Anila Basha rikthehet si “kamikaze” me “News Bomb”

Tashmë e sheh me një angazhim të ri. Duket sikur gazetarja Anila Basha e ka me pasion “bredhjen” në dyert e redaksive. Po merret me zyrat e reja, me kontratat e gjithçka që pritet ta finalizojë në një agjenci të re lajmesh online, Newsbomb.al. Madje, madje, të krijohet përshtypja se e ka me qejf krijimin e kompanive të reja sikur të ishin lodra. E mandej, e ka të vështirë t’i mbajë.

A është i vërtetë perceptimi se punon fort për të krijuar një media dhe pastaj është e vështirë të punohet me ty? Sepse ky është perceptimi mes kolegësh…

Mund të kenë pjesërisht të drejtë, por nuk mund të jetë një aksiomë kjo, e sapocituara nga ju. Unë çdo punë e marr me pasion, sepse mendoj se edhe vetë gazetaria është pasion në radhë të parë, e mandej vullnet e punë e palodhur. Pas 20 vitesh punë ditë pas dite me lajmin, vendosa të bëja diçka tjetër, por ja që u riktheva sërish me NewsBomb.al.

Do të flasim edhe për portalin tuaj online, por të ndalemi te ajo që ju e konsideruat “diçka tjetër” dhe që besoj i referoheni kandidimit tuaj për kreun e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). U zhgënjyet që nuk u zgjodhët në krye të këtij institucioni?

U zhgënjeva unë? Mendoj se u zhgënjye opinioni publik. Duhet të zhgënjeheshin edhe rreth 1000 punëtorët e industrisë së medias, të cilët menduan në një moment se mazhoranca e re e kishte seriozisht çështjen e institucioneve të pavarura, aq më tepër të një institucioni që merret direkt me median. Unë hyra në një garë që e konsiderova garë të vërtetë, duke menduar se pas 24 vitesh tranzicion, kishte ardhur koha t’i merrnim seriozisht konkurrimet. Garat krijojnë emocione, kërkojnë përgatitje, janë edhe një sfidë me veten dhe të tjerët. Menjëherë pas votimit në parlament, publikisht në faqen time në Facebook, falenderova 20 deputetët që dhanë votën pro për emrin tim, dhe ata 10 deputete që abstenuan. Në një parlament ku në sallë ishin 80 deputetë, të marrësh 30 vota kur vendimi politik i mazhorancës është ndryshe, nuk janë pak. Kështu që ndihem e vlerësuar në këtë aspekt.

Por 30 votat nuk mjaftuan për të drejtuar institucionin. Dhe dihet se në këto lloj postesh ka edhe negociata politike…

Padyshim. Kur u hap gara për kreun e ri të AMA, unë dorëzova aplikimin tim. Nga fundi i korrikut besoj se ishte prezantimi i parë përpara Komisionit Parlamentar të Medias, vetëm me deputetët e mazhorancës (ndërkohë që opozita e kishte bojkotuar Kuvendin). Në korridoret e kryesisë së Kuvendit, gjatë bisedave me deputetë, shumëkush prej tyre më thoshte “sa mirë që nuk është opozita”; ndërkohë që unë do të doja të kundërtën. Duke qenë se në prezantimin e parë, isha e vetmja kandidate që kisha depozituar për anëtarët e komisionit dhe në protokollin e parlamentit një platformë të qartë, dhe një përgatitje serioze, ndihesha shumë e sigurt me veten, por edhe me sfidën që më priste e që po e kërkoja me ngulm. Pati zëra kolegësh që më shkruan SMS e më thoshin se kisha hyrë me plan, në atë garë, pra që dikush tjetër do të zgjidhej, por që unë konkurroja për ta bërë serioz procesin. Padyshim kjo ishte një gënjeshtër e madhe. Që në fillim u regjistrova seriozisht dhe seriozisht e përfundova deri të mërkurën në darkë, një ditë para votimit të së enjtes, kur më dhanë lajmin se mazhoranca kishte vendosur të votonte në krye të institucionit një tjetër kandidat që ishte gjerësisht i përfolur në media për lidhjet e tij me një nga operatorët audiovizivë në vend.

