Arta Marku, gazetarja që nisi rrugëtimin në “Koha Jonë”, sot merr detyrën e kreut të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit
Nga Albert Vataj
Permes një publikimi të bërë në mediat sociale, Blendi Gonxhja ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, njofton për emërimit të gazetares Arta Marku si kreu i Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Në një kohë kur libri përballet me sfida të shumëfishta, nga shpërqendrimi digjital te rrudhosja e hapësirave të leximit të thellë, emërimi i Arta Marku në krye të Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vjen si një akt që mbart më shumë se një vendimmarrje administrative: është një sinjal i qartë për rikthimin e vëmendjes te fjala, te mendimi dhe te kultura si themel i vetëdijes shoqërore.
E formuar dhe e rritur profesionalisht në një prej periudhave më dinamike të shtypit shqiptar, ajo e nisi rrugëtimin në vitin 1993 me “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në disa nga organet më përfaqësuese të medias së shkruar, si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”. Në këtë itinerar të gjatë, Arta Marku nuk ishte thjesht një kronikane e librit, por një ndërmjetëse e ndjeshme mes tekstit dhe lexuesit, një zë që i dha kritikës letrare jo vetëm hapësirë, por edhe dinjitet.
Kontributi i saj si kryeredaktore në revista kulturore dhe si autore emisionesh si “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana dëshmon për një përkushtim të vazhdueshëm ndaj kultivimit të shijes letrare dhe zgjerimit të horizontit kulturor. Në një realitet ku leximi shpesh mbetet një akt individual dhe i heshtur, nisma të tilla si “AGORA” kanë krijuar mundësi që libri të dalë nga vetmia e raftit dhe të bëhet pjesë e një dialogu të gjallë publik.
Ky emërim nuk është thjesht një vijimësi karriere, por një përgjegjësi që kërkon vizion, kurajë dhe një ndjenjë të hollë të kohës. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është sot më shumë se një institucion: ajo është një nyje ku ndërthuren politikat kulturore, edukimi estetik dhe raporti i shoqërisë me dijen. Në këtë kuptim, përvoja e gjatë e Arta Markut në promovimin e leximit, angazhimi i saj me të rinjtë dhe pjesëmarrja në procese vlerësimi letrar e bëjnë atë një zgjedhje që premton jo vetëm administrim, por edhe frymëzim.
Në këtë moment kalimi, një mirënjohje e merituar i shkon edhe Esmeralda Bardhyli, për kontributin e saj të çmuar në drejtimin e këtij institucioni, duke ndërtuar ura të rëndësishme mes librit dhe publikut.
Sepse, në fund, sfida nuk është thjesht të botojmë më shumë libra, por të krijojmë më shumë lexues. Dhe kjo është një mision që kërkon jo vetëm politika, por pasion; jo vetëm struktura, por shpirt. Në këtë udhëkryq të nevojshëm, prania e Arta Markut në krye të këtij institucioni mund të lexohet si një mundësi për ta rikthyer librin aty ku i takon: në qendër të jetës sonë kulturore dhe qytetare.
KOHA JONË SONDAZH

