Balla-Berishës: Procesi për Avokatin e Popullit shkoi sipas Kushtetutës. Nga ana e PD-së u luajt hajgare
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave nga Sali Berisha për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke theksuar se procesi është zhvilluar tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin organik të institucionit. Për të procesi nxori fitues një kandidat të mbështetur me më shumë se 28 firma nga Partia Demokratike, si edhe shton se selia blu luajti hajdare. “Partia Socialiste mbajti deri në fund qëndrimin për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin, por për të mbështetur në seancën plenare një nga kandidatët e propozuar nga opozita”, tha Balla.
Postimi i plotë
I lodhuri paska dalë e folur përsëri mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proçes i cili u zhvillua tërësisht sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit të vet organik, duke nxjerrë fitues një kandidat të mbështetur me më shumë se 28 firma nga Partia Demokratike.
Partia Socialiste mbajti deri në fund qëndrimin e vet për të mos mbështetur me firma asnjë kandidat, pra për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin dhe për të mbështetur në seancën plenare një nga kandidatët e buqetës opozitare. Nga gjashtë kandidatët e propozuar nga opozita, kandidati që siguroi 3/5 e anëtarëve të Kuvendit ishte kandidati Endrit Shabani.
Kjo është e gjitha për sa na takon. Ndërkohë që nga ana e Partisë Demokratike u luajt hajgare, siç i thonë në Kosovë, me procesin dhe me vetë kandidaturat. Nga një anë firmosnin për një, nga ana tjetër firmosnin për një tjetër dhe nga një anë e tretë ia jepnin firmat edhe njërës apo edhe tre të tjerëve. Pastaj vinin e thonin: aman mos votoni për atë se ajo është e çmendur, jo atë se është i pabesë, jo këtë se nuk e duam. Ik njëri e hajde tjetri si kalamajtë e kopshtit, deri kur kaluan në kërcënime si fëmijët e nëntëvjeçares.
Kjo ishte e gjitha për sa u takon. Dhe për sa na takon pastaj bashkërisht, ua kemi bërë të qartë sa herë na është dhënë mundësia se me lojëra macja me miun apo kërcënime e presione ndaj nesh ta harrojnë se mund t’i marrim seriozisht. Po të duan me rregulla loje e qytetari, hajde ulemi dhe të diskutojmë për çdo gjë. Përndryshe, ne nuk do t’i presim për asnjë moment. Sepse nuk kemi orë për të humbur, ditë, javë apo muaj jo e jo. Gëzuar edhe deputetëve të opozitës Festat e fundvitit, me urimin që pas bakllavasë dhe gjelit të detit të kenë nxjerrë edhe mësimin e duhur nga votimi me firmë.
KOHA JONË SONDAZH

