Alida Hisku tërhiqet pas zhurmës? Mohon përdhunimin nga Sigurimi
Alida Hisku dje në mënyrë të papritur, në emisionin “Pasdite” në Top Channel, ndryshoi deklaratën që ka thënë në intervistën për “Shqiptaraja.com”, ku denonconte përdhunimet gjatë periudhës së komunizmit në burgje.
Edhe pse dëshmia e saj u vlerësua nga opinioni publik si shenjë guximi, këngëtarja Alida Hisku u shpreh te “Pasdite” se nuk i ka thënë historitë e përdhunimeve dhe se gazetarja “nuk i ka të vërteta” dhe “nuk është autorizuar për botimin”.
Duket se Alida Hisku e shqetësuar për komentet e shumta në mediat online është munduar të përgënjeshtrojë veten në një mënyrë jo dinjitoze.
Me keqardhje të madhe për rrethanat që mund të kenë ndikuar te këngëtarja e shumëvuajtur Alida Hisku dhe për këtë shtrembërim publik të së vërtetës, gazeta “Shqiptarja.com” për të respektuar lexuesin e saj detyrohet të publikojë intervistën ashtu siç është marrë nga gazetari, të paredaktuar, me të gjithë bashkëbisedimin bruto.
Në botimin e redaktuar një pjesë e intervistës është marrë si fakt për profilin e këngëtares dhe janë hequr shprehjet e parregullta dhe joetike.
Intervista është zbardhur e plotë, për të gjithë lexuesit që e kanë ndjekur e komentuar gjatë kësaj jave.