Autokritika e Kissinger dhe Tsipras
Nga Mitro Çela
Henry Kissinger kur “gatoi” kujtime, shkroi edhe për Miteranin, ish-Presidentin e Francës. “Më kujtohet dita kur ai erdhi në Amerikë. Unë isha Sekretar Shteti. Folëm për Partitë Komuniste. Unë mendoja se duhen ndalur me ligj. Ai më shpjegoi se qëllimi i tij ishte të shkatërronte komunistët. Por për ti larguar nga skena, duhej që ata të merrnin pjesë në pushtet, të paktën për një farë kohe. Kundër dëshirës sime, strategjia e Miteranit ishte e saktë”. Ku qëndron morali i autokritikës? Në vitet ’80 partitë komuniste të Europës Perëndimore kishin një rol të madh në jetën politike. Komunistët ishin shumë agresivë, por ky agrisivitet rridhte nga të qenët si parti opozitare. Ata kritikonin dhe votonin kundra çdo ligji. Me ardhjen në pushtet, mes kompromiseve me partitë socialiste ose social-demokrate, ndodhi “mrekullia” që kishte parashikuar Miterani. Pushteti nuk mund të drejtohej me idologji anakronike. Kështu ndodhi vetëpastrimi i tyre. Partitë Komuniste europiane bënë zhvendosje në spektrin politik: Nga ekstremi drejt të majtës moderne ose drejt qendrës së majtë. Tipik është rasti i Partisë Komuniste italiane të Belinguerit: Duke marrë pjesë në pushtet u nda, u copëtua, u shkri, u nakatos duke përfunduar në parlament me një grusht deputetë.
Le të kthehemi në Greqi. Tsipras fitoi. Një fitore e merituar. Vuri në “grykë” të topit partitë tradicionale: socialistët dhe demokratët. Normale. Duke qenë në pushtet, të dyja partitë u kthyen ne “varrmihëse” të ekonomisë greke. Greqia u kthye në vend parazit. Punonte gjermani dhe bënte pallë greku. Borxhe. Falsifikime… U mbush kupa. Merkel nisi të hedhë shkelma. Brukseli i mbajti ison. Në skenë u thirr FMN-ja. Në Athinë mbërriti Trojka… “Thans-shtërgo rripin”…Për ironi të fatit, filmi grek nga skena u “derdh” mes miletit…Greku që ishte mësuar dembel u derdh rrugëve…Trazirat “pollën” zgjedhjet…Papandreu bashkë me socialistët dolën në vend të tretë. Samaras u bë kryeministër. Për dy vjet u bë “Bon eleve” (Nxënës i mirë) i FMN-së. Një arsye më shumë për të lënë pushtetin. Kryeministri i ri javën e parë të pushtetit i vuri të gjithë në grykë të topit. Në radhë të parë Merkel. Pastaj Brukselin. Prishi kocesionin me kinezët për portin e Pireut…Nga dajaku nuk shpëtoi as Rama, që dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kufirin detar…Po më tej? I gjori kryeministër. Pas një muaji të kujton personazhin e romanit sovjetik: “Dhe i vetëm trim në luftë”…Borxhi dhe kriza janë kafshatë që nuk kapërdihen… Morali sipas meje: Tsipras do bëhet partizan i teorisë së Miteranit…