Autostrada Shqipëri-Mali i Zi, Kina financon 1.72 miliardë dollarë

 

“China Pacific Construction Group”, kompania kineze e ndërtimit, më e madhja për nga të ardhurat, nënshkroi një marrëveshje me vlerë 1,72 miliardë dollarë për ndërtimin e një autostrade midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.
 
Sipas Kryeministrisë, njoftimi ështërë i ditur nga vetë kompania ditën e enjte.
 

Ndërtimi i kësaj lidhje 280 kilometra do të nisë në pjesën e dytë të vitit 2016 dhe do të përfundojë në vitin 2018, deklaroi presidenti Yan Jiehe përpara gazetarëve, në një konferencë për shtyp në Pekin. 

Firma planifikon të përdorë tarifat e rrugës si kolateral për këtë projekt, informoi Yan. “Financimi duhet ende të finalizohet”, shtoi ai.

Në prill të këtij viti, Yan Jiehe, President i “China Pacific Construction Group” u prit në një takim nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ku  u disktua shqyrtimi i mundësive për investime në sektorë  të infrastrukturës.

Haxhinasto i prezantoi kompanisë kineze zhvillimet më të fundit në infrastrukturën e transportit në vend, duke u fokusuar në korridoret bazë të transportit rrugor dhe hekurudhor, korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin VIII, si edhe planet për zhvillimet portuale dhe aeroportuale në vend.

Nga ana e tij, Yan shprehu interesin e tij për t’u angazhuar në projekte të rëndësishme prioritare në infrastrukturë dhe turizëm, ndërsa vlerësoi se Shqipëria është në pozicion shumë të favorshëm në rajon.

Po ashtu, Yan garantoi se një mision kërkimor, me qëllim përcaktimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit, do të jetë së shpejti në Shqipëri.

SHKARKO APP