AND-ja e lidershipit perëndimor

Nga Feti ZENELI/E gjithë sjella politike e liderit demokrat, Lulzim Basha, nga dita e parë e lançimit deri tek dita e fundit e miratimit të reformës në Drejtësi, më sjell ndërmend thënien e një mendimtari të njohur amerikan, John Maxuell, sipas të cilit, “…një lider i mirë është ai, që e njeh rrugën, ecën në atë rrugë dhe e tregon atë”. Nëse Maxuell flet teorikisht, Kancelarja gjermane, Angela Merkel;  Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Hahn; Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, etj., flasin konkretisht për lidershipin e Bashës, lidhur me rolin e tij vendimtar për miratimin e një reforme të rëndësishme me standarde perëndimore për Shqipërinë dhe shqiptarët. SHBA dhe BE po flasin tashmë me të njëjtën gjuhë politike për lidershipin e Bashës, që sipas zonjës Nuland, nuk është vetëm një lidership politik, por edhe një lidership patriotik për interesat më të mira të vendit tonë. Vetë deklarata më e fundit e liderit demokrat, pas arritjes së konsensusit për miratimin e ndryshimeve të ligjit themeltar të shtetit, në funksion të reformës së shumëpritur në drejtësi dëshmon, se beteja e zhvilluar për më se dy vite rresht në këtë rrugë politike tejet të vështirë “… ka patur dy qëllime: të mbrojë kushtetueshmërinë, parimin e shenjtë, se askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie dhe ka pasur në qendër të saj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si ADN-ja  e Partisë Demokratike…”.

Mbase për të ecur me vendosmëri dhe bindje të plotë në këtë rrugë, zotin Basha e ka ndihmuar disi edhe profesioni i të qenit jurist ekselent, por ai s’mund t’ia kishte dalë kurrsesi, nëse nuk do të kishte patur staturën e një lideri të përgjegjshëm vizionar, të ngjashëm me të atyre që drejtojnë sot në botën e qytetëruar perëndimore. Motua e tij e të bërit politikë duket se është: “Nuk mund të presim, as nuk duhet të kërkojmë që Europa (bota e qytetëruar) të na trajtojë si të barabartë nëse jemi gati të pranojmë veten tonë poshtë standardeve europiane dhe normave euroatlantike të të drejtave të njeriut dhe të kushtetueshmërisë”. Lideri demokrat e ka më se të qartë, se BE, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe gjithë bota perëndimore janë ndërtuar mbi sjellje të tilla; që dëshmojnë kurajo, përgjegjshmëri, integritet, patriotizëm dhe devotshmëri të liderëve politikë. Kjo ishte arsyeja, që ai arriti t’u imponohet dhe të fitoj mbi kundërshtarët e vetë, por jo vetëm mbi ta, megjithëse u kritikua orë e çast, u anatemua jo pak, u quajt “jo fleksibël” dhe u cilësua si “antiamerikan” dhe “antieuropian” prej tyre. Basha e dëshmoi veten si një politikan i sprovuar, ndërsa bëri gjithçka për të kapërcyer “vijat e kuqe” të interesave të vogla primitive brenda vendit, të cilat ishin kthyer në një barrikadë e pakalueshme ideologjike, dhe si një diplomat i shkëlqyer ai gjeti çelësin për të hapur dyert në Uashington dhe Bruksel, duke arritur, që edhe me mbështetjen e vazhdueshme të kreut të LSI-së, Ilir Meta, t’ia dal me sukses për t’i tërhequr në rrugën e konsensusit dhe standardeve më të larta perëndimore politikanët me maska euroatlantike dhe ekspertët tinzarë, që bën çmos për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Kësisoj, teksti i hartuar në fillim nga komisioni i ekspertëve të mazhorancës, në mbrëmjen e datës 21 korrik 2016, ra tërësisht në gjitha çështjet e rëndësishme të tij. Ai arriti ta kthejë në favor të interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo të politikanëve vasalë këtë reformë historike, ndaj në fund, pas votimi të drafit konsensual, tha: “Fituan shqiptarët!”

