Anila Basha: Nga pardesytë e bardha, te kravatat e verdha

Placeholder Image

(Botuar me 8 Mars 1998 në KOHA JONE)

Nga Anila Basha

Askush prej politikanëve shqiptarë, ata që deri dje e kanë vënë re se në politikë një veshje e hijshme ka rolin e vet të pazëvendësueshëm, nuk e ka menduar se pas disa vitesh karrierë politike, do t’u duhej të ndryshonin aparencën e tyre, për t’u drejtuar gardërobave tepër luksoze si pallto, kostume, këpucë, kollare, këmisha, shalle, syze, ora, unaza, të cilat gjithsesi ishin të pamundura për xhepat e zbrazur të ’91. Të jesh një politikan i suksesshëm sot, duhet që edhe të vishesh bukur dhe sipas modës. Madje ritmi i ngjitjes në piramidën e politikës shqiptare, ruhet edhe në veshje.

Çdo gjë po ndryshonte me shpejtësi që nga sistemi, ekonomia, çmimet…, por eleganca e atyre viteve kishte mbetur po aty. PD në fillimet e saj u etiketua si“partia e pardesyve të bardha”, sepse që nga “doktori” dhe të tjerët që e ndiqnin, mbanin vetëm pardesy të tilla. Pandeli Majko student në atë periudhë nuk e kishte menduar se një ditë “look”-u i tij do të ndryshonte. Madje pas disa vitesh të krenohej mes parlamentarëve të tjerë se kravata e tij, edhe pse në dukje ka një pamje prej komunisti, (sepse është e kuqe), poshtë në thellësi fshihte simbolin amerikan. Ndoshta edhe Fatos Nanos nuk do t’i kishte vajtur ndërmend se nga socialisti i “paaftë” në radhët e PPSH dhe një njeri që paraqitej me një kostum gri, apo me bluzë të “Bulls”- ave në burg, tani do të vendoste papion në takimet e tij të bujshme. Politikanët shqiptarë, edhe pas shtatë vjetësh, megjithëse e kanë ndryshuar shumë lukun e tyre, gjithsesi mbeten ende larg modës së kancelarive perëndimore. Edhe me veshjen e tyre, ata rrezatojnë ambientet nga kanë dalë dhe korridoret që kanë përshkuar.

Parlamenti i kravatave demode

Megjithëse ka dy vjet që i famshmi Xhiani Versace futi në modë kollaren e verdhë, edhe pse me shumë vonesë, parlamentarët tanë, të sotëm dhe të djeshëm, nuk kanë ngurruar t’i drejtohen së fundi ngjyrës së xhelozisë. Shumica e tyre nuk e bëjnë këtë për të ndjekur modën Versace, por kur ata kanë parë në TV apo në takimet jashtë shtetit, edhe ata u munduan të kombinohen me të verdhë. Tashmë shumica e deputetëve mban kravatë të verdhë të kombinuar me këmishë blu të errët, të bardhë, apo në rastin më të keq me këmishë që nuk i dallohet ngjyra….

Shefi i financave shqiptare, Arben Malaj gjithmonë mban një kravatë të verdhë që e kombinon me një këmishë ngjyrë blu të errët. Të tillë mban shpesh edhe zv. kryeministri Fino. Por ai arrin të kombinohet sipas motit, me ngjyra të çelura në verë dhe të errëta në dimër. Të verdhën e ka me qejf edhe kryetari i komisionit parlamentar për ekonominë Anastas Angjeli. Nuk mbeten pas tyre edhe deputetët e dalë nga shkolla e gazetës “ZP”: Luan Rama, Ardian Myslymi, Erjon Braçe.

Një tjetër ngjyrë e preferuar e kollareve në parlament, është e kuqja me kombinime… Më e theksuar dhe më pak e kombinuar gjendet e veshur tek kryesia që ndodhet në ballore. Skënder Gjinushi e Namik Dokle në shumicën e rasteve preferojnë kollare me ngjyrë të kuqe. Ata nuk japin sqarime, por ndoshta kjo u shkon për shtat kostumeve të tyre me ngjyrë të errët.

Skandal: Te Papa… i zbërthyer

Politikanët lindorë dallojnë si të tillë vetëm nga veshja e tyre. Disa prej normave më të rëndësishme mbi paraqitjen e tyre në pritje dhe në takime të përgjithshme, kokat më të rëndësishme të politikës së këtyre shtatë viteve ende nuk e kanë kuptuar.

