Atyre që kërkojnë rrëzimin e Gramoz Pashkos
Nga Alfred Lela
Ditët e ngarkuara me ngjarje dhe me lajme kundërthënëse, janë ideale që të kalosh nën rrogoz akte në dukje të parëndësishme. I famshëm është rasti i një nëpunëseje të zyrës së komunikimit të një ministri Laburist në Britani, e cila u shkruante kolegëve më 11 shtator 2001: sot është një ditë e mirë për të hedhur në publik gjëra që në ditë normale do të kishin bërë namin.
Nuk e di a ka menduar pikërisht këtë Presidenti i Universitetit New York Tirana, i cili dje ka vendosur të heqë nga biblioteka e këtij institucioni foton e themeluesit, Gramoz Pashko.
Çfarë dreqin ka qenë duke menduar? Pse e ka bërë këtë akt? – do të ishin dy pyetje të para reaguese.
Cilatdo qofshin motivet e tij, ja edhe kundërmotivet se pse, ai apo të tjerë, nuk duhet, nuk munden dhe nuk do lejohen ta bëjnë këtë. Si nga pedagoget e asaj shkolle, studentët, por edhe nga opinioni publik.
E para, Universiteti New York Tirana është një institucion pionier i arsimit të lartë privat në Shqipëri. Ai është dy gjëra shumë të rëndësishme për shqiptarin e pas ‘90-ës: mishëron liberalizimin e universitetit dhe aktin e nëpërkëmbur gjatë të sipërmarrjes së lirë në Shqipëri.
Në të dy këto kuptime, UNYT është një gur themeli si në arsim ashtu dhe në kapitalizëm. Është një shenjë që e duam dhe na duhet. Një kredo në mungesë të shumë besimeve dhe në ndërkohën që ne trashim mosbesimet. Ndaj të tjerëve por edhe ndaj vetes ndoshta.
Së dyti, Universitetin e New York-ut mund ta quajmë fare mirë edhe Universitetin e Gramoz Pashkos.
Kush është Gramoz Pashko? – do pyesë ndonjë shqiptar e shumë grekë. Duke i ndenjur larg mitizimit, por duke iu afruar së vërtetës, duhet thënë se Pashko ishte një prej Demokratëve të Parë, Liberalëve të Parë, Sipërmarrësve të Parë, të Buzëqeshurve të Parë për prospektin e një Shqipërie të hapur. E një shoqërie gjithashtu të hapur të një vendi që me mbylljen kishte një raport të gjatë sadomazokist, që prej fundit të viteve ‘40 të shekullit të shkuar.
Nuk e di, ndoshta Preç Zogaj a ndoshta Spartak Ngjela, bashkëkohës dhe miq të Pashkos, në librat e tyre flasin për një Gramoz që shihte te çdo mëngjesore që hapej në Tiranë a gjetkë në fillim të viteve ’90, një triumph të tregut të lirë. Mrekullohej si fëmijë, thotë njëri prej tyre. Ose ndoshta të dy. Se në këtë rast nuk ka rëndësi rrëfimtari, por ai për të cilin bëhet rrëfimi.
Për vete, Gramoz Pashko nuk hapi një Mëngjesore, por një Mësonjëtore. I tillë është Universiteti i New York-ut në Tiranë. Mësonjëtorja e Parë Universitare Private (e sipërmarrjes së lirë në Shqipëri).
Mos lexoni kurrfarë paralelizmi mes hjekës së madhe të shqiptarëve të shekujve të shkuar për të arritur te Mësonjëtorja e Parë (ajo e Korçës) dhe aktit abuziv dhe cinik të një individi, që nga një tjetër Mësonjëtore e parë heq foton e themeluesit.
Nevertheles beware of the Greeks!
Ndoshta nuk ka të bëjë fare ky gjest me një përplasje greko-shqiptare, por sidoqoftë është gjest i ulët heqja e fotografisë së Gramoz Pashkos nga aulat e një institucioni të themeluar prej tij.
Heqësi i fotografisë, njëfarë Galatula, pas reagimit të pedagogëve dhe nxënësve e ka rivendosur foton në bibliotekë, por sa para bën.
Ai ka guxuar të kalojë Rubikonin e arrogancës dhe do të mbetet përtej tij përjetë.
Mapo