Anglia e mbyll në avantazh pjesën e parë, vendos super goli i Trippier (VIDEO)
Anglia ka fituar minimalisht 1-0 në 45 minutat e para ndaj Kroacisë. Ekipi i Southgate e nisi mjaft mirë ndeshjen duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 5-të. Trippier ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë prej 25 metrash, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Subasic.
“Tre luanët” morën zemër nga goli dhe kërcënuan portën e Subasic në dy raste me Meguire, i cili në minutën e 14-t, ishte pranë golit me një goditje me kokë. 5 minuta më pas Kroacia dha kërcënimin e parë në portën e Pickford me një goditje të Perisic nga distanca, por goditja e mesfushorit përfundoi jashtë kuadratit.
Në minutën e 30-të skuadra e Dalic humbi një mundësi të artë me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e cila u ndal mjaft mirë nga portieri anglez. 5 minuta më pas “tre luanët” kërcënuan sërish portën e Subasic, me një goditje të Lingard në hyrje të zonës, e cila për fatin e mirë të kroatëve përfundoi jashtë kuadratit. Me gjithë tentativat e kroatëve për të ndryshua rezultatin, fraksioni i parë u mbyll 1-0 për “Tre Luanët”.