Ambasadorët, Bushati: Rama i propozon, kurse Nishani vetëm çertifikon
Kryeministri i propozon ambasadorët, kurse Presidenti është vetëm çertifikues i tyre. Këtë qëndrim ka shprehur dje ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë një seance dëgjimore para komisionit për politikën e jashtme mbi projektligjin “Mbi shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Konkretisht, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të kreut të shtetit se nuk do të hedhë firmë për asnjë kandidaturë të mazhorancës, nëse kjo e fundit nuk do ta konsultojë paraprakisht me të, kryediplomati pohoi se në fakt, Kushtetuta njeh Kryeministrin si propozues të ambasadorëve. “Sipas Kushtetutës, Presidenti është çertifikues i emrit të ambasadorit”, sqaroi Bushati para deputetëve në komisionin e Jashtëm parlamentar rreth këtij debati. Gjithashtu, sipas tij, emërimet do të bëhen sipas meritokracisë, ndërkohë që duhet parashikuar që Parlamenti të ketë rol më diskret në procesin e emërimit të ambasadorëve. Por mes të tjerash, ministri i Punëve të Jashtme, tha edhe se ligji i ri i shërbimit të jashtëm, në thelb shkurton disa burokracira të tepërta, të cilat sioas tij për një vend që aspiron Bashkimin Europian duhet të eliminohen. Kujtojmë sakaq, se mbi ligjin për shërbimin e jashtëm, dy ditë më parë, ish-kryediplomati Aldo Bumçi, ngriti shqetësimin se me ndryshimet e propozuara nga Ministria e Jashtme, do të goditet rëndë transparenca e emërimeve në diplomaci. Ai madje ngriti pretendimet se sipas tij, ndryshimet ligjore cënojnë themelet e shërbimit diplomatik dhe të marrëdhënieve institucionale në vend. Opozita në tërësi ka vlerësuar se të tilla ndryshime rrezikojnë diplomatët në karrierë, por sipas ministrit Bushati, një shqetësim i tillë nuk është aspak i bazuar. Nga ana tjetër, në këtë seancë dëgjimore u diskutua edhe lidhur me kërkesën e propozuar nga deputeti demokrat, Bumçi, mbi mospranimin nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për drejtimin e Komitetit të Çështjeve Ekonomike të OSBE-së. Ku nga ana e tij, Bushati u shpreh se ky Komitet nuk është ndër më të rëndësishmit e OSBE-së dhe vendimi nuk ndikon në rezultatet dhe marrëdhëniet e diplomacisë shqiptare. “Mosmarrja e kryesisë së Komitetit të Ekonomisë dhe Çështjeve të Mjedisit ka qenë një vendim i Ministrisë së Jashtme dhe vjen pas një analize të thelluar të strukturave të Ministrisë së Jashtme, të cilat kanë arritur në përfundimin se ky Komitet nuk është i rëndësishëm, duke parë dhe orientimin tonë strategjik në politikat e jashtme. Jemi në kërkim të një vendi me peshë në OSBE, një vend i tillë që ka të bëjë me sigurinë evropiane. Komiteti për të cilin flasim është më i parëndësishmi. Më duhet të sqaroj deklaratat për refuzimin e Komitetit Ekonomik. Është spekuluar për këtë çështje. Është e drejta jonë legjitime që të kërkojmë një komitet me rëndësi. Shqipëria nuk është më në fazën post-komuniste, ndaj nuk mund të pranojnë çdo gjë me entuziazëm”, tha ministri Bushati. Duke përfunduar me faktin se vendi ynë është një fazë ku po punon për të luajtur një rol thelbësor në rajonin e Ballkanit dhe marrja e një angazhimi të tillë, siç ishte ai komitetit të Ekonomisë do të kërkonte resurse ekonomike dhe njerëzore të shumta dhe të cilat nuk do kthenin përfitime të mëdha. “Komiteti i Ekonomisë dhe Çështjeve Mjedisore zakonisht i jepet vendeve të Azisë, pasi Europa ku ne jemi dhe kemi interesa strategjik nuk ka ndonjë interes të veçantë, prandaj ne kemi kërkuar sigurinë, pasi çështja e Ukrainës, ku Shqipëria ka një qëndrim të kristalizuar është pikë e strategjisë sonë në marrëdhëniet diplomatike më vendet e tjera të BE-së, ashtu siç janë edhe të drejtat e njeriut. Ne do të ishim mjaft të interesuar të kishim kryesimin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut, pasi në Ballkan kjo çështje ka peshë të madhe”, sqaroi Bushati.
QËNDRIMI
“Ju e dini se të gjitha selitë me rëndësi të lartë për BE dhe të organizatave të tjera më të cilat kemi marrëdhënie vendosin selitë e tyre të komunikimit në Serbi, por tani Shqipëria po rritet nga ana diplomatike dhe tashmë kemi arritur marrëveshjen që Selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor të vendoset në Tiranë, Shqipëri, çka tregon se ne kemi ecur përpara në diplomaci dhe nuk kemi tronditur askënd, duke refuzuar komitetin e ekonomisë në OSBE”, theksoi Bushati.
STRATEGJIA
Diplomacia shqiptare po ndjek një strategji të qartë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, të cilat formësojnë më së miri panoramën e madhe të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë në përputhje me strategjinë tonë dhe në frymën e mirëkuptimit dhe me partnerët tanë strategjikë.