Aushvici sot, vetëm një vend kujtese?

Nga Monika Shoshori Stafa –

In memoriam me rastin e përvjetorit të Ditës së Holokaustit

Sot, pas afro 71 vjetësh, kjo është pyetja që të vjen, pasi e viziton sërish kampin e madh nazist të shfarosjes së gati 1.1 milionë njerëzve të burgosur aty që nga viti 1940 e deri në 1945. Sot, pas afro 71 viteve kërkimesh shkencore të dhjetëra e qindra studiuesve, perceptime të ndryshme vijnë nga “hapësira e tërë” që përbën Aushvicin. Ata që e ndërtuan vetë këtë vend, të mbijetuarit e fundit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e quajtën atë, Muzeu i Përjetësisë.

Pak kohë më pas, një monument u ndërtua në Birkenau. Ishte viti 1960. A thua rrënojat që kundërmonin ende gjak hebreu në këtë kamp famëkeq vdekjeje nuk ishin të mjaftueshme për ta përkujtuar atë. Një tjetër grup shkencëtarësh e vlerësuan atë pak më vonë si një nga varrezat më të mëdha në botë. Në fund, titulli që iu vendos mbeti po ai: “Vendi i kujtesës së përbashkët historike”. Por ky përkufizim mbeti një neologjizëm që ndoshta pranon më shumë pamundësinë për t’u thelluar më tej në studimin e tij.

Pothuajse nga të gjitha historitë e ngjashme në Europë, ky është vendi i vetëm që është futur në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. As gulagët e lindjes komuniste e sovjetike ende nuk kanë hyrë në kujtesën botërore si një trashëgimi e mendjes së keqe e djallëzore që njeriu mund të shpikë. Ndaj, dhe vizitat në të nuk mund të ndodhin spontanisht dhe të paorganizuara. Po pse vizitohet sot ende gjithmonë e më shumë Aushvici? Cila është ajo ndjesi që i tërheq të gjithë, drejt dyerve të tij? Sipas kërkuesve, ka një subjektivizëm shumëplanësh që quhet krejtësisht normal dhe i natyrshëm në këtë vend. Këtu, njerëzit as më shumë e as më pak, kanë të drejtën e tyre të ndihen pak ose shumë të lidhur me këtë vend. Padyshim, ndjesi të ndryshme e shumëplanëshe jetohen sot kur viziton Aushvicin. Shfarosja në masë e popullit hebre ishte një anë e medaljes, ndërsa historia e ndërtimit të këtij kampi të madh përqendrimi ishte një gjë krejtësisht e ndryshme. Një i mbijetuar hebre kujton dyzet apo pesëdhjetë persona të familjes së tij që u vranë atje dhe nuk i mbijetuan dot së keqes. Dhe në mesin e qindra viktimave, dhjetëra të mbijetuar kujtojnë sot një kushëri të tyre, i cili vdiq atje si një i burgosur politik.

Dhe kujtesa ndalet këtu në rrathë të ndryshëm shoqërorë. Për disa njerëz, Aushvici së pari do mbetet një vend i arsimimit. Por ka të tjerë komunitete, për të cilët Aushvici ka një rol shumë të rëndësishëm në lidhje me identitetin. Në këtë rast, ndër mend çoj diasporën herreje, por dhe romët gjithashtu. Në Poloni, Aushvici mbart në vetvete simbolin e pavarësisë, por Polonia vetë ka interpretime të ndryshme mbi historinë e Aushvicit. Perceptime të ndryshme kanë me këtë vend elitat intelektuale p.sh. që përbënin shumicën e të burgosurve në periudhën e parë të tij. Por po aq të ndryshëm e kanë këtë perceptim, banorët e rajonit të Zamośćit, të cilët u dërguan në Aushvic për t’u shfarosur. Aushvici ishte pothuajse një vend krejt tjetër për banorët e Varshavës, sidomos pas shtypjes së kryengritjes atje. Së fundi, kampi famëkeq përbënte një gjë krejtësisht tjetër për njerëzit që u mblodhën aty nga rruga ku ishin dhe pa e ditur fare përse u sollën aty, edhe pse nuk ishin aspak të përfshirë në ndonjë aktivitet të lëvizjes së rezistencës. Ky vend mbeti po aq një përvojë e jashtëzakonshme sidomos për gjermanët. Prania e tyre, shpeshherë shumë e dobishme, bëri të krijohen marrëdhënie të thella ndërpersonale me këtë vend. Për katolikët e krishterë, kjo është gjithashtu një referencë e rëndësishme në botën e martirizimit dhe shenjtërisë, një shenjtëri e cila shfaqet dukshëm në këtë vend e që nuk mund të mënjanohet.

