Atentati ndaj Shullazit, prokuroria version ndryshe nga policia
Policia dhe Prokuroria përplasen sërish, gjatë hetimeve, këtë herë për ngjarjen e së hënës në mbrëmje, ku u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë, në dy atentate të ndryshme. Prokurorët dyshojnë se atentatet që ndodhën të hënën në mbrëmje janë të lidhura me njëri- tjetrin, për shkak se personat e sulmuar ishin të gjithë të njohur me njëri-tjetrin. Synimi kryesor i dy atentateve, sipas hetuesve, ishte vrasja e Emiljano Shullazit, i cili udhëtoi drejt Tiranes kur mori njoftimin mbi plagosjen e shokut të tij, Pajtim Serjani. Objekt i atentatit të ndodhur në rrugën “Islam Alla”, që ndodhet pranë “Rrugës së Kavajës” ishte Pajtim Serjani. Këto përfundime vijnë pas dëshmive të efektivit të policisë, Roland Meta, para prokurorit Florian Bunjaku. Kur Meta iu komunikua akuza për vrasje dhe masa e arrestit me burg, ai tregoi edhe si ndodhi atentati, ku mbeti i plagosur. Sipas tij, atentatori është afruar pranë tavolinës në lokal dhe qëlloi në drejtim të Pajtim Serjanit, duke e plagosur atë në këmbë, por më pas pistoleta iu bllokua. Më pas ka ardhur reagimi i efektivit të policisë, i cili është drejtuar “Ndal Policia!”, dhe i ka bërë thirrje atentatorit të hedhë armën. Por pas shkëmbimit të zjarrit, me dy të shtëna të tjera ka qëlluar autorin e krimit, Arjanit Sterjo, për vdekje, i cili ka ndërruar jetë disa metra më tej. Për këtë arsye, ndryshe nga hetimet e policisë, prokurorët dyshojnë se atentatet e së hënës janë të lidhura me njëra-tjetrën. Hetuesit dyshojnë se vrasja e Pajtim Serjanit nuk ishte qëllimi kryesor i atentatorëve dhe këta të fundit mendohet se ishin vrasës me pagesë, pasi nuk kanë pasur lidhje me ta, apo të jenë të njohur për përplasje të kaluara. Duke marre parasysh faktin se Pajtim Serjani ishte mik i ngushtë i Emiljano Shullazit, dyshohet se ky i fundit është njoftuar për të lëvizur drejt Tiranes, nga Fushë-Kruja, ku ishte duke qëndruar pak momente para se të ndodhnin dy ngjarjet. Atentati ndaj Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, që mbetën të plagosur, mendohet të ketë qenë synimi kryesor i atentatorëve, të cilët kanë mundur vetëm t’i plagosin ata, pas ndjekjes dhe pritës që u bënë në zonën e Qafë-Kasharit. Shullazi dhe Dani po lëviznin me makinën tip “Golf 4”, kur u sulmuan me breshëri automatiku. Ata janë qëlluar nga pjesa e pasme e makinës dhe pasi i dërguan për ndihmën e parë, lanë të nesërmen ambientet e Spitalit të Traumës, për t’u shoqëruar në polici vetëm disa orë. Në mungesë provash se mund të kishin kryer ndonjë vepër penale, dhe duke qenë se nuk dhanë asnjë emër në lidhje me identifikimin e atentatorëve të mundshëm, u lanë të lirë. Policia nuk ka raportuar se gjeti armë apo gëzhoja në makinën e tyre, për të provuar se kanë qenë të armatosur, ndërkohë që të plagosurit në spital kanë dhënë dëshmi nga më të ndryshmet, duke e bërë më të komplikuar ngjarjen e së hënës në mbrëmje, që u kthye edhe në një debat të ashpër politik.