AMF: Sekuestro kapitaleve që u janë shmangur taksave

Kreu i Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Pajtim Melani, në një prononcim për Javanews, lidhur me aferën e “Panama Papers”, komenton se çështja e publikimit të dokumentave të kapitaleve të vendosura në shtete si Panamaja, janë një lajm i mirë për trasparencën, llogaridhënien, luftën ndaj korrupsionit, informalitetit dhe shmangijes së taksave për të cilat institucionet publike duhet të koordinojnë punën nëpërmjet strukturave të përbashkëta dhe efiçente. Sipas tij, duhen përdorur pa vonesë të gjitha mjetet për të arritur te qëllimi për të rikthyer kapitalet e shtegtuara që i janë shmangur kontrollit fiskal, në rastin e biznesmenëve dhe kapitalit të rrjedhur nga veprime korruptive që i janë shmangur detyrimeve të deklarimit të pasurive.

“Në sektorin financiar, në tregun tonë të brendshëm, shkalla e informalitetit është pranë zeros, pasi ky është sektori më i rregulluar dhe më i mbikëqyrur nga BSH dhe AMF. Nga kjo pikpamje nuk shoh risqe të drejtëpëdrejta për stabilitetin financiar”, deklaron Melani.

Kreu i Bordit të AMF nënvizon se zbardhja me emra e kompanive dhe individëve që mund të kenë fshehur taksat, kanë pastruar paratë e krimit ose të korrupsionit, në skemat ‘guacka” të fshehjes së identitetit, mundëson kthimin e kapitaleve në tregun e brendshëm, për të cilat shteti nuk ka marrë pjesën që i takon si tatime dhe taksa. Melani vlerëson se kapitalet që i janë shmangur këtyre detyrimeve duhet të sekuestrohen nëse janë krijuar si shkak dhe/ose si pasojë e veprimtarive të korrupsionit pasiv apo aktiv apo pastrimit të parave nga veprimtaritë kriminale.

SHKARKO APP