Duke e parë Aushvicin nga këto pika të ndryshme këndvështrimesh, vendet që përfaqësoheshin me kujtesën e tyre historike atje, pas viteve ’90, menjëherë pas rënies së komunizmit jetuan mes tyre heshturazi një konflikt në subkoshiencë. Papritmas, të gjitha ngjarjet e së kaluarës u takuan në këtë vend duke njoftuar njëra-tjetrën dhe mëria ngriti krye. Ndaj dhe pas këtyre viteve, Lindja nuk gjeti shpëtim edhe pas rënies së Murit të madh.

Ndër të gjitha ato lidhje që Aushvici mban me njerëzimin, ajo që mbetet më e fuqishmja është përkatësia e çdo shtrese shoqërore, që ajo e priti si fillim, hiri i tharë tanimë i tyre, mbetet pjesë e kësaj toke. Kujtesa dhe kjo marrëdhënie e pasardhësve të viktimave janë memoria parë që vjen kryesisht nga bota e hebrenjve, nga polakët, romët por dhe nga të burgosurit e ushtrisë sovjetike.

Aushvici është sigurisht simbol i shkatërrimit të një bote në progres, por gjithashtu edhe një ndër kampet më të mëdha të përqendrimit. Kjo është arsyeja përse shumë grupe që vijnë sot për ta vizituar atë identifikohen me këtë vend, dhe me histori të tjera veç zhdukjes së hebrenjve. Dachau, ishte një ndër kampet e vdekjes, ku më së shumti priftërinjtë katolikë u shfarosën në masë, por ata sërish përkujtohen në këtë vend. Një tjetër kamp famëkeq ishte ai në Ravensbruk, kampi ku gratë nuk ktheheshin më të gjalla. Homoseksualët gjermanë apo dhe dëshmitarët e Jehovait e kishin vendin në kampet e Dachaut, Sachsenhausenit, Oranienburgut dhe Flossenbürgut. Ata me aftësi të kufizuara, të cilët as nuk arrinin të futeshin ndër kampe, sepse shpesh dërgoheshin në objektet bashkangjitur spitaleve ku mbyteshin të gjallë nën masën e përzier të gazrave helmues, përkujtohen sërish këtu. Aushvici kujt i përket kësisoj? Historisë së cilës shtresë dhe cilit vend?

Por çfarë mund të thuhet për kriminelët nazistë, në anën tjetër të telave me gjemba? Në Aushvic ka pasur rreth 8 mijë njerëz të lirë, nga SS-ët dhe Gestapo, gra dhe burra që punonin atje. Historianët vlerësojnë se rreth 70 mijë ishte shifra që kapte numrin e të gjithë të punësuarve në të gjithë sistemin e kampeve, nga të cilët vetëm 1600-1700 prej tyre dolën në gjyq pas Luftës së Dytë Botërore. Shumica prej tyre u dënuan me tre deri pesë vite burg. Në raste të tjera ai është pezulluar. Në këtë 71-vjetor të çlirimit të Aushvicit, a po duket se koha ka nisur të fshijë kujtimet një e nga një? Ky vend që shënjon kujtimin më të keq për Europën, ka folur për kaq shumë vite shumëçka. E megjithatë, kërkuesit gjykojnë se njerëzit përpiqen të gjejnë një përgjigje. Sepse nga viti në vit, numri i atyre që e vizitojnë atë dyfishohet gjithmonë e më shumë. Numri më i lartë që shënjohet janë vizitorë që vijnë nga Franca apo dhe Izraeli. Mançuria, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë dramat e tyre që rrjedhin nga Lufta e Dytë Botërore, e megjithatë numri i vizitorëve në Aushvic është gjithmonë e më i lartë.

