar ku Enver Hoxha dilte në foto gju më gju me popullin apo “partia mbi të gjitha”.
Çfarë mendoni se duhej të ishte bërë dhe nuk duhej të ishte bërë gjatë kësaj kohe qeverisje të së majtës?
Këto janë pyetje që normalisht marrin një kohë shumë të gjatë për t’u shtjelluar. Kjo qeveri nuk realizoi as edhe një premtim mbi bazën e të cilëve mori votat ose më saktë i bleu dhe i shiti ato. Ku është shëndetësia falas, legalizimet falas, liberalizimi i taksave, arsim dixhital, treg pune për të rinjtë? Ku është shteti i të drejtës, lufta kundër korrupsionit, drejtësia pa dallim, kompensimi i pronarëve, investimet strategjike, tregu i lirë? Subvecionet në bujqësi, mbështetje për industrinë, faturat e energjisë, lehtësitë fiskale për biznesin? Asnjë nga këto reforma nuk është realizuar. Përkundrazi rruspa, tritol pronave me mund të shqiptarëve brenda vendit dhe në emigracion, shkurtim dramatik i listave të ndihmës sociale, heqjes arbitrare të KEMP-it, futje në burg të hallexhinjve që s’paguajnë dot faturat, braktisja e madhe që qeveria i bën shqiptarëve në nevojë dhe xhepat që rrënohen nga çmimet dhe faturat e papërballueshme të shërbimeve bazë. Unë mendoj se Edi Rama e ka humbur busullën e orientimit në politikë dhe se kurrë ai nuk ka patur guxim dhe maturi për të qeverisur Shqipërinë.
Si një grua në politikë, a mendoni se gjinia femërore përfaqësohet aq sa duhet në jetën parlamentare dhe më gjerë?
Çështja e pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe vendimmarrje nuk është vetëm një çështje e të drejtave të grave, por është dhe një sfidë për zhvillimin social-kulturor të shoqërisë sonë. Për fat të keq, viti 2015 i ka gjetur gratë shqiptare në një udhëkryq dilemash social-ekonomike, të cilat kushtëzojnë edhe statusin e brishtë të tyre në shoqëri. Papunësia, varfëria, të drejtat njerëzore të cënuara dhe përqindje e ulët në integrimin dhe vendimmarrjen në zhvillimet social-ekonomike dhe politike të vendit janë elementët më spikatës të realitetit që ata jetojnë. Viti i kaluar shënoi një fazë të errët për historinë e të drejtave të grave në Shqipëri, ku fenomenet më negative ishin ai i ngacmimeve dhe shantazhimeve seksuale, si edhe heqja e bukës së gojës nga listat e ndihmës ekonomike. Rasti i shfrytëzimit të postit për përfitime seksuale në Sarandë, komunës në Korçë, etj treguan dhe një herë pozitën tejet të brishtë që ka sot gruaja shqiptare. I ashtuquajtur pastrim nga korrupsioni dhe abuzimet i listave ekonomike rezultoi në fakt një pastrim gjinor i listave, pasi më së shumti janë prekur gratë dhe kryefamiljaret. Një panoramë e errët ishte dhe spastrimi gjinor i administratës publike në nivel qendror dhe lokal, ku afro 3000 të tilla u larguan pa asnjë kriter profesional dhe në shkelje të hapur të ligjit dhe normave e konventave ndërkombëtare për të drejtat e grave. Nga ana tjetër, zbatimi i ligjit për të drejtën e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes në politikë mbetet i cënuar. Kuota 30% e grave në zgjedhje po përdoret si një alibi para ndërkombëtarëve dhe vetëdijes gjithnjë e në rritje të shoqërisë për këtë çështje. Në Parlament, shumica parlamentare e spostoi listën e kandidateve gra që ishin në radhë për të fituar statusin e deputetit kur pati raste të largimit të deputetëve para mbarimit të mandatit. Gruaja shqiptare ka potenciale dhe vlera të jashtëzakonshme për pjesëmarrje dhe vendimmarrje në politikë. Por është sistemi klanor me tribu dhe me mentalitet patriarkal i politikës që nuk i hap aq sa duhet dyert dhe të ofrojë mundësi të barabarta mes burrave dhe grave. Gratë kanë në karakter sfidën dhe dinë të fitojnë dhe aty ku duket e pamundur.