Ndërkohë ju vetë, nuk hytë në negociata? Pra nuk u bëtë pjesë e tyre?

Po, sigurisht që po. Pas prezantimit tim të parë në komisionin e medias, sikurse bëhet e qartë edhe nga procesverbali prej 25 faqesh i asaj mbledhje, të gjithë deputetët e komisionit pa përjashtim dhe dukshëm pa rezerva, shprehën mbështetjen për platformën time. Gjatë komunikimit telefonik me kryetarin e komanduar të komisionit (sepse komisionin e drejtonte opozita, por zoti Pollo nuk ishte në Parlament), ai pra, kryetari, më shprehu vlerësimin maksimal për platformën dhe kandidaturën time. “Je më e mira”, më tha. Gjatë muajit gusht e shtator mazhoranca po nxitonte për ta zgjidhur çështjen e AMA. Ndaj, u kërkua edhe një dalje e dytë publike e katër kandidatëve që ishin paraqitur më mirë në prezantimin e parë. Kjo u bë, për t’u krijuar akses atyre që nuk kishin paraqitur një platformë, që të uleshin dhe të shkruanin dy gisht letër e ta dorëzonin. Dalja e dytë në komisionin e medias, ishte live, në sy të të gjithë shqiptarëve. Procesverbali i mbledhjes për të gjithë ata që e kanë harruar, është i zbardhur. Deputetët shtuan vlerësimet e tyre për kandidaturën time, ndërkohë që dosjes, i kisha shtuar vlerësimet dhe rekomandimet e shumë prej kolegëve me të cilët kisha punuar për një kohë të gjatë, dhe ma njihnin pasionin. Emrat e Nikollë Lesit, Besnik Mustafajt, Enton Abilekajt, Afrim Krasniqit, Andi Telës, Gjergj Bojaxhiut, Armand Shkullakut, Blendi Fevziut, Fatos Baxhakut, Aleksandër Çipës etj, ishin një vlerë e shtuar në dosjen dhe platformën time. Mungonte vetëm një vlerësim i Carlo Bollinos, gazetarit me të cilin punova prej më shumë se një dekade.

Po pse? Nuk e kërkuat?

Pse,-ja duhet të marrë përgjigje nga vetë Karlo. Unë, me mendjen time, kam bërë një analizë. Mendoj se Karlo duke qenë më afër mazhorancës, e dinte se AMA do t’i shkonte favor një kompanie tjetër. Ose ka qenë shumë i zënë me punët e biznesit, nga Bunkart te Palmat e autostradës, për të mos u marrë me gjëra kaq dytësore siç mund të jetë kthyer në fakt gazetaria (për të). Padyshim që mua më preku mungesa e një vlerësimi nga ana e tij. Për aq kohë sa punuam bashkë (dhe ku i dihet në jetë), kisha mësuar shumë gjëra prej tij. Ecejaket Tiranë-Bari kanë qenë një ndihmesë e madhe. Sugjerimet e tij kur unë shkova në Afganistan kanë qenë të vlefshme. Mënyra e ndërtimit të gazetës, sidomos shqiptarja.com që filloi nga zero, dhe ngulmimi i tij i vazhdueshëm, më shtynin gjithmonë më përpara. Një anë pozitive, që ia çmoj vërtet.   

Po me opozitën nuk komunikuat?