Në vitet 1990, studiuesit shkruajnë se Aushvici ishte një vend simbol kryesisht për Europën, Izraelin dhe Amerikën e Veriut. Por tani pas më shumë se dy dekadash, ai ka filluar të funksionojë si vendi simbol i kujtesës në rang botëror. Vizitat në këtë kamp kanë pasur dy anët e medaljes. Në botë ka edhe pjesë gjeografike, politike dhe historike që nuk shohin ndonjë afilacion me Aushvicin, apo që nuk duan ta manifestojnë atë. Austria p.sh., çuditërisht nuk sheh ndonjë lidhje me këtë vend krahasuar me 60 mijë gjermanë që e vizitojnë atë çdo vit apo 56 mijë italianë, të cilët e rrisin dukshëm numrin e tyre nga viti në vit. Vetëm 25 mijë çekë janë të interesuar të vizitojnë kampin e vdekjes, edhe pse drama që kjo popullsi jetoi prej nazizmit ishte po aq e madhe sa dhe vendet që mbajnë rekord për numrin e vizitorëve këtu. Ndaj, dukshëm arrihet në përfundimin se vazhdojmë të përballemi me problemin e edukimit të brezave dhe çështjen e përplasjes mes identiteteve, çështje botësh dhe mendësish që me sa duket ende nuk janë kapërcyer. Statistikat nuk kanë regjistruar shifra të kënaqshme të vizitorëve që duhet të vijnë nga Afrika e Jugut dhe bota arabe. Mbetet një problem ky në kontekstin e sfidave të sotme dhe rezultat i kësaj neglizhence është shfaqja e një gjeografie të re në hartën e botës.

Gjithmonë e më shumë në Europën e sotme, një element i rëndësishëm dhe përcaktues në identitetin e çdo qytetari mbetet fakti se ndalesat e fundit të tij do të jenë referenca të forta në identitetin e tij.

Duke përmbyllur këtë lloj analize, tek u referohem tezave shkencore sa u përket vendeve të kujtesës, të vijnë ndër mend dy kohë në një botë të njëllojtë që duket se nuk ka ndryshuar aspak. Nëse për arsye profesionale do të duhet t’u hedhësh herë pas here një shikim fotove të një Aushvici të çliruar, duhet të kujtojmë po aq dhe fotot e një Kosove të çliruar nga forcat ushtarake të NATO-s apo ajo çfarë ka mbetur nga Iraku apo Siria e largët. Dhe pyetja që ngrihet në këtë rast nuk ka lidhje me këto dy-tre ngjarje në kohë e dekada të ndryshme, por ajo çfarë duhet të shqetësohemi është pasiviteti ynë qytetar. Shëmtia për të qenë përtej unit tonë, mirë “brenda mureve” të shtëpisë sonë. Mendësia e një bote sociale është ideja ku vetë njeriu lidhet me atë çfarë ai bashkërisht krijon, me qëllimin për të ndërtuar atë çfarë ai do, me dëshirën të përfshihet për të arritur qëllimin apo ambicien që ai ka.

Lidhja ndjesore me këtë vend apo gjurma që lë ky vend, pasi e viziton atë sigurisht arrin objektivin e këtij qëllimi, që kjo histori të mos ndodh më. Por ndërkohë, miliona persona e vizitojnë këtë vend dhe të tillë si ky, në Yad Vashem apo në Muzeun e Holokaustit në SHBA. Dhe janë pikërisht këta miliona vizitorë që ulen në fund të ditës përballë ekraneve të televizorit; ndjekin reportazhet apo artikujt mbi refugjatët sirianë që mbyten në valët e Detit Mesdhe dhe nuk arrijnë dot të bëjnë lidhjen e përbashkët mes dy historive të njëjta, në kohë të ndryshme. Sot tek jetojnë në shtete të lira dhe demokratike, dëgjohen të kritikojnë ato shtete që nuk e ndalën dot makinën shfarosëse të Hitlerit në prag të një lufte që po merrte përmasa të mëdha katastrofike, pa e kuptuar se vetë ata nuk janë të aftë të kundërshtojnë me forcë, atë çfarë ndodh sot në çdo cep të varfër të globit sa i përket tragjedive të tjera të epokës moderne. Ndaj me forcë mbroj tezën se Aushvici apo dhe çdo vend tjetër i kujtesës sonë të përbashkët historike mbetet tragjikisht një vend kujtese i zakonshëm dhe po aq tragjik sa dhe një vend tjetër pa kujtesën e askujt.

SHQIP

SHKARKO APP