Është folur shumë për reforma si në drejtësi, arsim. A janë të nevojshme dhe në kohën e duhur këto reforma?
Reformat janë serum për zhvillimin e Shqipërisë dhe perspektivën evropiane të saj. Por reformat po mbesin vetëm nocione në letër dhe koncepte abstrakte në ligjërimin politik. Realisht nuk po zbatohet asgjë për të mos përmendur faktin, që edhe draftimi i tyre cënon shpeshherë ligjin dhe interesat e shumicës së shoqërisë. Për reformën në drejtësi mund të them se po shtjellohet në një frymë shantazhi ndaj gjyqësorit dhe profesionistëve të drejtësisë. Kam dyshime shumë të forta për paanshmërinë dhe për klimën e presionit që krijon mazhoranca. Nga ana tjetër, reformë nuk do të thotë të ndërrojmë gjyqtarë apo stafet administrative për të hapur vende pune për militantët. Reformë në drejtësi në optikën time të mendimit janë zbatimi i afateve në shqyrtimet gjyqësore, transparenca informimi dhe paanshmëria nga politika në vendimet e dhëna. Pushteti i drejtësisë është thembra e Akilit për një shtet të së drejtës, i cili në bazë të funksionimit ka pavarësinë e drejtësisë nga legjislativi dhe ekzekutivi. Gjoba nuk mund t’i vendosë askush njëri- tjetrit. Në arsim kemi një tjetër sistem përçudnimi ku punësimi i militantëve të paaftë po dirigjon vizionin e shtetit që është arsimi dhe edukimi. Janë larguar afro 4 mijë arsimtarë në një praktikë të padëgjuar represive gjoja testimi profesional dhe që skandalet e korrupsionit të dy drejtoreshave në Lushnjë dhe Tiranë plasën tullumbacen e mashtrimit publik të qeverisë ‘Rama’. Kur luhet me arsimin dhe shëndetësinë luhet me fatet historike të kombit të cilat kanë pasoja të pariparueshme për të ardhmen e shoqërisë.
Në këndvështrimin tuaj, cilat janë sfidat e momentit të qeverisë?
Sfida më e fortë dhe më emergjente për t’u përballur është varfëria ekstreme. Ka dy vjet që zgjerohet shumë parcela e varfërisë, pasi monopolet dhe korrupsioni po grumbullon paranë në fare pak duar dhe shtresa e mesme, motori i zhvillimit të një shoqërie nuk ekziston. Investime të huaja dhe të brendshme nuk ka. Fronte pune nuk hapen; ka vetëm manipulim opinioni dhe sukses virtual, kur listat nëpër dyqane kanë kaluar blloqe e fletore. Strategji afatshkurtra për dalje nga kriza kërkon dhe biznesi i vogël, industria fasone kompanitë e ndryshme me mbështetje reale nga politikat monetare në mënyrë që të nxitet punësimi i të rinjve. Shëndetësia dhe kujdesi social janë dy sektorë të tjerë që duhet t’i nënshtrohen një elektroshoti reformash të vërteta dhe jo si projekte për fitime abuzive të ministrave dhe klientelës qeveritare.
Kryeministri Rama është shprehur shpesh që qeveria po i jep ato të drejta opozitës që nuk i kishte PS-ja kur ishte në opozitë. Sa e vërtetë është kjo?