Sigurisht që po. Me zotin Pollo, të cilit i dërgova platformën time, duke i kërkuar që edhe pse ishin jashtë parlamentit, ta shihte dhe të mos hezitonte të më pyeste. Pas votimit në parlament, pata një komunikim telefonik me të. Zoti Pollo më tha se moralisht, nëpërmjet dy konferencave për shtyp, opozita, i kishte skualifikuar dy kandidatë, pra njëri që ishte i lidhur me një nga operatorët audivizivë, dhe tjetri që ishte përfshirë në marrjen e reklamave shtetërore. Dhe nëse mazhoranca do ishte treguar luajale, do të duhet të zgjidhte mes dy kandidaturave të mbetura. Ekzistonte gjithmonë përshtypja se unë isha “e majtë”. Kurrë nuk e kam kuptuar këtë perceptim. Unë nuk mbaj teserën e ndonjë partie, dhe gazetari është kritik me qeverinë. D.m.th, tani që kritikoj mazhorancën aktuale, jam bërë e djathtë? E të mendosh, që ky perceptim vjen më së shumti nga kolegë, për t’u përçuar më pas në opinionin publik. Por, tanimë AMA është një proces i harruar. Le t’i lëmë kohë të shohim sesi do të ecë institucioni, që ka një sfidë shumë madhore, digjitalizimi në qershorin e këtij viti.

Dhe për pak do të shohim newsbomb.al. Pse ky emër? Ke vendosur të bësh vetëm lajme bombë?

Është i huazuar, por më duket shumë aktual edhe për “bombat” tona këtu në Shqipëri. Gjithë bota po drejtohet te media online. Shtypi i shkruar ka kosto, ka rënë shumë edhe publiciteti. Njerëzit duan ta marrin informacionin thjesht, shkurt e shpejt. Këtë e garanton media online. Do të jetë një faqe e ndërtuar thjesht, komode për ta hapur edhe nga aparatet tuaj celularë, dhe do të jetë një faqe me një gamë të zgjeruar informacioni. Do të bëjmë kujdes te komentet që vijnë nga qytetarët, të cilat më parë duhet të jenë të kontrolluara. Jo çdo gjë që shkruhet mund të botohet. Mediat ndërkombëtare, kanë filluar tashmë t’i shmangin komentet e qytetareve. Por mendoj se në Shqipëri ka akoma “uri” për të thënë disa të vërteta.

E mandej, edhe më shumë informacion. Duket se media në Shqipëri është shtrënguar shumë. Disa prej mbështetjes së qeverisë, e të tjerat se duan ta kenë mirë me qeverinë për të marrë fonde. Nuk dolëm e nuk dolëm dot nga kjo situatë. E shoh veten që përpiqem të gjej informacione se çfarë ndodh vërdallë vetëm tek Balkanweb, te lapsi.al apo tel pol-al.com. Të shoh anën tjetër të lajmeve që na bëhen publike me regji qendrore. Se, sikurse mund ta keni vërejtur edhe ju, këto aktivitetet me regji qendrore, kanë nxjerrë pa punë gazetarë, operatorë, apo montazhierë. Na serviren vetëm informacione që duan zyrtarët apo parlamentarët që të na serviren. Pjesa tjetër, heshtje totale. Ndaj do të përpiqem të shkruaj, të pashkruarat nga mediat. Koha do të tregojë sesi do të ecë kjo sipërmarrje e re e imja.  E sigurt jam për një gjë: që do të bëjë zhurmë, madje, shumë zhurmë.

Ku e ke këtë garanci?

Përveçse tek pamundësia e të tjerëve për të thënë disa të vërteta, edhe tek fakti se ky është një vit zgjedhor. Shqipëria do të gëlojë nga informacioni. Do të duhet ti orientojmë qytetarët më mirë se për kë duhet të votojnë e kë duhet të zgjedhin. Do jetë një proces i vështirë, por jo i pamundur. Do të ketë analiza e sondazhe. Një barometër që do të masë punën e gjithsecilit. Do të ketë fokusim te media sociale, Facebook e Twitter, aty ku kemi parë gjithë zyrtarët të fokusohen. Duket se i kanë shmangur zyrat e marrëdhënieve me publikun, për t’u bërë vetë edhe zëdhënës, edhe qeveritarë, edhe administratorë. Vetëm në Shqipëri ndodh që një njeri di ti bëjë të gjitha. Andaj, le tua shohim pak performancën për të parë sesa të suksesshëm janë. Newsbomb.al, që nga fundi I janarit, do të jetë një realitet për të gjithë. 

SHKARKO APP