Atentati, sekuestrohen kamerat pranë banesës së drejtorit të burgjeve
Një i dënuar në burgun e Fushë-Krujës dyshohet se mund të ketë urdhëruar vendosjen e rreth 150 gramë lëndë eksploziv në makinën e drejtorit të burgut të Fushë Krujës, Arben Suloj. Personi në fjalë po hetohet dhe të dhënat po verifikohen nga hetuesit e Prokurorisë për Krime të Rënda. Atentati me eksploziv ndaj drejtorit të burgut të Fushë-Krujës Arben Suloj, që besohet se është kryer për shkak të detyrës, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, ngjarje e ndodhur mesditën e së martës, çoi në plagosjen e tij. Nga hetimet, në vendngjarje janë gjetur shumë pak prova që mund të zbardhin identitetin e personave që kanë vënë tritolin. Ata kanë zbardhur vetëm mekanizmin e shpërthimit që është e montuar me një numër telefoni, dhe pas thirrjes është aktivizuar shpërthimi. Prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë së të gjitha bizneseve pranë banesës së drejtorit Suloj, për të parë nëse mund të identifikojnë ndonjë person të dyshuar që mund të jetë afruar mbrëmjen e së dielës pranë makinës, ku ajo ishte e parkuar.
Zëvendësohet Suloj
Mësohet se familjarët e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, po tentojnë të gjejnë mënyrën e dërgimit të tij jashtë Shqipërisë për mjekime më të specializuara, për shkak të dëmtimit të gjymtyrëve të poshtme dhe shtyllës kurrizore. Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka komanduar në vend të drejtorit tashmë të plagosur, shtetasin Kamber Hoxha, për të ushtruar detyrën e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës. Arben Suloj vazhdon të jetë i shtruar në reanimacion, në Spitalin e Traumës, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. – “Vazhdon të jetë një gjendje e stabilizuar. Dje iu nënshtrua një operacioni në urgjencë, që mjekët tanë duhet ta kryenin brenda ditës. Ndërhyrja doli praktikisht me sukses, ndërsa Suloj vijon të ndiqet në terapi intensive në reanimacion, por gjendja e tij është e qëndrueshme dhe do të kalojë pa probleme”, – thotë Arben Zeneli, zv. drejtor i Spitalit të Traumës. Suloj, pasi është marrë në pyetje për ndonjë konflikt të mundshëm mësohet të ketë deklaruar se nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe asnjë konflikt
Analiza pas atentatit
Një ditë pas atentatit me lëndë plasëse, që rrezikoi jetën e drejtorit të burgut të Fushë Krujës, Arben Suloj, shteti është ngritur në alarm. Zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një mbledhje urgjente në Prokurorinë e Krimeve të Rënda gjatë ditës së djeshme, për të analizuar këtë ngjarje. Në takimin me prokurorë të çështjes dhe kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci, ishte i pranishëm edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Haki Çako, si dhe drejtori i Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj. Procedimi penal, për shpërthimin e telekomanduar në mjetin me të cilin udhëtonte Arben Suloj, është regjistruar te Krimet e Rënda për veprën e “vrasjes për shkak të detyrës, e mbetur në tentativë”. Policia ka bërë me dhjetëra shoqërime, por deri tani nuk ka ende një pistë zyrtare.