Andrea Stefani,  ky zë që do i mungojë fjalës së lirë

Më shumë padyshim i mungon shoqërisë civile, gazetarisë moderne, publicistikës së zgjedhur. Shumë kanë humbur me vdekjen tënde, por mendoj se fitoj Zoti që diti të zgjedhë dhe këtë herë duke të marrë të gjirin e parajsës, pasi botës së trazuar boll

Nga Besnik Bedollari

I dashur miku ynë Andrea.  I papritur dhe i dhimbshëm lajmi i hidhur për largimin tuaj të parakohshëm dhe të padrejtë nga jeta. Një lajm që shokoi ata teleshikues që të ndiqnin plot pasion në debatet e tua televizive.

Një lajm tronditës për kolegët,  miqtë, shokët dhe padyshim familjarëve të tu. Një goditje e rëndë themeleve të fjalës së lirë dhe të pakompromistë ndaj abuzimeve, mashtrimeve, servilizmit,  poshtërimit,  grabitjes, mospërfilljes, arrogancës që gjithnjë nuk i bëtë dot paqe. Nuk kishte si,  që ndërgjegjja e lartë qytetare që të karakterizonte të pajtohej në asnjë çast me to.  Dashnor i patundur i fjalës së lirë. Korife i ideve evropiane dhe pro interesit mbarë shoqëror. Armik i vendosur i çjerrjes së maskës të korruptuarve dhe hipokritëve. I patundur përballë rrebesheve të politikës infektuese dy dekadë e gjysmë të tranzicionit të lodhur shqiptar.

Do u mungojë fjala jote të mirëve e të këqijve, edhe pse asnjëherë nuk vlerësoje keq.  Atyre që i shaje dhe atyre që i kritikoje keqveprimin  dhe jo personalitetin. Vesin e jo virtytin. Rrugën e gabuar e jo meritën.  Do u mungojë fjala jote veshëve të zënë myk dhe të shurdhët nga arsyeja e paarsyes dhe veshëve të kthjellët që e dëgjonin të krehur mendimin tënd dhe ndoshta hera-herës nuk pajtoheshin plotësisht me fjalët e tua, por gjithsesi ishin ilaç për ta. Pa dëshirën tënde zgjodhe rrugën e largët drejt paqes, të cilën asnjëherë nuk e gjete në debatet dhe opinionet televizive. Të rrëmbente gjithnjë patriotizmi dhe vendosmëria e reales dhe ajo çka i mungon dhe mundon shoqërinë në tërësinë e përditshmërisë. Nuk i fale kompromise asnjëherë politikës shpeshherë mbytëse,  madje ndotëse për publikun shqiptar. E kritikove pa hezituar duke i dhënë leksione pa u kursyer. Sepse e ndjeje se ka shumë  për të bërë kjo çorbë politikanësh sharlatanë, të cilët nuk e kapërdinin dot shuplakën që u jepje me krenarinë e çiltërsisë prej publicisti dhe intelektuali. Sa shumë ka nevojë Shqipëria sot për këta zëra të fuqishëm që nuk mund të korruptohen.

Një pasuri që kurrsesi nuk mund të mbetet arkivave të kohës. Sot ke braktisur me fjalën tënde jo vetëm piedestalin e demokracisë, por atyre që ju pasuroje mendjen me idetë e tua, madje dhe atyre që u thernin thellë ato ide dhe që sot mbeten shterpë në injorancën e vet se nuk u pëlqen të trazohen në sedrën e sëmurë. Atyre që me petkun e injorancës do vazhdojnë të mbeten në moçalen mbytëse dhe interesave vetjake pa një zë që u trazonte qetësinë e akustikës korruptive . Më shumë padyshim i mungon shoqërisë civile, gazetarisë moderne, publicistikës së zgjedhur. Shumë kanë humbur me vdekjen tënde, por mendoj se fitoj Zoti që diti të zgjedhë dhe këtë herë duke të marrë të gjirin e parajsës, pasi botës së trazuar boll i ka lënë të liqtë pa fund në udhëheqjen e verbërisë djallëzore dhe demone. Jemi të detyruar ta pranojmë se je larguar fizikisht, por portreti yt mbetet i patretur dhe i freskët në memorien e njerëzve të thjeshtë dhe të paqtë mbi të gjitha.

Televizioneve në debatet opinioniste,  editorialeve të gazetave, kujtdo që i fale gjithçka pa u kursyer me idetë e tua. Sepse kemi mësuar tashmë që njerëz të tillë nuk vdesin. Nguliten në altarin e kujtesës dhe mbeten muze dhe pasuri e mendimit të çiltër dhe fjalës së lirë. Ndaj nuk mund të themi më tepër që shpirti t’u prehtë në paqe dhe faleminderit qenies suaj që ka ekzistuar.  Injorantët le të lumturohen me humbjen tënde fizike, por le të krenohen intelektualët dhe shoqëria e thjeshtë që u pasurua me lirinë e fjalës tënde të shëndoshë.

SHKARKO APP