Askush nuk e besoi!

 

Nga Mero Baze

Njëzetë e dy të vrarë dhe dhjetra të plagosur, është bilanci i një aventure politike të Nikolla Gruevskit për tu mbushur mendjen maqedonasve se janë të rrezikuar nga një grup kriminal shqiptar i ardhur nga Kosova. Ky bilanc ngjan i rëndë pikësëpari, se u pagua një çmim shumë i lartë për të mos u besuar skenari i Gruevskit. Në një rrethanë tjetër të besueshme për konflikt mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ishte nevoja të vriteshin 22 persona, por nëse dikush do qëllonte me pëllmbë dikë, apo do ta shikonte vëngër do të niste lufta. Gruevskit iu desh të vriste 22 vet, për t’iu besuar kauza e tij e madhe nacionaliste dhe askush nuk e besoi. Nuk e besuan as maqedonasit, as shqiptarët. Kjo është realisht e vetmja gjë pozitive në këtë masakër, që tentoi të kthejë rrjedhën e historisë politike të Gruveskit, e cila duket se po shkon drejt humnerës.

Por ky bilanc tragjik, natyrisht që ka nevojë për tu lexuar mirë nga shqiptarët dhe maqedonasit. Ajo që bëri Gruevski nuk ishte në vetvete më antishqiptare sesa antimaqedonase. I gjithë ishte një skenar për të shpëtuar karrigen e tij kundër shqiptarëve dhe maqedonasve, që duan ta heqin. Ndaj ky objektiv nuk duhet devijuar dhe beteja për të hequr atë dikatator të vogël ballkanik nga pushteti, duhet të vazhojë aty ku desh ta ndërpriste Gruveski në rrugët e Shkupit dhe jo në në rrugët e Kumanovës, ku ai e transferoi në mënyrë të pamëshirshme.

Së dyti, bilanci tregoi fuqinë e dobët të shtetit të Maqedonisë dhe mungesën e thellë të transparencës së këtij aksioni policor. Një grup prej gati 20 vetësh nëse janë dhe kaq, kanë vrarë tetë police. Një shifër kjo tronditëse, që dëshmon karagjozllëkun  e një kryeministri që çon policinë si mish për top për interesat e tij. Të vrarët nga pala tjetër janë të paqartë. Flitet për 14 të vrarë, por ata mund të jenë edhe viktima civile dhe jo njerëz të armatosur. Policia akoma nuk po flet për viktima dhe as për rrethana sesi janë vrarë njerëzit e armatosur. Ka shumë gjasa që shumë prej tyre janë ekzektuar kur janë dorëzuar, për të rritur bilancin e të vrarëve nga pala kundërshtare, por e gjitha kjo tregon një polici jo efikase, të dobët, të patrajnuar dhe politike. Fatkeqësisht mes të vrarëve nga polica janë dhe dy shqiptarë, të cilët po ashtu janë çuar aty si “mish për top”.

Së treti, ekzistenca e këtij grupi të armatosur shëtitës në Maqedoni është një dëshmi e një shteti jashtë kontrollit, i cili i ka lënë rrugë të lirë dhe hapësirë grupeve me identitet etnik, të cilat nuk përfaqësojnë kauza, por interesa financiare dhe spekulime patriotike. Në Maqedoni ka plot grupe të tilla, të cilat janë aty para syve të një qeverie që nuk do t’i shikojë kur nuk ka interes dhe që i kthen në target të ushtrisë kur ia do interesi politik.

Spekulimet për Forca të UÇK-së duhet të marrin fund me guxim nga shqiptarët. Unë ende deri tani nuk di asnjë arsye të shëndoshë, asnjë fakt, asnjë plan dhe asnjë ide, se përse ky grup i armatosur duhet të dislokohej në “Lagjen e Trimave”  dhe të priste aty me armë në dorë policinë maqedonase. Kjo nuk është as patriotike, as kombëtare, as historike, por thjesht tragjike. 22 të vrarë për shkak të një kombinimi perfekt mes planeve haluçinante të Gruveskit për të shpëtuar karrigen dhe papërgjeshmërisë së disa shqiptarëve, që pasi mbarojnë punët e tyre të errëta, i fusin dhe një komunikatë në emër të UÇK-së për ta veshur me patriotizëm historinë e tyre.

Lufta e vitit 2001 në Maqedoni, ishte e qartë, e motivuar, e justifikueshme dhe fitimare, duke mos pasur deri në mbarim të saj 22 viktima. Kjo e djeshmja, si çdo histori që tenton të përsëritet, bëhet tragjikomike.

Dhe kjo është një arsye më shumë, që partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të bashkohen politikisht kundër Gruevskit, për të hequr nga pushteti arsyen themelore përse u vranë 22 njerëz. Ai kishte një motiv. Shqiptarët e armatosur kishin vetëm armë dhe u keqpërdorën në këtë histori, duke i bërë ndërkohë dhe një dëm të madh Kosovës dhe historisë së saj.

Në thelb, ky bilanc tragjik është bilanci i luftës së Gruevskit për të sunduar Maqedoninë dhe është po aq antimaqedonas sa dhe antishqiptar, si aksion politik. Ndaj meriton të largohet si i tillë nga politika dhe me kontributin e shqiptarëve. Atij nuk ia besoi askush historinë e rrezikut nga shqiptarët e armatosur. Të gjithë e lexuan ashtu siç është, si një betejë e tij për ta mbajtur pushtetin edhe me gjak.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP