Axhenda e Turqisë, gëzim dhe hidhërim
Nga Ramazan Gozen*
Javën e kaluar, Turqia përjetoi dy zhvillime shumë të rëndësishme, njëri prej të cilëve u bë burim gëzimi e krenarie, ndërsa tjetri shkaktoi hidhërim e dhimbje.
Edhe pse kishin përmbajtje antagoniste, të dyja këto zhvillime ishin risi në historinë e Turqisë dhe realisht përcillnin një mesazh domethënës. Fillimisht mbërriti lajmi për vlerësimin e prof. dr. Aziz Sancarit, nënshtetas i Republikës së Turqisë, me Çmimin Nobel në Kimi. Ky lajm ishte një sukses dhe burim krenarie për të paktën dy arsye. E para sepse rezultatet e hulumtimeve të prof. Sancarit konsiderohen një arritje serioze në luftën kundër kancerit dhe një zbulim i paracaktuar të ndryshojë historinë e njerëzimit. Dhe e dyta për këmbënguljen dhe punën e palodhur të vetë shkencëtarit turk për t’u ngjitur në këto nivele kaq të larta, si djalë i dy prindërve analfabetë. Kjo arritje e jashtëzakonshme tregon se në Republikën e Turqisë mund të gjejnë kushte dhe shanse për t’u mirarsimuar madje dhe individët, që nuk i kanë mundësitë apo i kanë të kufizuara. Ndërsa vetë kjo konfirmon se Turqia gëzon një cilësi dhe standard, që mund të jetë shembull veçanërisht për disa shtete.
Një tjetër pikë shumë e rëndësishme në këtë kuadër doli në pah gjatë fjalimit të rastit të prof. Sancarit, pasi mori në dorëzim Çmimin Nobel, ku ai e prezantoi veten si turk, duke u bazuar në identitetin kombëtar dhe jo në origjinën etnike apo sektare. Nëse marrim parasysh disa vende të Lindjes së Mesme, veçanërisht Sirinë dhe Irakun, të cilat po ballafaqohen me përçarje etnike e sektare të përmasave mjaft të rrezikshme, kjo deklaratë e prof. Sancarit rezulton një mesazh shumë domethënës. Mesazhi në fjalë është kuptimplotë edhe për qarqet keqdashëse, që orvaten për të krijuar të njëjtin rrezik edhe në Turqi; pra, për të mbjellë përçarje ndërmjet turqve e kurdëve apo mes sunitëve dhe alevitëve.
Ky mesazh pozitiv i prof. Sancarit ka qenë kaq ndikues dhe duhet t’i ketë shqetësuar kaq shumë disa dashakeqës, saqë vetëm 3 ditë më vonë Turqia u trondit nga një ngjarje kryekëput e kundërt dhe tragjike. Sulmi terrorist, që u organizua në zemër të Ankarasë, më datë 10 tetor, shkaktoi 99 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Ky ishte sulmi terrorist më i përgjakshëm në historinë e Turqisë dhe e veshi të gjithë vendin me rrobat e zisë. Aktorët shoqërorë, politikë dhe të fushave të tjera reaguan pothuajse njëzëri kundër sulmit.
