Ballist Morina – një vepër arti shëtitëse

 

Nga Vladimir Myrtezai

Erërave të rrëmujshme mbi Ballkan, iu bashkua edhe furtuna mikse e dy kombëtareve, asaj serbe dhe tonës, që në themel të panoramës së krijuar përtej asaj të sportit të futbollit ka të bëjë me një shndërrim më të avashtë e më të rrënjosur dallimesh e konfliktesh në kujtesën e të dy popujve. Është një problem që mbahet në krahë, bymyer nga pesha e viteve: një sfidë e cila tejkalon lojën, dhe pikërisht në momente ku ndërhyjnë diplomacitë e politika me cicmicet e saj.

Kemi të bëjmë me erëra, që në kuptimin politik palët po qasen në një afri herë dukshëm e herë jo, ku nëpërmjet instrumenteve të nëndheshme po lëviz një kurs i ri, që rreh për një afri mes popujsh të armiqësuar, e përkrahur nga një politikë që përpiqet ta realizojë këtë objektiv të kahershëm. Gjithsesi, duket se po jetojmë kohë më liberale në këtë prirje disi të moderuar, qoftë në terma diplomatikë, terma ekonomikë, qoftë në rrafshe të një pragmatizmi pa një kuitancë gjykimesh e analize historike. Por, kjo është një fushë që e shpejton e i jep pamje e zë vetë motori i politikës.

Kurrë nuk kam pasur një lidhje të afërt me një lojë si futbolli, por asnjëherë nuk kam ngelur indiferent kur ndonjë shkulm masiv më ka detyruar të jap vëmendje – kjo për shkaqe të thjeshta a sugjestioni njerëzish, si dhe për arsyen e papërgjigje se si bota ose një pjesë e saj mund të sillen rreth e rreth një topi, si rreth asgjësë, apo rreth e rreth një iluzioni të projektuar në sedrën njerëzore. Por ky është një tjetër argument.

Ashtu si një shumatore e madhe e njerëzisë e krahasuar sot e mot në një shtjellë të ndriçuar nga idetë, sillet si nga mbrapa sportit po aq në një bjerrje të mjaftueshme sillet edhe pas fillit të artit, që duket si e njëjta gjë, pavarësisht se me mjete të tjera. Do ju kujtoja këtu një performancë të Sisley Xhafës, një artist në mëkëmbje bashkëkohore në një nga bienalet e Venecias (ku vetë ai vrapon pa ndalur nëpër pavionet e artit me flamurin kuq e zi shqiptar ku më shumë i kushton vëmendje dendësisë së veprimit të tij në raport me prezencën  ku  me vrull  ai don ta qasë sa më pranë publikut këtë përmbajtje të trupëzuar si një lajmës i lojës së tij që më shumë do i ngjasonte një maratone vrapi -në mesazh…). A nuk ka një ngjashmëri të puthur mes artit dhe lojës së topit?

Para pak ditësh, në rrethana disi të shtrënguara e të paralajmëruara, u mbajt nën arrest në Tiranë Ismail Morina. Një lajm që bëri vend në të gjitha edicionet e rëndësishme e nëpër portale online. Si për ironi, pak pas rezultatit, ku ekipi ynë humbi, në mediat e shumta bëhej lajm ardhja e Rita Orës,në një dasëm diku në Prishtinë, në dasmën e një tjetër këngëtari, ndonjë mik i saj. Këto dy emra të fundjavës mund ta shpëtonin apo mbanin në grackën e mungesës së lajmit shtypin, nga vaniteti dhe kotësia që së shpeshti afron fundjava. Si një rastësi që nuk kish të bënte në asnjë barasvlerë mes Orës (si nënkuptim i dyfishtë) si këngëtare dhe Ballist Morinës si hero i kohës së saj, ose Orës së shqiptarëve. Ballist Morina pashmangshmërisht është një vepër arti. Ai do patjetër një avokaturë të një profili të lartë, për ta nxjerrë nga aty ku është, madje me mbrojtje shtetërore e financiare, me ligj të posaçëm. E ja pse!

 

Të gjithë ndihemi dyshues sa herë na duhet që në emër të shkencës së historisë të zbulojmë sa më afër të gjitha të dhënat që i atribuohen protagonistëve të historisë. Këto simbole, që sa vijnë e pluhurosen në kohë, po aq i rrëshqasin përafërsisë shkencore, pasi më së shumti janë shkaqe lartësimi metaforik për ndjenjën kombëtare, dhe kështu, herazi politikë e herazi ndërkombëtarë, këto simbole humbasin rolin deskriptues të përcaktimit të tyre në kohë, dhe legjendarizohen e ushqejnë së largu aspirata dhe frymëzime që bëhen shembull në kohë të vështira kombesh. Dhe vërejmë se, si njerëz prej mishi e gjaku, dalëngadalë marrim pozicionin e kuptimit të një aksioni heroik, në barasvlerë me një zhvendosjeje kulturore, ndonjëherë shumë të rëndësishme. Popujt kanë nevojë për të tilla përmasa, ngaqë vetidentifikohen në rrethana të ndryshme, dhe i japin forcë e rëndësi vetëpërcaktimit të tyre në kohë e hapësirë. Këtë rol shpesh duhet ta luajë politika, por kur ajo është pa tekst përkohësisht apo në pamundësi të artikuluari , këtë rol duhet ta luajnë njerëzit e mençur apo si  quhen rëndom  intelektualët, për ta tërhequr njerëzimin drejt ëndrrës që i jep kuptim kohës së tyre. Në këtë ndërgjegje të lartësuar do duhet të jetë mbrojtja e artikuluar në favor të heroit Ismail Morina.

