Asnjë institucion nuk është imun nga korrupsioni
Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Kontrolli i Lartë i Shtetit, (KLSH) për dy ditë rresht, bëri analizën vjetore mbi veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2014. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit analiza u zhvillua në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, me një profil bashkëkohor në reflektim të parimeve themelore dhe standardeve të INTOSAI-t. Në këtë analizë Universiteti “Ismail Qemali” ishte jo thjesht një mikpritës kortezie, por një pjesëmarrës aktiv me tërë stafin e tij akademik duke përfshirë këtu edhe Rektorin, Prof. Dr. Albert Qarri, i cili e përshëndeti dhe vlerësoi zgjedhjen në mjediset e këtij Universiteti, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe Mjeshtër i Madh, dekanët si dhe stafin pedagogjik dhe student të degës të ekonomisë. Njëkohësisht kishte të ftuar dhe ekspertë të jashtëm të fushave të ndryshme që ndihmuan me eksperiencën e tyre. Një profil ky krejt i veçantë për një analizë vjetore që sjell një risi jo vetëm në fushën e metodës por dhe të efektivitetit të saj. Ajo që ra në sy nga intelektual të pranishëm dhe ekspert të jashtëm, që nuk ishin pjesë integrale e këtij institucioni, ishte intensiteti i punës për dy ditë rresht si dhe cilësia e diskutimeve, duke filluar në mëngjes dhe duke mbaruar në orët e vona të mbrëmjes. Pa folur këtu për koloritin e problematikave dhe pyetjet e diskutimet që u fokusuan tek e ardhmja. U fol se si duhet të përmirësohet puna duke korrigjuar ato mangësi që janë vërejtur gjatë auditimit për vitin 2014. Kjo analizë ishte një radioskopi e gjithë punës dhe veprimtarisë të aparatit të KLSH-së e parë me sy kritik, duke çelur horizonte të reja për punën në vijueshmëri për të arritur një performancë më të lartë me efiçencë të plotë nga të gjithë sektorët.
Perceptimi dhe opinioni i gjerë i qytetarëve si dhe përfundimet e sondazheve, vrojtimeve, hulumtimeve, dhe studimeve të partnerëve tanë ndërkombëtar, tregojnë qartazi se korrupsioni në Shqipëri është ende një epidemi që ka hedhur tentakula të mprehta në gjithë segmentet e pushtetit qendror dhe lokal dhe ka një prirje zhvillimi galopant që duhet të frenohet e kurohet duke ndëshkuar instancat e larta të legjislativit dhe ekzekutivit. Në rast se do tolerohet dhe nuk do ndëshkohet ai bëhet një rrezik real, potencial për ta dekriminalizuar shoqërinë tonë. Ndaj askush prej institucioneve publike nuk duhet ta ndiej veten të imunizuar ndaj korrupsionit, por të luftojë me të gjitha mjetet demokratike për ta kuruar, izoluar dhe penguar në terrenin e tij të favorshëm ku po lulëzon. Nga drejtuesit e lartë të KLSH-së janë vlerësuar eksperienca, dijet, sinqeriteti dhe pavarësia e plotë e mendimit të shumë personaliteteve të shoqërisë civile, që është konsideruar si pasqyra e ndritshme ku mund të shohin veten secili prej audituesve se çfarë kanë bërë mirë, çfarë kanë bërë keq dhe si mund të përmirësohet metoda e punës në të ardhmen. KLSH duke rritur transparencën me publikun dhe mediat, si dhe objektivin e tij strategjik për komunikimin, ka bërë gradualisht, që në fund të vitit 2014, të gjashtëfishojë praninë e tij me informacion dhe mesazhe në median e shkruar dhe të katërfishojë prezencën e tij në median audiovizive, krahasuar me vitin 2010. Gjatë vitit 2014, shtypi i shkruar ka pasqyruar raportet dhe njoftimet e KLSH-së për shtyp me 867 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 690, që kanë qenë në 2013, ose 26% më shumë. Gjatë vitit 2014 ka pasur 14 botime të reja që i shtohen kolanës së 21 titujve të botimeve të viteve 2012-2013. Institucioni ka rritur praninë e mediave në shtypin e shkruar me 134 shkrime nga 51 auditues, përkundrejt 124 shkrimeve të 42 audituesve të vitit 2013. KLSH-ja ka rritur transparencën ndaj ankesave të qytetarëve dhe ka treguar korrektesë duke ju dhënë përgjigje për problemet e parashtruara. Mjafton të përmendim që KLSH-ja gjatë 2014, ka trajtuar 394 letra dhe ankesa për probleme të ndryshme, nga të cilat 170 rezultuan jashtë kompetencave dhe juridiksionit të institucionit. Nga 224 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH-së, 121 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigjja përkatëse, ndërsa 103 janë në procesin e verifikimit.
Në auditimet e ushtruara për gjatë vitit 2014 janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në zërat të ardhura dhe shpenzime të kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 11 198 404 000 lekë. Në një analizë krahasimore të periudhës katërvjeçare 2008-2011, me periudhën tre vjeçare 2012-2014, konstatohet se dëmi ekonomik i zbuluar dhe i rekomanduar për zhdëmtim për periudhën tre vjeçare 2012-2014, është rreth dy herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar për periudhën e katër viteve së bashku 2008, 2009, 2010, 2011. Në totalin e dëmit ekonomik të zbuluar nga auditimi i kryer në Ministritë dhe institucionet në nivel qendror, i cili rezulton në vlerën rreth 3.043 milion lekë. Në totalin e dëmit të zbuluar nga Departamenti i Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ku është Drejtor Xhaferr Xhoxhaj, ka një dëm prej 5702 194 mijë lekë, ku 93 % përfaqëson dëmin e zbuluar nga auditimi i kryer në Alb Petrol Sha. Një veçori që pati kjo analizë ishte se të gjitha Departamentet organizuan në seksione përkatëse analiza specifike duke evidentuar të metat e vitit 2014, ku ishin parashtruar një mori pyetjesh që u zbërthyen nga drejtorët përkatës dhe u dhanë mendime e definicione se cili ishte version më i përshtatshëm për rrugëzgjidhjen dhe përgjigjen më racionale.