Artan Fuga: Për ku u nisëm, e ku bitisëm!

 

Nga Artan Fuga

U nisëm për demokraci, Europë, mirëqënie, individ të fortë, shtet ligjor dhe shoqëri me investime e kulturë të lartë.

Dihet ku jemi, kemi vetëm pluralizëm partish që ndajnë tortën e pushtetit me njera tjetrën, një çap tortë ti, një unë, kemi ngec në baltrat e Ballkanit, varfëri, individ i dobët shpesh mjeran, pa investime dhe në varfëri ku edhe brekët i blejnë te Gabi, të përdorura.

Aman o Zot!

Pse u nisëm për vend tjetër dhe përfunduam diku gjetkë si ata pijanecët që humbin rrugën kur dalin nga pijetorja për të vajtur në shtëpi dhe përfundomë në bordello?

Histori e gjatë.

E para sepse në vitin 1991 kur u nisëm mjaft gjëra nuk i dinim. Kujtonim se pluralizmi ishte i barabartë me demokraci, kurse në fakt nuk është kështu fare. Edhe ne Mesjetë kur dy princër luftonin me njeri tjetrin, kjo nuk i bënte bujkrobërit njerëz të lirë.

Pastaj ca gjëra i perceptonim gabim gjatë viteve. Kujtuam se pavarësimi i Kosovës do të sillte bashkim kombëtar, kurse në fakt Kosova nuk u çlirua brenda një kuadri nacionalist, por brenda një kuadri të të drejtave të njeriut, pra fuzioni i pjesëve të Shqipërisë ka ngec në baltë.

Më tej, nuk e kuptonim se kush ishim. Nën diktaturë na dukej vetja se vetëm pak liri dhe do të bënim gjithçka për përparimin e vendit. Por, jo, dolëm egoistë që mendojmë veêm për vete, si të korruptojmë dhe ta plaçkisim tjetrin.

Kohën ndryshuan në mënyrë të papritur në botë. Bota perëndimore ra në krizë financiare dhe as investime kemi dhe as gjë prej gjëje. Kemi ngel pa brekë.

Madje bota ka hyrë në luftra dhe prandaj edhe vetë ideja se do të jetonim në paqe pa na vajt mendja te bunkeri për të fut kokën ka filluar të na duket si shumë optimiste dhe e paarritshme.

Ligji ra në dorë të Maliqit.

Shihni se vetë ishin në byronë politike që vendosnin për ne, dhe sa vetë janë sot që vendosin për fatet tona. As më shumë se katër persona. I pesti u ndez vetëm cigaret katër të parëve.

As zgjedhje të lira nuk kemi.

Me një fjalë jemi aty ku ishim tridhjet vjet përpara, në thelb, 300 vjet përpara, 3000 vjet dikur. Nuk thoshte kot ai i poshtri se revolucionet nuk ndryshojnë jetën dhe shtetin, por ndryshojnë vetëm fjalët me të cilat ne quajmë të njejtat realitete.

U nisëm për në Mekë përfunduam në Brrakë.

Se mos vetëm brezit tonë i ka ngjarë. Ismail Beu që e donte Shqipërinë të mosvarme (jo të pavarur) pas ca muajsh kërciti e iku e ja la Princit të huaj, Shqipëria përsëri protektorat.

Zogu u nis për President dhe mbaroi Monark.

Nacionalistët shqiptarë të viteve 40, u nisëm për nacionalista dhe përfunduan nazista.

Komunistat u nisëm për të krijuar bollëkun dhe përpak na vdiqën për bukë e na vdiqën në dru.

Sot u nisëm për Europë dhe jemi si në Arnautlluk, ku thërret qameti, të lagur, kemi ftohtë, me diabet, vesh me gab jo me gub, shqiptarit i është mërzit Shqipëria dhe veç ikën e ikën, si patriot i thyem.

Historia na shpëton nga duart, e bëjmë pa e njohur ose njohur keq, nuk dihet se ku nisem e ku bitisemi. Nisemi të zgjedhim personalitete dhe gdhihemi edhe me ca mashtruesa ordinerë e tyryfyla që na drejtojnë, na flasin për kulturë, shkencë, ekonomi, arsim.

Kombi është si femra thoshte një me mjekër, edhe një qytet them unë, një moment dobësie dhe horri i parë që e mbërthen e zhvesh dhe e përdhunon…

Kape kokën me duar dhe qaj!

Pasi të qash, qesh! Dhe pasi të qeshësh zgjohu nga ëndërra. Shih ëndërr se je zgjuar nga ëndëra pas ke qarëqesh.

Hajdeni në vete, ka përsëri shanse të zgjohemi.

SHKARKO APP