“Anija” Kurum rrezikon bankat me 300 milion euro kredi

Barra e borxheve të Kurum ekspozon ndaj rrezikut një pjesë të bankave tregtare në vend, por edhe institucione financiare ndërkombëtare. Kjo për shkak të kredive në miliona euro që ka marrë kompania, që në shkurt shpalli falimentin.

Sipas të dhënave të bilancit të Kurum për vitin 2014, vlera e borxheve arrin në rreth 300 milionë euro,  gjysma e të cilave rezulton ndaj bankave e institucioneve financiare, ndërsa pjesa tjetër ndaj të tretëve. Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Banka e Detit të Zi, një bankë turke, institucioni holandez FMO dhe 10 banka tregtare ne vend, janë të gjitha të ekspozuara ndaj Kurum.

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, në fund të vitit 2013, ka qenë pjesëmarrëse në një paketë borxhi për Kurum prej 106 milionë eurosh, së bashku me kreditorë të tjerë për privatizimin e katër hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2, Ulza dhe Shkopeti, që kompania i bleu nga qeveria shqiptare për rreth 109 milionë euro në fillim të vitit 2013.

Krahas IFC, borxhi është bashkëfinancuar nga hua paralele nga Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi dhe dy banka tregtare ne vend. Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi, një bankë rajonale ka gjithashtu një ekspozim mbi 30 milionë euro te Kurum për dy kredi të dhëna, në vitin 2011 dhe 2013.

Ndërkaq, deri në muajt e fundit të aktivitetit, mësohet se Kurum ka vijuar të kërkojë kredi në disa banka në vend, duke premtuar garanci koorporative nga kompania mëmë.

Ndërsa është refuzuar nga një pjesë tyre, në tetor 2015, KURUM ka arritur të sigurojë një kredi me vlerë 5 milionë euro nga një prej bankave që operon në Shqipëri, e cila disa ditë më parë, përmes përmbarimit ka depozituar në QKR kërkesën për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga shoqëria. Përveç borxheve te bankat, KURUM ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve.

Një ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vuri ne dijeni komisionin parlamentar të Ekonomisë për rrezikun që ka sistemi bankar nga borxhet e Kurrum, shqetësim i mbështetur edhe nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi në studion e emisionit Ekopolitikë në Ora News.

SHKARKO APP