Kështu Berisha ndihej shumë i kënaqur se aty nga viti ’92 a ’93 gjatë një vizite në Lindjen e Mesme në krye të një delegacioni shqiptar kishte veshur një xhaketë të zezë me butona metalikë të verdhë dhe pantallonat që kishin një ngjyrë krejt tjetër. Berisha stononte mjaft me politikanët e tjerë me të cilët u takua dhe kjo gjë i ra në sy edhe vetë atij, por gjithsesi “pësimi bëhet mësim”. Look-u i tij ndryshoi shumë në vitet pasardhëse kur Berisha edhe tani që pushton pothuajse çdo ditë ekranin e televizionit, bën një kombinim diçka më ndryshe të kollares me një shami në xhepin e xhaketës dhe gjithmonë preferon të mbajë kostume.

Por “gafa” më e madhe e këtyre viteve kanë qenë prezantimet dhe takimet e tyre zyrtare me personalitete të larta botërore. Vitet e pluralizmit, të gjithë ata që kanë shkuar deri në zyrën e Papës për ta takuar, kanë shkuar me xhaketa të pambërthyera me kopsa. Sikur ata të mos ishin politikanë shqiptarë, nuk do të kishin fatin e tyre të madh që të takoheshin me shenjtërinë e tij, sepse punonjësit e protokollit do t’i kishin ndaluar që në hyrje… Por megjithë paditurinë e tyre, vetëm zemërgjerësia e Papës u ka hapur dyert e selisë së shenjtë.

Mashkulli dallohet nga… femra, biblioteka dhe kollarja

Thuhet shpesh se mashkulli dallohet nga: femra në krah, biblioteka në studio dhe kollarja në qafë. Sikur t’i ketë të tria në rregull është një gentleman i kompletuar, në të kundërt… të paktën për të qenë politikan, nuk vlen dhe aq. Megjithatë në Shqipëri sikur të ecej me këtë teori, do të arrihej në përfundimin që meshkujt shqiptarë nuk janë meshkuj. Jo se nuk kanë femra dhe ndonjë libër në shtëpi, por u mungon kollarja… Më mirë dinë të zgjedhin ata që për një periudhë të gjatë kohe kanë kaluar në perëndim. Por ka edhe nga ata që edhe pse kanë kaluar një kohë të gjatë jashtë shtetit, ende nuk kanë arritur të përmirësojnë veshjet e tyre, ndoshta edhe për shkak të buxhetit.

Zakonisht janë gratë ato që duhet të shikojnë dhe të vlerësojnë, por jo të zgjedhin. Shumica e politikanëve shqiptarë, ngaqë nuk kanë kohë të mjaftueshme për të gjezdisur në dyqanet e reja dhe me vetrata të mëdha që kanë pushtuar trotuaret kryesore të kryeqytetit, dërgojnë gratë… Gjinushi gjithmonë dërgon të shoqen që t’i zgjedhë kostumet kur duhet të blejë diçka të re… Edhe Majko e ka deklaruar publikisht se është e shoqja ajo që ia zgjedh veshjen dhe gardëroba i përket gjinisë femërore. Të njëjtën gjë bën edhe Sali Berisha. Për lookun e tij përgjigjet e shoqja Liria, që më së shumti preferon të kërkojë kollare për bashkëshortin e saj. Edhe Presidentit aktual, veshjen dhe kostumet që duhet të veshë çdo mëngjes ia zgjedh e shoqja, Lidra.

Pavarësisht se kush zgjedh, të paktën këta politikanë kërkojnë diçka të re që t’u përshtatet sipas stinës dhe takimit. Por ka të tjerë, që i sheh përditë me të njëjtën veshje, me ndonjë jelek ngjyrë gri dhe me pantallona terital. Nuk mund të përgjithësohet kjo për ministrat, por për deputetët që janë të prirë për t’i hyrë rëndshëm politikës është tepër e theksuar. Sot mund të shohësh Sabri Godon i cili ruan një veshje karakteristike që prej disa vitesh. Maks Hasani përpiqet që të thotë se është deputet i thjeshtë, e mbi të gjitha një komunist i vërtetë. Atë e tradhton një gjë e vogël: Vila me pishinë, benzi, akuariumi me peshq dhe sera për lulet.

