Ashpërsohen ndëshkimet ndaj biznesit, 3 vite burg për evazion fiskal

Bizneset që nuk deklarojnë punonjësit dhe ato që ushtrojnë aktivitete të paregjistruara në organet tatimore do të dënohen deri në 3 vite burg. Qeveria ka dërguar në Parlament një draft, i cili amendon Kodin Penal, duke ashpërsuar masat ndëshkuese për veprën e evazionit.

Ndryshimet më të forta janë ato në nenin 180 të kodit aktual, i cili flet për fshehjen e detyrimeve tatimore. Në fakt, fshehja e taksave, pasi janë marrë më parë masat administrative, konsiderohet si vepër penale edhe aktualisht. Por, kodi ekzistues lë hapsirë që tatimpaguesi, biznes apo individ qoftë, të dënohet me gjobë deri në dy vite heqje lirie. Me draftin e ri hiqet mundësia e gjobës dhe kjo shkelje do të dënohet automatikisht vetëm me burg, deri në dy vite.

Veç kësaj, në të njëjtin nen, drafti i ri shton një pargraf të posaçëm, i cili klasifikon si vepër penale edhe 4 shkelje të tjera tatimore, të cilat janë: ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm, mosregjistrimi në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve dhe moslëshimi i kuponit tatimor. Të katërta këto shkelje do të dënohen deri në 3 vite heqje lirie.

Nga ana tjetër, punonjësit e organeve fiskale, të cilët nuk kryejnë detyrën, që lidhet me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve, do të dënohen deri në 7 vite burgim, pavarësisht shumës së dëmit.

Por, veç taksave, Kodi i ri Penal ashpërson dënimet edhe për bizneset që tregtojnë naftë apo benzinë, jashtë standardeve të cilësisë. Sipas draftit, tregtimi dhe hedhja për konsum e nënprodukteve të falsifikuara të naftës do të dënohet me 5 vite burg.

Në themel, të gjitha ndryshimet në projektligjin për Kodin Penal, që qeveria ka dërguar në Parlament, forcojnë masat kundër informalitetit, kontrabandës, tregtimit të paligjshëm të ilaçeve dhe karburanteve. Këto ndryshime vijnë në një kohë, kur qeveria është duke drejtuar një operacion kombëtar kundër informalitetit, i cili ka përfshirë taksat, energjetikën, por edhe mjekësinë.

SHKARKO APP