Anijet gjermane shpëtojnë 200 emigrantë në një varkë druri
Një anije kërkim-shpëtimi e ushtrisë gjermane arriti të shpëtojë mbi 200 emigrantë, që udhëtonin ilegalisht me një varkë druri.
Vetëm një ditë pas fillimit të patrullave mes brigjeve libiane dhe atyre italiane, marina gjermane u sinjalizua përmes një thirrje emergjence nga shërbimi detar në Romë, në të cilën kërkohej ndihmë nga një varkë druri rreth 50 km në veri të Libisë.
Menjëherë një anije luftarake gjermane nisi operacionin e shpëtimit, ku në varkë u zbuluan 224 emigrantë, mes tyre gra dhe vajza.
Varka prej druri ishte nisur nga Libia me destinacion portin e Reggio Calabria në Itali.
Me përmirësimin e kushteve atmosferike, javët e fundit, numri i emigrantëve ilegalë që tentojnë të kalojnë nga Afrika e Veriut për në Itali përmes detit Mesdhe është rritur ndjeshëm, ndërsa vetëm gjatë muajit prill besohet se 900 persona kanë humbur jetën.
Sipas të dhenave zyrtare, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, në ujrat e Mesdheut mbi 1800 vetë kanë humbur jetën teksa kalonin nga Afrika drejt Europës.
Vetëm fundjavën e shkuar mbi 7 mijë emigrantë janë shpëtuar nga rojet bregdetare italiane, ndërsa janë gjetur 10 trupa të pajetë.
Pjesa më e madhe e emigrantëve janë nga Libia, vendi prej vitesh në luftë civile.
Sipas të dhënave të Agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, vetëm në 4 muaj 51 emigrantë kanë hyrë në vendet e Bashkimit Europian nga deti, 30500 prej tyre në Itali.