Lideri demokrat mund të ketë bërë shumë beteja politike përgjatë 2-3 viteve të fundit, qysh kur është zgjedhur në krye të PD-së, por kjo e Reformës në Drejtësi ishte nga më të vështirat. Kjo betejë është e dyta në radhë pas asaj të ndërmarrë për dekriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë, ku edhe në këtë rast zoti Basha ishte i bindur, se nuk kishte asnjë rrugë tjetër, përveç miratimit të një ligji të rreptë, që do të mundësonte largimin nga Parlamenti dhe institucionet e tjera të larta publike në Shqipëri, të individëve të lidhur në forma të ndryshme me krimin. Kjo ishte arsyeja, që për të realizuar propozimin e tij përballë një mazhorance të cilësuar parlamentare, grupi i Partisë Demokratike  bojkotoi për 6 muaj rresht punimet e Kuvendit. Më së fundi, shumica u detyrua të pranojë kërkesën e opozitës për miratimin dhe implemetimin e ligjit të dekriminalizimit. Tashmë të gjithë jemi dëshmitarë për efektet pozitive të këtij ligji të rëndësishëm, që tronditi nga themelet mazhorancën parlamentare të 2013-ës, duke përfshirë në listën e zezë të krimit disa deputetë dhe kryetarë bashkishë që kanë probleme të kësaj natyre.

Ajo që bie më së shumti në sytë e atyre, që kanë vërtetë sy të shikojnë, është se, në të dy rastet e sipërpërmendura, nëpërmjet qëndrimit të tij këmbëngulës, zoti Basha arriti, përveç të tjerash, të dëshmojë një model të ri të të bërit politikë, sipas standardeve më të mira perëndimore. Ai tregoi se nuk është sipërfaqësisht dhe pragamtikisht proamerikan apo proeuropian, por është në thelb, në përmbajtje dhe parimisht i tillë. Gjithçka buron nga bindja e tij, se partnerët tanë strategjik, SHBA dhe BE nuk do të pranonin kurrë për shqiptarët, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se standardet, normat dhe parimet që i kanë bërë për shoqëritë dhe individët e tyre. Shqiptarët, ashtu si çdo komb tjetër i botës së qytetëruar, meritojnë një standard perëndimor në të gjitha aspektet e qeverisjes së tyre, ndaj çdo forcë politike në pushtet nuk mund të bëjë për Shqipërinë, asgjë më pak se ç’mund të bëjë për Europën dhe për Amerikën. Madje, për një politikan serioz dhe të përgjegjshëm, interesat kombëtare të qytetarëve prevalojnë, pasi siç ka thënë edhe filozofi i shquar kinez, Lao Tzu, “për të udhëhequr njerëzit, ec pas tyre!?…”. Fjala këtu është për të vënë në krye të çdo veprimi e qëndrimi politik interesat e bashkëkombasve të tu. Këtë sentencë filozofike, lideri demokrat e bëri normë të përgjigjeve dhe zgjidhjeve të ndryshme politike në interes të qytetarëve shqiptarë, qysh kur iu krijua mundësia e parë t’i përfaqësonte ata në një post të lart publik, siç ishte ai i zgjedhjes si kryetar i bashkisë së Tiranës në maj të vitit 2011. Por kuptimi i një shprehje të tillë bëhet më i qartë, nëse perifrazojmë njëkohësisht edhe shkrimtarin, poetin, eseistin dhe filozofin amerikan të shekullit të 19-të, Ralf Volda Emerson, sipas të cilit prezantimi dhe bashkëpunimi publik i një politikani serioz me qytetarët dhe popullin e vet, ka në themel të tij parimin filozofik, që: “ta bësh veten të nevojshëm për ta”. Në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, me papunësi e varfëri në rritje dhe me pasiguri ekstreme, qytetarët shqiptarë kanë nevojë imediate për një model politik, që të “…ec pas tyre”; jo vetëm pas halleve dhe shqetësimeve, por edhe pas traditës, historisë dhe prosperitetit që i ka karakterizuar gjithnjë. Edhe tek “Dhjata e re”, thuhet që “Zoti i urren…këmbët që turren shpejt drejt së keqes…”, po aq sa “…urren edhe zemrën që thurë plane të këqija”. Kësisoj, njerëzit e thjeshtë duan që t’i paraprijë një fytyre e qeshur dhe jo një surrat i ngërdheshur, pasi kërkojnë t’u ngjallësh shpresë dhe besim, t’i sqarosh dhe jo t’i mashtrosh, t’u krijosh mundësi të jenë të barabartë përpara ligjit dhe “Maliqit”. Ata, vetëm kështu mund të të besojnë dhe të të ndjekin në rrugën që i ke ftuar të ecin. “Aftësia për të vlerësuar paraprakisht reagimin shoqëror ndaj veprimeve të ndryshme formon thelbin e sukseseve politike”, thoshte Karl Libkneht. Parë në këtë këndvështrim, vlerësimi paraprak i reagimit shoqëror është jo vetëm nuhatje politike por edhe ofertë besimi për qytetarët, të cilët nuk duhen trajtuar nga politikanët e vendit të tyre si “popull i majtë” apo “i djathtë”, por si individë të pavarur dhe me integritet. Ka një ndryshim të madh midis konceptit për ta rreshtuar qytetarin si “numëror” turme dhe konceptit për t’i dhënë atij lirinë, barazinë dhe dinjitetin që çdo politikan ia jep dhe vetes. Faktikisht, kjo është “vija e kuqe”, që ka hequr historia e zhvillimit politiko-shoqëror, e cila ndan ekstremistët me liberalët, diktatorët me demokratët, fjalëmbajturit dhe besëprerët apo të civilizuarit me fanatikët. Me veprimet dhe qëndrimet e tij të deritanishme, ndonëse në opozitë, zoti Basha ka dëshmuar, se për të, qytetarët janë jo vetëm të parët e rrugës, të cilën kemi zgjedhur të ecim, por edhe të barabartë midis tyre. Vërtetë; punët, profesionet, vendlindja, shkollimi, ngjyra, rraca, kombësia dhe të tjera cilësi si këto i bëjnë inidvidët të dallueshëm nga njeri-tjetri, por të drejtat, i bëjnë të gjithë të barbartë. Këtu problemi qëndron jo tek pohimi, por tek zbatimi praktikë i këtij parimi të rëndësishëm kushtetues. Vënia e të drejtave qytetare, dhe jo e karierës politike në plan të parë; po aq sa ç’është tregues i emancipimit është edhe tregues i besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë.

