Baçi në Kuvend: Mazhoranca noterizon interesat antiligjore elektorale të qeverisë, kërkon grabitjen e zgjedhjeve
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka kundërshtuar në Kuvend reformën territoriale, duke e lidhur atë me zgjedhjet lokale të vitit 2027. Gjatë fjalës së tij, Baçi akuzoi mazhorancën se ndryshimet në hartën territoriale nuk kanë vetëm karakter administrativ, por sipas tij lidhen edhe me interesat elektorale të qeverisë.
“Kjo reformë është akti i arrogancës së vazhdueshme të super-pushtetit të një njeriu”, deklaroi Baçi, duke vijuar kritikat për mënyrën se si po trajtohet territori i vendit. Sipas deputetit demokrat, qeveria po ndërhyn në organizimin territorial përmes ndryshimeve që prekin bashkitë, njësitë administrative dhe institucionet.
“Ka vënë hartën e Shqipërisë mbi tavolinë dhe e grabit, shet prona, shkrin bashki dhe njësi administrative, shkatërron institucione, shkel ligj e Kushtetutë”, u shpreh ai. Baçi e lidhi drejtpërdrejt reformën me procesin zgjedhor të vitit 2027, duke pretenduar se ndryshimet mund të ndikojnë në mundësinë e opozitës për të zhvilluar një garë të barabartë.
“Me këtë akt mazhoranca noterizon interesat antiligjore elektorale të qeverisë për një tjetër grabitje të zgjedhjeve të radhës që do të vijnë”, tha deputeti. Në përfundim, Baçi argumentoi se reforma, sipas tij, kufizon hapësirën e opozitës për një konkurrim të drejtë në zgjedhjet lokale.