Këto janë tymnaja retorike të një niveli tejet modest të diskursit politik. Rama dhe ministrat janë bërë bajatë në këto qëndrime ndaj opozitës. Në realitet kemi një kryeministër që bën monolog prej katër-pesë orësh në foltoren e Parlamentit me batuta të përsëritura dhe fyerje e kërcënime ndaj opozitës. Rama nuk e pranon debatin apo dinamikën e diskutimeve, pasi u frigohet risive dhe argumenteve që ai nuk arrin t’i posedojë në logjikën e tij folklorike. Ne jemi dëshmitarë të gjallë se ishte Brukseli zyrtar që me qëndrimin e tij eksplicit i bëri të ditur mazhorancës rëndësinë e respektimit të të drejtave kushtetuese që ka opozita në një parlament demokratik. Ato që Rama u mundua t’i servirte si “lëmoshë” ndaj opozitës, ishin veç zbatime të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ishin të drejta që ne na takonin qysh në krye të herës.
Është folur shumë lidhur me shkaqet e përmbytjeve të ndodhura në jug të vendit. A mendoni se nëse do të ishte ndërhyrë në kohë mund të ishin shmangur?
Kanë kaluar afro dy javë dhe çdo ditë tregoi se përmbytjet në jug, u kthyen fatkeqësi më tepër nga neglizhenca e kësaj qeverie, moskoordinimi i shtetit me shoqërinë. Por qeveria u tregua krejt e paaftë dhe e papërgjegjshme në dy kohë para përmbytjeve dhe aktualitet të trishtë të pasojave. Unë kam bindjen që nëse do kishim një qeveri më të përgjegjshme, dëmet mund të ishin minimalizuar. Autoritete të specializuara ndërkombëtare sinoptike paralajmëruan zyrtarisht qeverinë shqiptare për përmbytjet në jug të vendit. Gjithashtu, lajmërimi i natyrës në Veri para tri vitesh, u shpërfill nga kjo qeveri e cila nuk mori masat paraprake për të mënjanuar dëmet kolosale të përmbytjes. Dhe anashkalimi ndodhi me buxhetin e vitit 2014, ku u ulën ndjeshëm fondet për mbrojtjen e mjedisit, investimet në infrastrukturën e bujqësisë, transportit dhe shërbimeve. Pra nuk u bë asgjë, nuk u hodhën investime për argjinaturat e lumenjve, hidrovoret, që t’i bëhej ballë rrezikut që po vinte. Menduan vetëm të vinin palma miliona eurosh rrugës për nga Rama do kalonte që ajo të ishte e bukur për sytë e tij, dhe të hidhnin baltë mbi qeverinë ‘Berisha’ në menaxhimin e përmbytjeve në Veri, tri vite më parë. Kjo qeveri po e menaxhon situatën vetëm me agjitacion dhe retorikë mediatike dhe aspak me strategji dhe platforma zgjidhjeje dhe zhvillimi. Hallkat ligjore nuk kanë funksionuar: kryeministri, ministri i Financave dhe Shtabi Emergjencës nuk kanë artikuluar deri më tani: 1-Ngritjen e një komiteti ndërministror për përmbytjet. 2. Përcaktimin në terren të dëmeve ekonomike në çdo drejtim, infrastrukturë, bujqësi, blegtori, etj. 3. Alokimin e një fondi të posaçëm në përballimin e situatës dhe rehabilitimin e dëmeve në periudhë afatshkurtër dhe afat-gjatë. Unë personalisht, në emër të Partisë Demokratike, në seancën e fundit plenare kam bërë disa propozime konkrete për ministrin Veliaj dhe për ministrin Beqaj, për disa masa që duhen marrë për rikuperimin sa më parë të dëmeve dhe ardhjen në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura. E jo vetëm kaq, por është e trishtueshme kur dëgjon që ndihmat që po i sjellin individë dhe qeveri që po solidarizohen me banorët ne jug të vendit, por ndahen me lista partie e jo sipas nevojave. Pra, Rama po bën fushatë elektorale në kurriz të mjerimit të qytetarëve më në nevojë, në ditën e tyre më të zezë.