Arratisje e sipërmarrjeve nga Greqia

 

Programet e kursimit, kontrollet e kapitalit dhe taksat e larta po detyrojnë shumë kompani greke të dalin jashtë vendit. Vende të preferuara janë Bullgaria dhe Qiproja.

Shifrat që përmendi kohët e fundit në gazetën "Ta Nea" Savas Robolis, drejtor i "Institutit për punë" në Athinë, institut i afërt me sindikatat, tingëllojnë alarmuese. Nga gati njëmbëdhjetë milionë grekë janë në në punë vetëm 3,6 milionë. Rreth 3,9 milionë janë të papunë apo në pension. Greqia po bëhet vendi i të papunëve dhe i pensionistëve. Kjo ndoshta lidhet edhe me faktin se gjithnjë e më shumë sipërmarrës po heqin dorë nga biznesi apo po largohen nga vendi, duke shkaktuar mbylljen e dhjetëra-mijëra vendeve pune.

Shoqata greke e tregitës me pakicë ESEE tërheq vëmendjen për një arratisje të vërtetë të kompanive. Që prej verës më shumë se 60.000 sipëmarrje greke kanë kërkuar një numër identifikimi fiskal në Bullgari dhe i kanë zhvedosur veprimtaritë e tyre ekonomike pjesërisht ose plotësisht atje, thotë kryetari i ESEE-së Vasilis Korkidis për gazetën Kathimerini. Rreth 10.000 pronarë kompanish të tjera po zhvendosen për në Qipro, thotë Korkidis.

Vasilis Korkidis

Vasilis Korkidis

Mbyllja e përkohëshme e bankave dhe futja e regjimit të kontrollit të kapitalit e kanë ashpërsuar problemin, njofton rrjeti Endeavour Greece. Meqë Greqia është mjaft e varur prej eksporteve shumë sipërmarrje e kanë ndjerë veten në rrezik pas futjes së kontrolleve të kapitalit, thotë Anna Zilakou zëdhënëse eEndeavour Greece në bisedë me DW. Ajo sjell si shembull firmat që prodhojnë pije freskuese. Vërtet që lënda e parë për pijet prodhohet në Greqi, por ato duhet të importojnë paketimet dhe duhet t'i pagujanë ato nga Athina dhe kjo është e pamundur prej kufizimit të qarkullimit të kapitalit.

Arratisje prej burokracisë dhe politikës fiskale

Firmat greke përpiqen të largohen edhe për shkak të burokracisë dhe të politikës fiskale. Problemi është se ligjet për taksat ndryshohen vazhdimisht dhe kjo ua vështirëson sipërmarrjeve planifikimin financiar afatgjatë, thotë Zilakou.

Avokatja Olga Dimopoulou thotë për DW-në se pas futjes së regjimit të kontrollit të kapitalit në Gjermani apo Itali kanë mbetur në rrugë mjaft kamionë, sepse sipërmarrjet nuk kishin mundësi të bënin transferta bankare. Por sipërmarrjet që nuk duan apo nuk janë në gjendje ta zhvedosin selinë e firmave nga Greqia, kanë mundësi të hapin një llogari bankare jashtë Greqisë. p.sh. në Gjermani, sqaron Olga Dimopoulou.

Shifra alarmuese në anketime

Edhe pse politikanët që qeverisin në Athinë deklarojnë ndryshe, regjimi i kontrollit të kapitalit në Greqi do të vazhdojë të jetë në fuqi deri nga mesi i vitit 2016. Pakënaqësia për këtë reflektohet edhe në anketimet e fundit të botuara në gazetën To Vima, e para pas zgjedhjeve parlamentare në shtator. Sipas saj partia në pushtet Syriza do të merrte sot vetëm 18.4 për qind të votave, ndërsa opozita konservatore me 14.9 për qind. Të dyja këto janë shifra alarmuese dhe tepër të ulta. Në këtë mënyrë dy partitë e mëdha kanë humbur tashmë gjysmën e votuesve të tyre brenda vetëm dy muaj pas votimeve.

SHKARKO APP