“Bakshishi” i shqiptarëve, ja sa duhet të jepni në Greqi, Turqi, Itali…
Jeni me pushime në Greqi, Itali, Turqi, Francë, Spanjë, Kroaci? Kujdes nëpër hotele, apo kur të shkoni në restorante. Nëse nuk jeni të familjarizuar me praktikat e bakshishit që ndjekin këto vende mund të bëni figurë të keqe dhe të rrezikoni të mos merrni shërbim cilësor nëse do të riktheheni, shkruan Monitor. GoCompare.com, portal i cili në fokus ka krahasimin e çmimeve për shërbime të ndryshme në mbarë botën, ka publikuar guidën se sa bujarë duhet të jemi në disa prej destinacioneve kryesore turistike. Që të dini sa duhet “të lëshoni” dorën në restorante, hotele dhe baret jashtë po iu sjellim disa prej destinacioneve kryesore më të frekuentuara nga shqiptarët. Mbi të gjitha duhet të mësoni si të thoni faleminderit.
Në Greqi:
Në restorante bakshishi nuk është i detyrueshëm, por zakonisht njerëzit rrumbullakojnë shumën e tarifës së tyre, veçanërisht kur paguajnë me para në dorë.
Në hotele duhet të lini 1 euro për portierin që do t’ju ndihmojë me valixhet. Ndërsa për sa i përket pastrueseve bakshishet nuk janë të nevojshme.
Faleminderit!-‘Efharisto’-Shqiptohet – Eff-cah-ree-Stoh
Në Turqi
Në restorant është zakon që në restorant të lësh bakshish 10 deri në 15 për qind të shumës së faturës. Gjithashtu duhet të lini bakshish edhe për mirëmbajtëset e dhomave të hotelit.
Faleminderit!-‘Tesekkür ederim’-Shqiptohet– Teh-sheh-kull-erh Ed-erh-im
Në Francë
Në restorantet e thjeshta, përfshirë dhe kafenetë, mund të japësh 1 euro bakshish për çdo 20 euro që konsumon, ose 5% të faturës në restorantet më të njohur. Në bare, kamerierët duhet të marrin 1 deri në katër euro bakshish për shërbimin.
Në hotel për portierin duhet të lini 1 deri në 2 euro për secilën çantë.
Mirëmbajtja e dhomave: 1 deri në 2 euro çdo mëngjes. Shërbimi në dhomë: 1 deri në 3 euro, pavarësisht faturës së shërbimit që keni marrë.
Mos harroni të thoni Faleminderit!-‘Merci’, shqiptohet – Mehr-see.
Në Spanjë
Në restorante: Bakshishi i zakonshëm është 5-10%, ndërsa në bare rrumbullakoseni me 1 euro. Bakshishet për portierët e hotele janë 0.5 euro për çantë, kurse shërbimi në dhomë 0.5 euro. Mirëmbajtëseve mund t’i lini bakshish 0.5 euro çdo mbrëmje.
Faleminderit!-‘Gracias’ (faleminderit) ose ‘Muchas gracias’ (shumë faleminderit)-Shqiptohet – Grath-ee-ass
Në Kroaci
Në shumicën e rasteve, bakshishet dhe taksat janë të përfshira në faturë, kështu që nuk do të jetë e nevojshme që të lini diçka ekstra.
Restorante: Në rast se mendoni se shërbimi meriton një bakshish ju mund të lini 10% të faturës.
Bare: Mund të lini bakshish kusurin ose mund të rrumbullakosni faturën.
Në hotel portierit mund t’i lini një bakshish 0.5-1 euro.
Faleminderit!-‘Hvala’ shqiptohet – Hva-lah.
Në Itali
Restorantet: Shërbimi është automatikisht i përfshirë në faturë dhe është i përcaktuar edhe në menu. Rrumbullakoseni faturën në rast se shërbimi që keni marrë është i mirë.
Bare: Në lokale lini bakshish mbi 1 euro. Ndërsa bakshishet për shoferët e taksive nuk janë të zakontë. Në hotel portierit për çdo çantë mund t’i lini bakshish 1-3 euro. Mirëmbajtëseve mund t’i jepni 1 euro çdo ditë, apo 4-6 euro në një javë.
Faleminderit!
Nuk ka nevojë t’jua themi, se besoj e dini të gjithë: ‘Grazie’