Stafi i deputetëve të PD, përveç Berishës ka mundësi që për një javë rresht ta shohësh me të njëjtën veshje dhe të njëjtin kombinim ngjyrash, pa folur më pas për ata që vijnë nga rrethet dhe që në të shumtën e rasteve nëse nuk i njeh, i ngatërron me njerëz të thjeshtë që rrinë pas hekurave të Kuvendit Popullor për të pritur ndonjë politikan që t’u zgjidhë hallet. Politikanët tanë, ndërmjet tyre edhe qeveritarë, preferojnë çorapet e bardha, madje shumica e tyre mbajnë çorape të shkurtra që nuk kalojnë as pulpën e këmbës. Ata ende nuk e dinë që ka vite që në modë janë çorapet e errëta njëngjyrëshe. Asnjë nga politikanët tanë nuk zbaton parimin e famshëm se “duhet të mbajnë gjithmonë një kostum”. Le të kenë kostume të shumta në numër, por mbajtja e një kostumi tregon rezistencë dhe qëndrueshmëri në politikë. Shumë shpesh kjo shoqërohet me një kollare lisho në ngjyrë, gjë që tek politikanët tanë duket shumë rrallë. Gjithashtu në sallën e parlamentit për politikanët është më e rëndësishme që të vishen me ngjyra të errëta për efekt televizioni.

Ku e blejnë look-un politikanët

Ka kohë që ata kanë zbritur në qendër të kryeqytetit për t’u veshur. Kjo është mënyra më e mirë, në pamundësi të furnizimit të tyre gjatë vizitave zyrtare jashtë. Ka nga ata që preferojnë të marrin disa ditë pushim për të qenë më të plotë në veshje, por nuk mbeten jashtë edhe të tjerë që në Shqipëri i janë drejtuar mallit italian dhe dyqaneve më në zë të kryeqytetit. Pas Pierre Cardin, Valentino, Fierence, Nino Vitali, apo ndonjë tjetër dyqan të “shtrenjtë”, politikanët shqiptarë janë afruar edhe te “Planet Moda”. Sipas shitëseve, të cilat janë edhe njerëzit që mbajnë mend listat, aty vjen Pavli Zëri që preferon mallin më të fundit italian, Ministri Malaj që është i dhënë pas veshjes italiane, Genc Ruli, Luan Rama, Ben Blushi, Maqo Lakrori. Skënder Gjinushi, Tritan Shehu, Ilir Meta, Fatmir Mediu. Elmaz Sherifi (i cili e ka zhdukur prej kohësh xhaketën e tij të kuqe). Nga aty dalin edhe dhuratat për Nanon, apo kanë blerë ose porositur në shumë raste Arben Imami, Gaqo Apostoli… Por sigurisht nuk kanë munguar as intelektualët apo njerëzit e artit si Elvira Diamanti, Kastriot Caushi, Zana Shuteriqi, Ylli Pango dhe mjaft diplomatë të huaj në Tiranë si ambasadori turk, bullgar ai egjiptian, arabë…

Shumë shpesh politikanet bëjnë pazar vetëm, të pashoqëruar nga gratë apo nga syri i femrës. Ndërsa të tjerë preferojnë që të dërgojnë gratë, pa qenë të pranishëm vetë… Në te dyja rastet nuk është aspak normale sepse siç thotë avokati Ngjela, i cili është avokati me tipik në të veshur, “qytetërimi do të vijë nga femra, sepse ajo ka stil në të veshur”.

Ndërsa vetë avokati deklaroi se shumë shpejt do të ndryshojë stilin e tij në veshje, duke iu kthyer stilit londinez, “që është më i miri për një gentleman dhe unë tentoj të jem”. Ndoshta tani është ndër të vetmit që vesh xhaketë që shkon deri në 1000 franga dhe një shall të bardhë që ai e mban zakonisht që kushton 200 dollarë. Ngjela është maniak pas kravatave, për të cilat kujdeset të verë ato më të fundit dhe që i përshtaten me kostumet. Sa herë i duhet të bëjë, pazar merr rrugën për në Romë, për të blerë të preferuarit e tij, Valentino, Pierre Cardin, Canali, kravata Armani, Versace, Cristian Dior, Valentino… duke preferuar të ecë në kërkim të ngjyrës më të re të kravatës.

Fino, që mbahet mend në ditët e para si kryeministër me një kostum të zi me shkëlqim, tani e ka ndryshuar shumë gardërobën. Kur ai blen në Janinë dhe Selanik, së shumti zgjedh kostume të shtrenjta, të gjitha të firmuara “Cartier”. Megjithatë shtati i tij i shkurtër është më i shtrenjti për centimetër linear, sepse mban në dorë orë të florinjtë, syze po me skelet floriri dhe fotokromatike, kollare që shkojnë deri në 200 USD, kostume, këmisha, këpucë, çorape, portofole, çakmakë e cigare, të gjitha të së njëjtës firmë. Çmimi i tij do të kishte pësuar më shumë rritje, në rast se do të mbante veshur edhe pallton, të cilën nuk e ka futur ende në gardërobë.

 

SHKARKO APP