Amputimi i trurit logjik
Nga Gëzim Mekuli
Po flasin, po thonë, po komentojnë e po filozofojnë se, është varfëria, ajo që po i detyron shqiptarët të arratisen. Ju ndoshta pajtoheni me këto mendime, fjalë e komentime por, unë nuk pajtohem! Pse mendoj kështu? Ka më shumë se një dekadë, që shqiptarët e Kosovës janë duke ju ekspozuar një “rrezatimi” të vazhdueshëm propagandistik; E, instrumenti më efikas i kësaj propagande është fjala, gjuha dhe fotografia.
Që nga viti 1999 hapësira publike në Kosovë është “bombarduar” me kujdes, nga të gjitha anët, në secilin cep e në çdo cast. Retorika e sofistikuar ishte në veprim: i tërë mendimi, analiza, kritika dhe opinioni ishte nën kontroll të UNMIK-ut, KFOR-it, OSBE-së, EULEX-it dhe Qeverive të ndryshme nëpër botë. Të gjithë donin hisen e tyre, të gjithë dëshironin të ndikonin dhe të impononin tek kultura, ritualet, ceremonitë, gjuha, simbolet dhe identiteti; qoftë në “ego-identitetin” e qoftë, edhe në identitetin tonë nacional. Përmes RTK-së, radiove dhe televizioneve private, gazetave, afisheve, reklamave, pra mediave, shqiptarëve ju “prodhua” e ju ofrua një botë jo reale, e një pasqyrë e rremë për realitetin ku këta jetonin. Këtyre njerëzve, përmes diskursit retorik dhe mediave të kohës, ju ofrua një “jetë përrallore” dhe një “botëkuptim romantik” që, këta e dëshironin dhe e ëndërronin; ishte një botë “e ëmbël” e me premtime plot, jetë pa probleme, me demokraci Europiane, me kulturë Europiane, me punësime Europiane, e me politika europiane. Retorika dhe propaganda eliminoj dhe fshiu kufirin në mes të botës reale dhe asaj jo realae, pra botëssë përrallave.
"Qytetarë dhe Europianë"
Manipulimi filloj që me fjalën “Qytetarë” dhe me fjalën “Europiane”. Fjala “popull” u zëvendësua me fjalën “qytetarë”. Tanimë fjala “qytetarë” mbidominoj hapësirën tonë publike. Përmbajtja e fjalës “qytetarë”, tanimë, konotonte “modernen”, “kamjen”, “mirëqenien”, punësimin, “gëzimin”, “asfaltin” dhe “qytetërimin”. Pra, fjala “qytetar” ishte krejt tjetra e asaj çka përmbante e çfarë konotonte fjala e “vjetër”, “primitive”, “e baltosur”, “komuniste”, dhe e “varfër”, pra fjala “Popull”. Tanimë “populli” konotohej me “baglën dhe prapambeturinë”. Kjo fjalë biles filloj edhe të urrehej! Manipulimi dhe dopingimi i “trurit” u krye edhe përmes fjalës “Europiane”. Europa për shqiptarët ishte sinonim i “parasë”, “bollëkut”, “shëndetit”, “qefit e lezetit” “dritave”, autobanave” dhe jetës cilësore. Kemi me u kënaqë, kemi me u pasurua e me jetu si “kinga”, thonin dhe “mendonin” shqiptarët e Kosovës. Kaluan shumë vite dhe “qytetarët” e Kosovës po prisnin. Dhe prisnin, e prisnin që të shihnin, të prekin, të përjetojnë dhe të jetojnë Kosovën e “qytetëruar” dhe “Europiane”. Pritën plot 14 vjet! Biles, u lodhën, sepse pinin makiato shumë. Më në fund fshatari i mashtruar e kuptoj se fshati, me këto politika, nuk po u bëka “qytet” . Ai e pa se “qyteti dhe europa” nuk po i vjen tek dera; e kuptoj përmbajtjen e fjalës “qytetarë” dhe të vërtetën e të qenurit i varfër, i mashtruar e "fshatarë".
Zgjimi
E panë se “qytetarë” dhe “europianë” janë vetëm politikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Populli u trondit nga realiteti. Fshati i varfër dhe bujarë shpërtheu, “u çmend”, u inatos dhe po ikë, po vrapon, diku e dika. Po, ishte kjo “fotografia” retorike, që mediat e kishin ndërtuar tek kokat e shqiptarëve dhe e kishin “vizatuar”, gjithëandej, në hapësirën tonë publike. Shkurt e shqip, shteti bëri një “amputim të trurit logjik”, dhe në vend të saj “mbolli trurin emocional”. Kontrolli kolektiv, përmes mediave, bëri që shqiptarët të jenë ëndërrimtarë emocional e më pak racional. “Shteti” ndërhyri edhe tek kultura: Simbolet, ikonat, ceremonitë dhe përgjithësisht kulturën shqiptare, e “përpunoi” dhe e “paketoj”. Mbisundoj dëshira dhe plani që të gatuhet një mendim kulturor dhe politik tjetër. Por shteti mbiçmoj kapacitetin e tij, edhe kur është fjala tek mendimet kulturore. Sepse, shteti në këtë mënyrë eliminoj shqiptarët nga “të qenurit vetvetja”. Format kulturore, gjuha, simbolet, ceremonitë dhe ritualet, bëhen kuptimplotë përmes të kuptuarit dhe të interpretimit të tyre nga vet njeriu, pra pa imponime. Pushteti dhe fuqia e shtetit qëndron në atë që, ky, pra shteti, t’u japë individëve mjetin për të menduar me të, e jo mjetin për ta “tjetërsuar. Është gabim nëse besoni se, njerëzit nën rrethana normale, mund të kontrollohen nga shteti për të menduar në një mënyrë të caktuar. Ajo do të vënë kulturën mbi individin si qënje që mendon, në vend se të shoh kulturën si një produkt të individit që mendon. Populli shqiptarë, historikisht, ishte i varfër, por ky qëndroj e mbijetoj. Përse iket tani? Përgjigjen duhet kërkuar, përpos tek skamja, edhe tek depresioni kolektiv, dhuna psikologjike e kulturore, që po i bëhet këtij populli të madh, stoik, human e të pathyeshëm.