Azilantët, viktima dhe fajtorë
Nga Dorina Kuqo
Fjala “azil” vjen nga e drejta që kishin njerëzit në Mesjetë për të kërkuar strehim në kisha. Pra, azil do të thotë me pak fjalë strehim. Mirëpo, sot kemi strehim për të moshuarit, strehim për të sëmurët mendorë, strehim politik etj. Shumë prej njerëzve që nuk duan ta kuptojnë se kush duhet të përfitojë azil e keqpërdorin këtë të fundit duke u turrur si dele të uritura drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kësisoj, midis shumë njerëzve viktima dhe fajtorë që kërkojnë bashkëjetesë me ambientet e azilit janë fatkeqësisht dhe shumë shqiptarë të fotografuar tashmë si të tillë. Ne si veprues moralë duhet të shqetësohemi seriozisht për mirëqenien e çdo njeriu që në një mënyrë apo në një tjetër ndikohet nga rrethanat që i kanosen dhe shpesh herë jo fort të mira. Një partizan i lirisë dhe i zgjedhjes si Jean-Paul Sartre do të thoshte se: “Kur je në një rrafsh me njerëzit është shumë e vështirë që t’i quash miza”, por është shumë e lehtë t’i përdorësh ata si instrumente për qëllime të ndryshme.
Të thuash se Shqipëria është në krizë ekonomike nuk ke thënë gjë pasi jemi në krizë të thellë ekonomike për pasojë dhe sociale. Prandaj, nuk është për t’u habitur se ky fakt ka qenë një nga arsyet e forta pothuajse e shumicës së njerëzve që kërkojnë strehim gjetkë, të cilët jo vetëm mashtrohen, por edhe mashtrojnë sikur plotësojnë ndonjë kriter si azilkërkues. Ajo që i mashtron është zotësia ose ndihma false e disa personave të “jashtëzakonshëm” në këmbim të një pagese të caktuar. Mirëpo, siç kemi parë dhe dëgjuar për ditë azilkërkuesit ndikohen edhe nga fjalët e mira të të afërmve apo të të njohurve të tyre, të cilët në pamundësi për të treguar sesa gogol është gjendja thonë se jetojnë mirë. Madje, ka dhe njerëz të cilët do të preferonin të jetonin sa më gjatë në azil vetëm për t’i shpëtuar përgjithsive, ata të cilët kanë më shumë dëshirë të rrinë sesa të punojnë duke pritur tu vinë para nga qielli, nën mëshirën e fatit. Azili është një zgjedhje, por jo një zgjidhje e të gjitha problemeve tona. Për të shkuar drejt këtij “kafazi pa hekura” shumë njerëz shesin ose gjithçka çfarë kanë ose zhyten në borxhe, kjo e fundit është më e përdorshme, sepse një pjesë e tyre përveç shpirtit nuk kanë çfarë të shesin. Nuk është puna vetëm të zëmë rrënjë dhe të mos lëvizim nga vendi qoftë edhe për gjithë arin e botës, por realisht azili nuk është parajsë që të na i prishi kaq shumë mendjen, sidomos kohëve të fundit që situata është bërë akoma më e vështirë. Të ketë vallë Shqipëria aq pak azilkërkues sa të na duket normale braktisja e shqiptarëve nga vatani dhe qetësia e politikanëve që mbajnë sehir? Do të ishim hipokritët dhe mashtruesit më të mëdhenj të botës po të thonim se po, janë aq shumë si brenda dhe jashtë Shqipërisë sa që vështirë se do të nxirrnim ndonjë shifër të saktë po të llogaritnim sesa të tjerë kanë dashur dhe duan të shkojnë por që ende nuk kanë aplikuar.
Ndoshta shumë njerëz do të më kritikonin duke më thënë se duke mos u ndodhur në situatën e tyre e kam më të thjeshtë për të arsyetuar. Ata të cilët qahen çdo ditë duke thënë se fajet i ka qeveria ose shteti, filani e fisllëku, që ata kanë ngelur në gjendjen që janë sot. Mirëpo, përderisa dhe ne jemi bashkarisht ndërtues dhe pjesë e këtij shteti që e kritikojmë aq shumë, atëherë i bie që të gjithë jemi përgjegjës në një farë mënyre për gjithçka që ndodh dhe do të ndodhë në vendin tonë. Në këtë rast David Hume do të thoshte: “Jeta e një njeriu nuk ka rëndësi për universin, por jeta është e rëndësishme për ne.” Prandaj, brenda lirisë apo aftësisë për të zgjedhur, më shumë se kurrë duhet të jemi veprues racionalë. Në syrin e filozofit Charles Taylor mbi ekzistencën e asaj që ai e quan sëmundje të modernitetit, ai shkruan se: “Në një shoqëri ku njerëzit përfundojnë si puna e atyre individëve mbyllur brenda mureve të zemrës së tyre, janë të pakët ata që dëshirojnë të marrin pjesë aktivisht në vetëqeverisje.” Është e vërtetë që disa zgjedhje nuk mund të jenë në duart tona si qytetarë, por mundemi të jemi potencialisht të aftë për ta ndërtuar shtetin ashtu siç duhet pa qenë nevoja të kërkojmë si për gjynah strehim në vende të tjera. Për të qëndruar në këmbë si njerëz me vlera që jemi, që për gjenerata të tëra kemi rezistuar, nuk duhet të lejojmë që askush në këtë botë të shkelë mbi gjënë më të vyer që kemi: dinjitetin. Shqipëria sot mbahet më paterica, e cila është e lidhur ngushtë me azilin, ose më mirë me luftën për mbijetesë, në një kohë ku qeveria e lehtësuar nga përgjegjësitë noton drejt luksit, parasë që i ka me thasë. Pse largoheni drejt azilit? Një pyetje e tillë të lind vetvetiu. Ju do të thoni se largoheni nga varfëria ekstreme, kur ju e dini shumë mirë se nuk ka azil ekonomik. Ju thoni se ikni nga qeveria e korruptuar, ndërkohë që nuk bëni asgjë për të ndryshuar drejtimin e korrupsionit. Ju thoni se në azil është mirë sepse kështu ju kanë thënë, ndërkohë që ata që ju thonë jetojnë në azil vetëm për një copë bukë. Gjithashtu, ju thoni shumë gjëra, por nuk keni fuqi e guxim që brenda vendit tuaj të bashkoheni jo për të shkuar në kampet e përqendrimit, por për të protestuar që me zërin tuaj tu kërkoni llogari “trimave” që ju sollën në këtë gjendje. Pra, me pak fjalë ju mungon gjëja më kryesore dhe ekzistenciale, pasi realiteti apo jeta aktuale është rezultati i mendimeve që kemi ushqyer. Nuk është e rëndësishme se nga cili qytet apo shtet jemi, çdo kush ka energji të mjaftueshme për të ndriçuar vendin ku jeton. Në qoftë se doni që askush të mos ju quajë azilantë të viktimizuar dhe fajtorë të gjendjes suaj, bëni diçka të mirë për veten tuaj. Mirë që jemi shtet i vogël, por të paktën të tregohemi më inteligjentë, dhe ndoshta një ditë mund të jemi në lartësinë e duhur.