Anglezët këndojnë “Marsejezën”?! Kohët paskan ndryshuar

 

Dhimbja dhe solidariteti njerëzor bëjnë atë që askush nuk do ta kishte menduar më parë.

Nesër në mbrëmje, në stadiumin “Wembley” në Londër, anglezët do të këndojnë himnin kombëtar të Francës. Dy superfuqitë e mëdha koloniale të shekujve të shkuar, prej dekadash janë në paqe dhe aleate me njëra-tjetrën, megjithatë armiqësia e dikurshme nuk ka qenë kurrë e shndërruar në simpati apo dashuri, aq sa të këndohej “Marsejeza” në stadium.

Në Luftën e Dytë Botërore, më 6 qershor 1944, mbetur në histori si The D-Day, nga brigjet angleze nisi zbarkimi i aleatëve në Normandi, që nisi çlirimin e Francës e të Europës perëndimore nga nazizmi. Tifozët anglezë nuk kanë harruar kurrë t’ua kujtojnë francezëve, me vargjet e njohur “po të mos ishim ne, ju sot do të ishit gjermanë”, kënduar në stadiume sa herë që janë ndeshur bashkë.

Por nesër do të jetë tjetër muzikë. Anglezët, lojtarë e tifozë, do të këndojnë “Rrëmbeni armët qytetarë, formoni batalionet, marshojmë, marshojmë”.

Federata angleze i ka ftuar të gjithë të këndojnë himnin francez, madje duke ndihmuar shikuesit me tekstin e këngës.

 

SHKARKO APP