Altin Dumani: SPAK ka ngritur akuza ndaj personave me peshë të rëndësishme politike
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka qenë në Universitetin e Durrësit, ku është shprehur se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK, por duhet të jetë betejë e të gjitha institucioneve dhe, pa diskutim, edhe e vetë shoqërisë.
Në një bashkëbisedim me studentë në qytetin e Durrësit, kreu i SPAK tha se ishte një nder që e drejtoi këtë institucion në 3 vite të vrullshme dhe intensive.
“Jam prokuror si të gjithë prokurorët e tjerë, që mu dha mundësia në 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë nder për mua ta drejtoj në këto 3 vite të vrullshme, intensive, por unë të tillë e kam drejtuar karrierën time, jam në vitin e 26 si prokuror dhe një vit kam punuar dhe oficer i policisë gjyqësore.
SPAK është institucion i konsoliduar, ka maturinë e duhur. Prokurorët kanë integritetin e duhur, profesionalizmin e nevojshëm dhe këto janë garancitë që mua më bëjnë optimist për të ardhmen e institucionit dhe besoj se do jetë shumë e mirë.
Askush nuk është mbi ligjin, SPAK ka ngritur akuza për zyrtarë të nivelit të lartë, nga funksionarët më të lartë deri te funksionarët te nivelit të mesmë dhe të ulët, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj kryebashkiakëve, prefektëve, gjyqtarëve, prokurorë, funksionarë të Policisë së Shtetit, sekretarë të përgjithshëm”, tha Dumani.
Altin Dumani, i cili javën e ardhshme do t’i dorëzojë detyrën Klodian Brahos, drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme, ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët e UAMD me temën “Lufta kundër korrupsionit”.
KOHA JONË SONDAZH

