Ambasadori rus: Ne nuk do të harrojmë kurrë 28 mijë dëshmorë shqiptarë

Nga Alexander Karpushin

Të nderuar të pranishëm! Të dashur veteranë! Të nderuar përfaqësues të ministrive dhe institucioneve shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik! Të nderuar bashkatdhetarë dhe anëtarë të Shoqatës së Miqësisë “Rusi – Shqipëri”!

 

70 vite më parë në Evropë pushuan breshëritë e fundit të armëve, duke shënuar përfundimin e luftës kundër nazizmit gjerman. Ajo luftë solli shkatërrime të tmerrshme në mijëra qytete të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera, shkaktoi miliona viktima dhe mori një numër të pallogaritshëm të jetëve njerëzore.

Forca e stërmadhe asgjësuese goditi në atë kohë pothuajse të gjitha vendet e Evropës. Por goditjen më të fuqishme ia dha Bashkimit Sovjetik.

Hitlerianët ishin të sigurtë se atyre do t’u mjaftonin gjashtë javë për të pushtuar vendin tonë. Por nuk u mjaftuan as gjashtë javë, as disa muaj, as katër vite të gjata.

Të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik u ngritën kundër nazistëve. Asnjëherë njerëzimi nuk kishte parë një unitet të tillë, një vëllazëri aq të shenjtë dhe një besim aq të palëkundur në fitore. Heroizmi i pashembullt u shfaq nga ushtarët tanë si në beteja të mëdha, ashtu edhe në përleshje të shumta lokale. Në fund të fundit arritëm ta mbronim lirinë tonë, t’i dëbonim pushtuesit nga toka jonë dhe ta shpartallonim plotësisht armikun.

Është një fakt i njohur se gjatë luftës vendi ynë pësoi dëme kolosale. Ishin shkatërruar shumë vepra të paçmueshme të artit dhe të kulturës. Më e keqja është se nuk do të kthejmë kurrë jetën, talentin dhe shpresat e milionave të bijve dhe bijave të Rusisë. Dhe për popullin rus kjo është një humbje më e madhe dhe vërtet e pakthyeshme.

Duhet theksuar se Fitorja e Madhe, pa dyshim, u arrit në saj të pëpjekjeve të përbashkëta të shumë popujve. U krijua koalicioni antihitlerian dhe aleatët tanë, para së gjithash Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ia dhanë Bashkimit Sovjetik një ndihmë të konsiderueshme. Gjatë viteve të para të luftës atafurnizonin vendin tonë me armatime, ushqime dhe materiale të ndryshme. Më vonë, në qershor të vitit 1944, pas një periudhe të gjatë trevjeçare, u hap Fronti i Dytë.

Edhe krijimi i koalicionit, edhe hapja e Frontit të Dytë ishin ngjarje shumë të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, se treguan qartë unitetin e forcave antifashiste dhe pashmangshmërinë e fitores së popujve liridashës mbi Hitlerin.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kontributin vendimtar në këtë Fitore e dha Ushtria e Kuqe. Betejat kryesore me hitlerianët u zhvilluan në Frontin Lindor, dhe pikërisht atje ishte paravendosur rezultati përfundimtar i gjithë Luftës së Dytë Botërore.

Të nderuar miq! Të dashur veteranë! Zonja dhe zotërinj!

Mësimet e Luftës së Dytë Botërore na inkurajojnë që të shfaqim solidaritet. Sot për sot solidariteti i të gjithë popujve të botës, përkrah të cilëve duhet të radhiten, para së gjithash, ish-anëtarët e koalicionit antifashist, mbetet akoma një vlerë e jashtëzakonshme përballë sfidave dhe rreziqeve të reja. Vetëm së bashku mund t’i përballojmë kërcënime bashkëkohore. Vetëm në bazë të fqinjësisë së mirë mund t’i zgjidhim çështjet e sigurisë globale.

Pra, ata që përpiqen sot ta ringjallin prapë ideologjinë nazizte, ata që nxisin urrejtje etnike, ekstremizmin dhe ksenofobinë, e çojnë botën në qorrsokak.

Të nderuar miq!

Në Ditën e Fitores ne përulemi para të gjithë atyre që dhanë jetën për idealet e drejtësisë dhe lirisë, para të gjithë atyre që kontribuuan në Fitoren mbi Hitlerin dhe aleatët e tij. Kujtimi i viktimave të panumërta të Luftës së Dytë Botërore do të jetë gjithmonë i gjallë në zemrat tona dhe do të përcillet nga brezi në brez.

Obligimi ynë ndaj baballarëve tanë është të nxjerrim mësime nga ajo luftë dhe të parandalojmë përsëritjen e një katastrofe të tillë në të ardhmen.

Në Rusi e kujtojnë dhe e vlerësojnë shumë lart kontributin e popullit shqiptar në fitoren mbi armikun tonë të përbashkët. Siç dihet, Shqipëria ishte një nga vendet e pakëta të Evropës që u çliruan nga pushtimi fashist me forcat e veta, pa ndërhyrje të ushtrive të huaja. Dhe ne nuk do të harrojmë kurrë 28 mijë dëshmorë shqiptarë, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Atdheut.

Do të doja t’u drejtohesha edhe një herë veteranëve të pranishëm të lëvizjes partizane të Shqipërisë dhe nëpërmjet juve patjetër edhe të gjithë veteranëve të Luftës së Dytë Botërore. Ju jemi shumë mirënjohës, të dashur veteranë. Dhe jemi të lumtur që sot ju jeni pranë nesh dhe që e festojmë së bashku përvjetorin e Fitores së Madhe.

Lavdi ushtarëve të Luftës së Madhe Patriotike!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të luftës antifashiste!

Rroftë Dita e Fitores!

Gëzuar festën, të dashur miq!

*Fjala e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, SH.T. Z. Alexander Karpushin,
në pritjen me rastin e 70-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike

 

SHKARKO APP