Arrestimi i avokatit Barjami pas debatit në gjyq, reagon Gjykata e Elbasanit

Deklaratë për shtyp nga Gjykata e Elbasanit

“Mbi ndalimin e avokatit pas procesit të zhvilluar në gjykatë”

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan shpreh keqardhje për
shqetësimin e krijuar në opinionin publik dhe në komunitetin e avokatisë, lidhur me ndalimin e
avokatit Ulian Barjami, të kryer më datë 18.10.2025. Gjykata vlerëson rolin e pazëvendësueshëm
të avokatit në procesin gjyqësor dhe është e angazhuar për të ruajtur marrëdhënie bashkëpunimi
dhe respekti reciprok ndërmjet të gjithë aktorëve të drejtësisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjykata sqaron se ndalimi i avokatit nuk është kryer në mjediset e saj dhe nuk lidhet me ndonjë
vendimmarrje gjyqësore. Prokuroria e ka vlerësuar këtë ndalim si të paligjshëm dhe gjykatës nuk
i është paraqitur asnjë kërkesë për shqyrtim mbi këtë ngjarje.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më datë 17.10.2025, u zhvillua seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë dhe
caktimin e masave të sigurimit për 14 persona, ndër ta një i mitur. Avokati Ulian Barjami ishte i
pranishëm si mbrojtës i të ndaluarit M. S. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati mbi
gjashtë orë; procesverbali audio-video i’u vu në dispozicion organit procedues pas kërkesës me
shkrim të paraqitur nga ana e tyre. Duke qenë se seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, gjykata
nënvizon rëndësinë e informimit të kujdesshëm dhe korrekt për ruajtjen e privatësisë së të miturve
dhe të drejtave të palëve. Theksojmë se publikimi i pjesshëm i një regjistrimi të gjatë nuk pasqyron
domosdoshmërisht tërësinë e debatit procedural mes palëve.

Gjykata dënon parimisht çdo formë ndërhyrjeje, presioni apo intimidimi ndaj aktorëve të drejtësisë
— gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe çdo subjekt tjetër procedural — dhe rithekson se avokatët janë
partnerë të drejtësisë dhe mbrojtës të domosdoshëm të të drejtave të qytetarëve.
Në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), përfshirë
çështjen Nikula kundër Finlandës, gjykata nënvizon se respekti ndaj lirisë së shprehjes së avokatit
gjatë ushtrimit të funksioneve të tij është një element thelbësor i procesit të drejtë gjyqësor. Këto
standarde janë udhërrëfyes për gjykatat shqiptare në ruajtjen e balancës midis autoritetit të gjykatës
dhe të drejtës së mbrojtjes.

Gjykata garanton se çdo çështje, që paraqitet për shqyrtim do të vijojë të trajtohet me paanësi dhe
në përputhje me ligjin; nxit komunikimin e matur dhe profesional të të gjithë pjesëmarrësve në
proces; dhe fton median të informojë publikun me saktësi mbi zhvillimet procedurale, duke
respektuar kufizimet ligjore për seancat me dyer të mbyllura dhe mbrojtjen e të miturve.
Gjykata do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe
institucionet e tjera të drejtësisë për të forcuar respektin e ndërsjellë, integritetin profesional dhe
besimin e qytetarëve te drejtësia. Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj,

GJYKATA E SHKALLЁS SЁ PARЁ
E JURIDIKSIONIT TЁ PЁRGJITHSHЁM ELBASAN

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?