Edhe pse zyrtarisht është bërë e ditur që akti terrorist është kryer nga dy kamikazë, identiteti i autorëve nuk është zbardhur ende, por hetimet janë në fazë përfundimtare. Sipas gjasave, kamikazët autorë të sulmit duket se janë terroristë të DAESH-it, janë shprehur megjithatë Kryeministri Davutoglu dhe disa autoritete hetuese. Po ashtu, disa ekspertë janë të mendimit se lloji i sulmit në Ankara është i njëjtë me atë të 20 korrikut në Suruç, i vërtetuar se është kryer nga DAESH-i. Këto të dhëna nuk lënë më asnjë pikë dyshimi se organizata terroriste në fjalë, krahas Irakut dhe Sirisë, organizon akte terrori edhe në Turqi. Por ç’është më e rëndësishme, pavarësisht se cilët janë autorët, vëmendja duhet të përqendrohet mbi qëllimet e këtyre sulmeve. Në këtë pikë mund të parashtrohen tri synime të mundshme:
I pari ka shumë gjasa të jetë plani për tërheqjen e Turqisë brenda luftërave civile në Siri dhe Irak. DAESH-i, PKK-ja, organizata terroriste të tjera apo fuqitë e errëta, që fshihen pas grupeve në fjalë, mund të mendojnë që ta tërheqin Turqinë në vorbullën e Lindjes së Mesme për ta destabilizuar atë edhe më shumë. Natyrisht që Turqia lufton edhe kundër DAESH-it edhe kundër PKK-së apo organizatave terroriste të tjera; duke ndjekur një politikë antiterrorizëm në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të OKB-së. Mirëpo kjo nuk do të thotë dhe nuk duhet të nënkuptojë kurrsesi që Turqia do të hyjë në katrahurën e Lindjes së Mesme.
Së dyti; sulmi në Ankara mund të jetë kryer për të ndikuar zgjedhjet parlamentare të 1 nëntorit në Turqi, kështu që zgjedhjet të organizohen në një klimë destabiliteti. Rrjedhimisht, ky plan i fëlliqur i mundshëm të ngjall dyshimin se ka për synim të rrëzojë sistemin demokratik të Turqisë. Me fjalë të tjera, lehtësisht mund të pretendohet se disa rrethe dashakeqe përpiqen të manipulojnë politikën turke dhe ta marrin atë nën kontrollin e tyre.
Qëllimi i tretë dhe më i rëndësishëm i aktit terrorist në Ankara, por edhe i sulmeve të tjera, mund të jetë frenimi i vrullit të Republikës së Turqisë për t’u bërë një vend i zhvilluar, modern dhe i qytetëruar. Po ashtu, synimi mund të jetë zhytja e Turqisë në errësirë, që ajo të mos jetë një vend i ndriçuar dhe të mos nxjerrë intelektualë të tjerë si prof. Sancari, të cilët bëjnë zbulime shkencore të frytshme për vete, për vendin e tyre dhe për të gjithë njerëzimin. Mund të ketë edhe nga ata, që kanë si objektivë të sabotojnë procesin e modernizimit, zhvillimit dhe ndriçimit të Turqisë.
Pavarësisht synimit, mesazhit apo autorëve të sulmeve, përvojat historike tregojnë se Republika e Turqisë dhe udhëheqësit e saj me gjykim të shëndoshë nuk bien pre e këtyre kurtheve, që kurdisen me dredhi pas shpine. Turqia ia ka dalë të mposhtë kërcënimet e terrorit në vitet 1970 dhe 1990, të cilat ishin ndoshta më të rrezikshme. Ajo do të gjunjëzojë edhe këtë valë të fundit. Sepse Turqia e sotme me 77 milionë banorë, falë eksperiencës gati 700-vjeçare të Perandorisë Osmane dhe suksesit afro njëshekullor të shtetit republikan, gëzon një kujtesë të fortë dhe të mjaftueshme për t’i kapërcyer edhe këto lloj kërcënimesh.
Helbete, arsimi dhe shumë institucione të tjera të Turqisë do të vazhdojnë t’i dhurojnë njerëzimit vlera madhore, siç është prof. Sancari. Ndonjëherë një fatkeqësi mund të jetë arsye për mijëra suksese në vijim dhe ky është një tjetër aspekt nga mund të vlerësohen dy ngjarjet antagoniste të një jave më parë. Pikërisht këtë duket se e vërteton edhe suksesi i profesorit 69-vjeçar, Aziz Sancar, i cili ka arritur të mos të bjerë pre e ditëve të vështira të Turqisë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe të mbërrijë deri tek Çmimi Nobel! Sigurisht që këto suksese do të vazhdojnë dhe fatkeqësitë e llojit të terrorit do të marrin fund brenda një kohe të shkurtër. Sepse kursi i Turqisë është vendi i merituar në BE dhe në botën e zhvilluar, por edhe lufta për “paqe në vend e paqe në botë”.
*Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll