Arsimi, ndërhyrjet në kuota e tarifa përmirësuan situatën
Ndërhyrjet e ministrisë së Arsimit në kuotat dhe tarifat e arsimit të lartë në vendin tonë, kanë qenë jo vetëm të konsultuara, por kanë rezultuar edhe ndërhyrje efikase që kanë përmirësuar, ndër të tjera edhe raportin pedagog-student. Një fakt i tillë rezulton nga prezantimi i masave të marra në arsimin e lartë për vitin akademik 2014-2015 prej ministrisë së Arsimit. Teksa ekspertët më të mirë të çështjeve ligjore dhe të arsimit të lartë po punojnë për të draftuar ligjin e ri të arsimit të lartë. “Po me aq përgjegjësi ju garantoj se ajo që po ndodh në realitet në institucionet e arsimit të lartë, është rruga e duhur që ligji i ri i arsimit të lartë të gjejë shtratin e nevojshme për të pasur sukses. Një ligj i mirë do të ketë rezultatet e veta, me institucionet që u kthyen në shinat e ligjshmërisë, me ato institucione të arsimit të lartë që do të vijojnë pas procesit të akreditimit nga agjencia britanike, me të cilën së shpejti firmoset fillimi i punës. Javën që vjen do të jetë e pranishme Agjencia Britanike e Akredimit, e cila do të bëjë edhe vlerësimin cilësor të universiteteve”, ka pohuar lidhur me një fakt të tillë dy ditë më parë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjithashtu, ligji do të ketë sukses me kuotat dhe tarifat e studiuara mirë, me një Këshill të ri Akreditimi, etj”, tha mes të tjerash ministrja Nikolla. Ndërsa në lidhje me tarifat, ajo tha se rritja e tyre është e bazuar pikërisht në kërkesën e universiteteve dhe se është në respekt të autonomisë së tyre. Por nuk duhen harruar kurrsesi sipas saj se janë 8.655 studentë që vijnë nga shtresa në nevojë dhe janë 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit që shkojnë për arsimin e këtyre grupeve. Por as edhe 6000 studentë me një buxhet prej 410 milionë lekësh i cili mundëson bursat e ekselencës. Nga ana tjetër, ministrja Nikolla iu përgjigj edhe kërkesave të studentëve, të cilët i kanë drejtuar një peticion qeverisë. Pikërisht, në lidhje me një prej kërkesave të tyre për anulimin e pagesës prej 30% të tarifës që në fillim të vitit akademik, ajo deklaroi se bëhet fjalë për një pagesë prej 7.990 lekësh për studimet Bachelor dhe 18.738 lekë për Masterin Profesional e 25.000 lekë për Masterin Shkencor. “Kjo pagesë bën të mundur përdorimin e këtyre fondeve që në fillim të vitit nga IAL-të, për t’i dalë përpara gjithë situatave të procesit të mësimdhënies dhe për të bërë në kohën e duhur gjithë ndërhyrjet që garantojnë cilësinë e mësimdhënies në auditorë”, tha ministrja Nikolla. Duke përfunduar se transparenca, gjithëpërfshirja dhe llogaridhënia janë tejet të rëndësishme për arsimin shqiptar.
DEKLARATA
“Më parë, nuk ka pasur lidhje mes tregut të punës dhe arsimit. Rigjenerimi i arsimit të lartë nisi nga matura shteterore, nga mbyllja e universiteteve që nuk jepnin asnjë kontribut përvecse mernin para nga të rinjtë”.