Balla: PD nuk ofron asnjë alternativë për vendin

Drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla, zhvilloi një takim në lagjen “Skënderbej” në familjen e Gazmir Lamit, ku së bashku me familjarët dhe fqinjët e tyre diskutoi në lidhje me programin e Partisë Socialiste në 4 vitet në vijim. Balla vuri në dukje reformat e këtij katërvjeçari qeverisës, duke u dakordësuar me qytetarët se ende shumë mbetet për t’u bërë.
“Ajo që bëri Edi Rama përmes marrëveshjes, ishte që edhe PD të vinte në zgjedhje; sepse zgjedhjet e kanë të domosdoshme të kenë të gjitha partitë, që të hyjnë e të japin alternativat e tyre, pavarësisht se të gjithë e dimë se Luli nuk është sot një alternativë e besueshme për t’u votuar. Nuk është gati PD të ofrojë një alternativë për Shqipërinë. Për më shumë, edhe Tirana që e provoi 4 vjet Lulin, e di se ç’hoqi derisa priti ta hiqte.
Nuk është vota një mall që jepet pa teklif. Kjo zonë ka nevojë ta besojë Edi Ramën; të besojë që gjithçka ne po bëjmë, kudo në Shqipëri, duhet të vijë edhe këtu. Vota është e jotja personale, duhet t’ia japësh Edi Ramës e më pas t’i thuash: ‘Po të jap, jo më shumë, por një vit kohë dhe dua të fillosh punët e rëndësishme që ka kjo zonë këtu.’”
Duke bërë krahasimin me ata që qeverisën vendin për 8 vjet, Balla tha:
“Ne po e fillojmë ujin e pijshëm: vetëm loti i parë shkon 4 miliardë, i gjithë investimi 9 miliardë. Nuk kishte ndonjë qeveri tjetër, jua them me bindje, ta bënte këtë. Pse nuk e dha qeveria e Sali Berishës një fond për ujësjellësin e Elbasanit? Të kishte dhënë 100 mijë lekë të vjetra për ujin e pijshëm në Elbasan. Në 2009, Lulzim Basha ka qenë në këtë lagje dhe ka premtuar 24 orë ujë të pijshëm për Elbasanin. Fitoi bindshëm në 2009, dhe këtu ka fituar me një rezultat spektakolar, dhe uji pijshëm mbetet problem.”
Më tej, Balla dëgjoi shqetësimet e banorëve, por edhe mendimet dhe sugjerimet e tyre se çfarë është e domosdoshme të bëhet më parë në këto zona të ndërtuar pas viteve ’90, si informale dhe në të cilat ende ka shumë punë për t’u bërë.

SHKARKO APP