Analisti Kikia: PD nuk bën mrekulli. Presioni ndaj qeverisë i kufizuar, mungon bashkimi me forcat e tjera
Teksa komenton protestën kombëtare të PD, analisti politik Mentor Kikia thotë se problemi kryesor qëndron te mungesa e organizimit të shoqërisë civile dhe sindikatave. Sipas tij, në një vend ku sindikatat janë të dobëta ose mungojnë, shoqëria e ka të pamundur të vetëorganizohet. ”Ne pyesim pse nuk del populli në rrugë? Sepse mungojnë organizimet shoqërore jo politike dhe sindikatat, të cilat duhet t’i prijnë shoqërisë kur qytetarët kanë pakënaqësi”, tha Kikia.
Kikia vlerësoi se kjo situatë lidhet me humbjen e besimit te politika dhe me largimin masiv të pjesës aktive të shoqërisë nga vendi. Ai u ndal edhe te Gjenerata Z, duke theksuar se ndonëse është një brez që revoltohet, në Shqipëri ajo është po aq pesimiste sa brezat e tjerë ose e fokusuar te emigrimi. Sa i përket opozitës, analisti kritikoi retorikën e përsëritur të Sali Berisha në krye të çdo proteste, me deklarata të njëjta të tipit: “Sot është fundi i Ramës” apo “Nuk largohemi pa dorëheqjen e Ramës”.
Duke komentuar vendimin e partive të vogla për të mos iu bashkuar protestave të PD-së, Kikia theksoi se problemi më i madh i opozitës është mungesa e bashkimit. ”PD është partia më e madhe opozitare, por nuk është e vetmja opozitë. Nëse synohet presion real ndaj qeverisë, duhet koordinim dhe bashkëpunim mes forcave opozitare”,-tha ai.
Analisti përmendi gjithashtu protestat e Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Agron Shehaj, duke nënvizuar se pa një front të përbashkët opozitar, presioni ndaj qeverisë mbetet i kufizuar. Në përfundim, Kikia tha se opozita nuk mund të bëjë “mrekulli” dhe se nëse synohet një qeveri teknike, kjo mund të arrihet vetëm përmes presionit të fortë qytetar, ashtu siç ka ndodhur në vende si Bullgaria, Belgjika, Franca apo Greqia.
KOHA JONË SONDAZH