Së fundi, vijmë tek beteja e tretë, që i ka mbetur Bashës të zhvilloj, për të hyrë përfundimisht në historinë e politikës sonë, si përfaqësuesi i lidershipit të duhur për Shqipërinë europine të shekullit XXI; pra beteja për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pasi, në të kundërt, do të zhvleftësoheshin dukshëm edhe fitoret e dy betejave të mëparshme. Partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë sinjalet e para mbështetëse, fill pas miratimit konsensual të reformës në drejtësi. “SHBA do të jenë garante të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, i ka thënë Bashës në telefon zonja Nuland, teksa e ka përshëndetur në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për angazhimin me përgjegjësi të lartë dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes së konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi, si një kontribut madhor për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Të njëjtën garanci ka dhënë deri tani për kreun e opozitës shqiptare edhe Miroslav Lajçak, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, që mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian, për angazhimin dhe ndihmën e vendit të tij dhe të presidencës aktuale të BE-së, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Realisht, hapi i parë i një garancie të tillë duhet të jetë krijimi i një qeverie teknike, gjë që do t’i shërbente edhe zbatimit me efikasitet të lartë të dy reformave të finalizuara deri tani, si asaj për dekriminalizimin ashtu dhe reformës në drejtësi. Vetë faktori ndërkombëtar është i interesuar që të mos shkojnë dëm investimet e deritanishme në aspektin e gjetjes së një lidershipi të ri me legjitimitet të spikatur nacional-perëndimor, ndërkohë që në të shkuarën është përballur me lider legjitim vetëm të formatit partiako-krahinor, të cilët vënë partinë mbi interesat e vëndit dhe i vënë në rresht pas vetes të gjithë, përfshi dhe atdheun mëmë. Lulzim Basha tregoi se është lider i një tjetër lloj, që ndyshon shumë nga paraardhësit e tij, qoftë dhe nga ata që kanë hyrë e kanë dalë në derën e djathtë të politikës shqiptare, e cila për hir të së vërtetës, duhet thënë, se është një “derë” fisnikësh, maturia dhe atdhedashuria e të cilëve ka qënë vendimtare për të gjithë reformat pikante të zhvillimit tonë ekonomiko-shoqëror dhe hapat integrues që vendi ka hedhur drejt stukturave euro-atlantike duke filluar me anëtarsimin në KE dhe duke vazhduar më tej me anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, aplikimin për statusit e vendit kandidat në BE, etj. Natyrisht s’ka si të ndodh ndryshe me një politikan, që “…e ka zemrën në kokë”, siç thoshte Napoloni, dhe kokën të mbushur plotë me mendime të mira, siç e do, jo vetëm politika, por edhe zakoni. Kjo është AND-ja e lidershipit perëndimor, që i duhet Shqipërisë, të hedh hapin e fundit tranzitor.

SHKARKO APP