Avokat Jordan Daci: Arrestimi i avokatit Uliam Bajrami si rrjedhojë e “projekt Kodit Penal fashist”!
Jordan Daci, avokati i njohur ka reaguar në lidhje me arrestimin e avokatit Uliam Bajramit:
Arrestimi i Avokatit Bajrami përbën kulmin e çmendurisë së një sistemi që po refuzon në mënyrë të hapur mbrojtjen e profesionit të avokatit dhe po shndërrohet në një rrezik real për lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe vetë dhënien e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
Ky akt i paprecedentë nuk është thjesht një rast individual, por një sinjal i qartë i shkatërrimit të ekuilibrit ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, i cili është thelbësor për ekzistencën e një sistemi gjyqësor të drejtë, siç e kërkon neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Çdo fjalë është e tepërt: kjo është pikërisht ajo që ne, si profesionistë të ligjit, kemi paralajmëruar prej kohësh — një drejtësi e deformuar që, para se të miratohet i ashtuquajturi “projekt-Kodi Penal fashist”, po demonstron qartë tendencën autoritare dhe represive ndaj avokatisë dhe lirisë së mbrojtjes.
Në këto kushte, avokatia shqiptare duhet të reagojë me unitet dhe vendosmëri. Të gjithë avokatët, pa përjashtim, duhet të bëhen pjesë e një bojkoti të përgjithshëm dhe pa afat deri në rivendosjen e drejtësisë dhe lirimit të menjëhershëm të kolegut tonë. Bojkoti duhet të përfshijë çdo seancë gjyqësore, madje ndoshta duhet menduar për të bojkotuar edhe ato për masat e sigurimit, për t’u treguar institucioneve se drejtësi pa avokatë nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Duhet kujtuar se çdo gjyqtar, prokuror apo zyrtar publik, në momentin kur bie ndesh me ligjin, do të ketë po ashtu nevojë për një avokat. Mbrojtja e avokatisë është mbrojtje e shtetit të së drejtës, e lirisë dhe e drejtësisë për të gjithë.
KOHA JONË SONDAZH

