Ambasadori Minxhozi: 2015, 20 milionë euro më shumë shkëmbime me Kosovën

 

Shkëmbimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë vitit 2015 ka pasur rritje prej rreth 20 milionë eurosh kundrejt vitit 2014.

Këtë e ka pohuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për KosovaPress.

"2015, ka qenë një vit i suksesshëm në shkëmbimin e mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ka pasur një aktivitet ekonomik të ndërsjelltë të rritur edhe kjo në vlerë monetare, llogaritet rreth 200 milionë euro, që do të thotë është rreth 20 milionë euro më tepër se vitin e kaluar. Ka pasur rritje të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Gjithashtu, edhe rritje të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Një gjë të dukshme në këto eksporte kanë zënë produktet bujqësore”, ka pohuar ai.

Më tej, ambasadori Minxhozi nënvizon se “ka rritje, por ne jemi jo të kënaqur për mundësitë që ekzistojnë midis dy vendeve tona".

"Ende ekzistojnë disa barriera që dita-ditës po zvogëlohen, por mundësitë janë shumë më të mëdha. E rëndësishme është që institucionet e ndryshme të shtetit shqiptar dhe të shtetit të Kosovës po intensifikohen nga dita në ditë që këto barriera të ulen. Po ndërmerren dhe nisma ligjore nga parlamentet e dy vendeve për të parë mundësinë që këto barriera të ulen jo vetëm në fushën doganore, por edhe për çertifikimin e produkteve duhet të bëhet më tepër. Gjithsesi, mendoj që viti 2016 do të ketë një fillim më të fuqishëm për të rritur bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Kosovë”, shton ai.

Teksa një arritje shumë e madhe sipas ambasadorit Minxhozi gjatë vitit 2015 ishte edhe përfundimi i projektit energjetik mes dy vendeve, i cili pritet të përfundojë në prill të vitit 2016.

“Një sukses i madh është edhe përfundimi i projektit i autostradës energjetike siç e quajmë Fushë-Kosovë, në kufi me Shqipërinë 95 kilometra i gjatë. Një investim prej 35 milionë eurosh. Ky projekt përfundoi me shumë sukses në Kosovë dhe pritet që pjesa tjetër e Shqipërisë, 120 kilometra për t’u afruar, për t’u lidhur me Kosovën, një investim po me të njëjtën vlerë 35 milionë euro do të përfundojë në prillin e vitit të ardhshëm. Është tepër e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria lidhen me një sistem të transmetimit direkt. Po bëhet përpjekje që përveç transmetimit të energjisë elektrike, të kemi edhe prodhim të energjisë elektrike dhe ka nisma dhe iniciativa që gjatë vitit 2016 këto të bëhen më konkrete”, tha gjithashtu Minxhozi.

Kurse lidhur me turizmin, ambasadori ynë në Kosovë u shpreh se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të turizmit mes dy vendeve.

“Një rritje tjetër të dukshme ka pasur edhe turizmi. Turizmi në drejtim të Shqipërisë, por edhe turizmi në drejtim të Kosovës, sidomos turizmi malor. Me kënaqësi vëmë re që gjatë gjithë muajit dhjetor, pikat turistike të Kosovës kanë qenë të dominuara nga turistë ose familjarë nga Shqipëria si në Grykën e Rugovës, Brezovicë dhe kudo në pikat malore të Kosovës. Gjithashtu, ka pasur një rritje të turistëve të Kosovës sidomos në boshtin Vlorë –Sarandë”, tha Minxhozi.

Në fund, ambasadori Minxhozi tha se marrëveshjet e arritura mes dy qeverive kanë qenë të suksesshme, sidomos në fushën e ekonomisë.

“Një pjesë e mirë e marrëveshjeve kanë gjetur një zbatim, sidomos këto në fushën e ekonomisë. E them këtë jo për hir se duhet thënë që ishin të suksesshme, por ka pasur një rritje dhe atë e justifikon shifra e larte prej 20 milionë eurosh që ka pasur një rritje. Them që vetëm brenda dy viteve eksporti-importi midis dy shteteve tona ka pasur një rritje 40 për qind, që është goxha e konsiderueshme”, tha ai.

Duke shpresuar se gjatë vitit 2016 do të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri.

Gjatë vitit 2015, kishte eksporte afër 60 milionë euro, ndërsa importet nga Shqipëria afër 200 milionë euro.

SHKARKO APP