Alis fiton Festivalin e 64-të të Këngës, “Nan” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

Nga Albert Vataj
Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli mbrëmë siparin e tij, duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nân”.
E nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, Alis triumfon në Fest 64, dhe “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri.
Sërish ishte publiku ai që vendosi, për “Nân” një baladë emocionalisht e fuqishme e shkruar nga Desara Gjini, me kompozim nga Alis Kallaçi dhe instrumentacion nga Erjet Barbullush.
Një këngë që i flet shpirtit, një hymn për një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare, një nga tempujt më të lartë të shenjtërisë së jetës, “Nân”, mbremë provoi të ngjitej më lart, në qiellin e një adhurimi të publikut, të artdashësve, të atyre që pavarësisht paragjykimeve, gjithnjë kanë ditur të zgjedhin, kanë ditur të jenë përcaktues në vendimin e jurisë, por më së shumti në atë që do t’i përfaqësojë ata në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, Austri, një nga eventet më të rëndësishme të këngës në Evropë.
“Mu më bahet jashtëzakonisht qefi që fitusi sante shkon shumë mirë edhe me dëshirën e audiencës sepse në fund të fundit në krijojmë kangë për audienca, ne prodhojmë për audienca. Juria profesionala në mënyrë të padiskutueshme që asht shumë e rëndësishme për të shku tek detajet e krijimtarisë. Po kangt bahen për audiencën, kshtu që na vjen shumë mirë se sante jemi në nji za me audiencën”, kjo ishte ajo çfarë tha mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, Ramë Lahaj, tenori me famë botërore, që ishte në Festivalin e 64-tërt të Këngës në RTSH, në rolin e kryetarit të jurisë, para se t’i dorëzonte Alis trofeun e këtij eventi të rëndësishëm të këngës.
“Shkodra sërish e para. Çmimi pare dhe kete vit mbetet ne Shkodër.

Alis Kallaçi fiton Festivalin e Këngës 64 në RTSH dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 me “Nân”, shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale kryebashkiaku, Benet Beci.
Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht, Inis Neziri dhe Sheila.
Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nân” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.
Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”. Organizatorët kishin përgatitur disa surpriza për publikun në sallë dhe atë pas ekranit të televizorit. Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Pas performancës muzikore ata falenderuan publikun për mbështjeten e vazhdueshme. “Është falë jush që ne artistët ekzitojmë”, tha Elsa Lila, pas interpretimit të këngës “Vibracione”.
Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.
Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve. Tommy Cash në përfundim të këngëve që interpretoi i premtoi publikut se do të kthehet për të ndenjur më gjatë dhe për të dhënë një koncert të vërtetë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?