Amerika Latine, “kapitullojnë” Brazili pa Neymar dhe Argjentina pa Messin
Brazili tregoi se nuk mund të fitojë pa yllin e Barcelonës, Neymar, pasi humbi 2-0 ndaj Kilit në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, Rusia 2018.
E njëjta histori mund të thuhet edhe për Argjentinën, pasi me mungesën e Lionel Messi, humbi me të njëjtin rezultati në shtëpi ndaj Ekuadorit.
Kili fitoi falë pjesës së dytë ndaj Brazilit me gola të Eduardo Vargas e Alexis Sanchez.
Neymar ka mbetur jashtë pas katër ndeshjeve pezullim që mori tre muaj më parë në takimet e Kupës së Amerikës. Ai do të mungojë edhe në ndeshjen e javës tjetër, ndaj Venezuelës.
Kujtojmë se Kili tre muaj më parë fitoi edhe finalen e Kupës së Amerikës, duke mundur Argjentinën në finale.
Brazili vazhdon betejën për të dalë nga kriza nën drejtimin e trajnerit të ri, Dunga.
Argjentina, një tjetër fuqi e madhe e këtij kontinenti në futboll, humbi me Ekuadorin në Buenos Aires në pjesën e dytë, pas golave që shënuan Frickson Erazo e Felipe Caicedo.
Messi mbeti jashtë për shkak të dëmtimit dhe parashikohet të kthehet në fund të muajit nëntor.
Megjithatë, Argjentina kishte lojtarë të tjerë në fushë, si Angel Di Maria, Sergio Aguero e Javier Macherano.
Në ndeshjet e tjera, Uruguai përballoi edhe lartësinë e La Paz, duke mundur 2-0 ekipin e Bolivisë me gola të Martin Caceres e Diego Godin.
Kjo ndeshje u zhvillua në një lartësi 3,650 metra mbi nivelin e detit. Uruguai fitoi pa dy lojtarë të pezulluar, Luis Suarez e Edinson Cavani. Ishte fitorja e parë e Uruguait në ajrin e rrallë të La Paz.
Suarez vazhdon të jetë i pezulluar pasi kafshoi italianin Giorgio Chiellini në përballjen e Kupës së Botës, “Brazil 2014”. Kurse Cavani është i pezulluar për kartonin e kuq që mori kundër Kilit.
Teofilo Gutierrez e Eduin Cardona shënuan në fitoren 2-0 të Kolumbisë kundër Perusë.
Paraguai mundi Venezuelën 1-0 me gol të Derlis Gonzalez në 84’.
Të martën luhen ndeshjet e raundit të dytë: Ekuador -Bolivi; Uruguai- Kolumbi: Paraguai- Argjentinë; Brazil – Venezuelë; Peru – Chile.