Anti-informaliteti, Financat autorizojnë kontroll të kontrollit
Në një material konfidencial që ka siguruar Monitor, Ministria e Financave orienton tatimet se, duhet të bëhet rikontrolli i kontrolleve të ushtruara ndër biznese që nga muaji shtator…
Verifikimet në terren të bëra nga 500 tatimorët e rinj të punësuar me kontratë të përkohshme nga tatimet do të kontrollohen nga një grup tjetër tatimorësh. Në një material konfidencial që ka siguruar Monitor, Ministria e Financave orienton tatimet se, duhet të bëhet rikontrolli i kontrolleve të ushtruara ndër biznese që nga muaji shtator.
“Rikontrolli është një fazë e rëndësishme për të verifikuar punën e bërë në terren nga grupet e kontrollit të deritanishëm (“500” dhe “Aksioni”) por edhe nga inspektorët tatimorë në terren. Duke qenë një fazë delikate, e cila nuk ka të bëjë me biznesin në kuptimin e kontrollit të tij, por të verifikimit të dy kontrolleve të mëparshme, është e rekomandueshme që punonjësit që do të përdoren për këtë fazë të jenë të rinj, në kuptimin jo të përdorur për kontroll nga “500” dhe “Aksioni” sugjeron Ministria e Financave për tatimet.
Duke qenë punonjës të rinj, kanë nevojë për trajnim. Trajnimi të kryhet në periudhë një ose dy ditë, për të gjithë, duke përdorur trajnues nga DPT. Këta punonjës mund të jenë në varësi të DPT ose MF. Për këtë vlen propozimi nga DPT për t’u konsideruar, sugjeron MF.
Ka shumë rëndësi të vendoset se mbi ç’baza do të kryhet ky rikontroll. MF sugjeron të jetë mbi bazë risku duke vlerësuar rezultatet në data base të aplikacionit “Zelanda” dhe “Lokali”. MF është treguar e hapur për çdo sugjerim tjetër që mund të vijë nga DPT.
“Në rikontroll duhet vendosur se, çfarë do të kontrollohet. Kjo do të thotë se do kontrollohen të gjithë elementët që kanë qenë objekt i dy kontrolleve të mëparshëm apo do të merren elementë të veçantë për verifikim (për shembull, NIPT-i, kasa, punonjësit e deklaruar, lista e çmimeve)? DPT duhet ta standardizojë objektin e rikontrollit dhe kjo të jetë pjesë e trajnimit” ka orientuar MF, tatimet
Nga pikëpamja organizative duhet zgjidhur numri i punonjësve në një grup. MF rekomandon dy punonjës, duke I lejuar DPT të bëjë propozim se si e mendon.
“Meqenëse ky është një rikontroll dhe do të na duhet të regjistrojmë gjetjet e tij, DPT duhet të vendosë se cilin aplikacion do të mbajmë: “Zelanda” apo “Lokali”? Nëse do të na duhet “Zelanda”, atëherë duhet të shikojmë mundësinë e kryerjes së pagesës dhe mbulimit të shpenzimit. Por, pavarësisht aplikacionit të zgjedhur, çdo grup duhet të pajiset me mjetin përkatës (tabletë, laptop) për të kryer raportimin në kohë reale” thuhet në materialin konfidencial.
Për faktin se rikontrolli do të kryhet në terren, aty ku janë kryer edhe dy kontrollet e para, nevoja e përfshirjes së drejtorive tatimore rajonale është e pashmangshme. DPT duhet të sigurojë bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e këtyre drejtorive në mbarëvajtjen e kësaj faze dhe në mbështetjen e grupeve të rikontrollit, sugjeron Ministria e Financave./Monitor