Ambasadori italian: Siguroni investimet e huaja

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, duke folur për televizionin SCAN mbi debatin e ditëve të fundit lidhur me kërkesat e dhomave të huaja të tregtisë, ashtu si Dhoma Amerikane, Gjermane si dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj, ka kërkuar ndërhyrje për investitorët me para’ dhe prona të bllokuara. Vonesat gjyqësore dhe mbrojtja e ulët ligjore janë problemet kryesore sipas tij.

“Le të flasim seriozisht. Ka investitorë të cilët janë të pakënaqur e që prej vitesh ndodhen në mosmarrëveshje të cilat nuk arrijnë t’i mbyllin dot e natyrisht ky fakt është shkurajues për ta edhe pse shpesh ndodhen në një situatë të vështirë pasi kanë investuar ndaj dhe tërheqja nënkupton humbjen e këtyre investimeve. Ata janë të gatshëm dhe ndaj kompromiseve mjaft që të vijojnë veprimtarinë e tyre, duke rikuperuar të paktën një pjesë të asaj çka e konsiderojnë si një të drejtë të tyre. Në lidhje me këtë çështje jemi duke u përpjekur dhe prej ardhjes sime në Tiranë. Kam patur kontakte me Ministrinë e Ekonomisë apo dhe me Zyrën e Kryeministrit, për gjetjen e mënyrave më efikase për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve”, u shpreh Ambasadori Cutillo.

Gjithsesi, pas vlerësimit pozitiv për disa reformat të qeverisë shqiptare, ai e inkurajon ekzekutivin të lehtësoj aspektin procedurial si dhe respektimin e ligjit.

“Padyshim që ka një debat të ndezur përsa i përket realizimit të reformave në këtë vend sado të dobishme e pozitive qofshin për biznesin. Unë besoj, edhe pse ndodhem në Tiranë vetëm prej 5 muajsh, se reformat e ndërmarra nga qeveria në këto 2 vjet, 2 vjet e gjysëm, kanë qenë shumë pozitive. Le të themi se shumë prej reformave besoj bashkëndahen prej të gjithëve. Duke folur me operatorët italianë, por besoj se e njëjta gjë vlen dhe për operatorët e vendeve të tjera, në fakt haset rëndom kritika që lidhet me mungesën e normave ligjore në mbeshtetje aktive të investimeve, e normave fiskale, por kryesisht e mbrojtjes ligjore. Rreziku që mbart kryerja e një investimi për t’u gjendur më pas, në një farë mënyre, të kundërshtuar, apo vështiresia për të bërë të vleshme arsyet juridike, përbën një element që shkurajon disa prej sipërmarrësve, ndaj dhe besoj se në këtë drejtim duhet punuar ende”, theksoi Cutillo.

Në fund, përsa u përket ankesave dhe kritikave të biznesit përkundër qeverisë apo strukturave shtetërore, Ambasadori Italian shprehet se ato janë më se normale për një vend të zhvilluar dhe të tilla duhet të jenë dhe për Shqipërinë.

SHKARKO APP