 

Ballist Morina është përjashtim i rregullit, lindur e ushqyer nga një sfond i gjerë i pamundësisë për të shprehur një ëndërr, që është nënshtresë po aq popullore sa dhe vetë lufta për ta zhbërë si ëndërr. Ai në këtë rast është një simbolikë e mbarsur më thellë nga inkoshienti i tij që feksi në një ajër krejt të pamundur,  si provokim krejt i hapur. E gjitha kjo pa rrezikshmëri dhe me mjete të lehta e të shfrytëzueshme si favor i teknologjisë, por në kohën kundra dhe në çaste të vështira.

Le të më thotë dikush, përveç atyre që u lënduan në ndërgjegjen e tyre, kush nuk e ëndërroi vendin e tij  ne atë çast  të vishej me atë mantel misteri atë natë të 14 tetorit në një tërbim total mësyes të serbëve për ta bërë kurban? Cili nuk do donte të ishte në vëmendjen e gjithë botës për të lëshuar një flamur valëvitës si prezencë-ide. Kush nuk do të donte të ishte në brisk të lajmit të parë të një tensioni të ngritur që kish javë që përflitej ideja e komunikimit si kufi i pamundur. Për një shkak krejt njerëzor e nën një trysni të egër mllefi, në një fushë sporti u artikulua një ide e u hodh një slogan që nuk mund ta artikulonin shumë mendje të stërholluara e të stërvitura me të papritur kaq në feksje publike. Pavarësisht vendit, mënyrës se si, provokimi që shkaktoi ai moment është monumental, jo vetëm për nga përmbajtja, por për nga thellësia e zhburgosjes së një pale ndaj një pale tjetër; pretekst a cytje e përligjur për t’u identifikuar dhe për t’i dhënë shpirt një loje mekanike që ndërmjetësohet me top.

Brenda këtij personazhi nuk se gjejmë ndonjë gjë nga shuma e  artikuluar e mendjeve të ndritura që në një aspekt konkurrues bëjnë të dallojnë me vlerat e tyre, si ndër shqiptarë po aq dhe ndër serbë – kjo lloj konkurrence ka faqet e veta sa afrish, aq edhe ndarjesh të pamohuara historike. Por, lajmësi,gjeniu në formë loje në një hapësirë krejt të pamundur është veç Ismail Morina, alias Ballisti, një nofkë së cilës i dha jehonë e respekt sa të gjitha vitet e marra së toku të bëmave që kanë kryer ballistët në të shkuarën. Askush nuk duhet të harrojë atë dhjetëminutësh mbi hapësirën serbe: ëndërr në qiell të hapur, piskamë a’ shtresim i ndërgjegjes që ngriu e bëri mal një dëshirë të kahershme të shqiptarisë – një shteg për ëndrrën e motshme. Jo konform në një hapësirë të pamundur me një sakrificë dhe instinkt prej besimtari të pashoq e naiv, shkëlqeu për pak minuta në favor të ëndrrës së projektuar, duke u bërë lajm i përbotshëm, qoftë edhe në formë rreziku të konfliktit , por pa gajle e frikë se artikulonte një ndjesi të mbrujtur gjatë, një ëndërr të rrezikshme, si çlirim i ndarë gati në palë lufte e kundër çdo rregulli e rregulloreje.

Ky është profili i Ballist Morinës, për të cilin drejtësia dhe ligji shqiptar edhe mund ta dënojë; por e kanë të pamundur t’i thërrasin ndërgjegjes së gjithsecilit, me kute më të mëdha se zanati i tyre për t’u kthyer me detyrim si padrejtësi e së drejtës. Kam lexuar deri më tash opinione nga më të ndryshmet e nga statuse që të rrënqethet mishi për nga lehtësitë dhe qasja ndaj aktit të tij. Me padyshim që kjo racë njerëzish do përlotej nëse Ballist Morina do mund të zhdukej nga segmente të nacionalistëve serbë ,do ishin të parët këta për të qarë e vënë në rresht me përkrahjen e tyre të nanurisur nga vetëpëlqimi e narciza e protagonizmit pa shkak.

Mua nuk më pëlqejnë në zgjedhje heronjtë, sepse në një farë mënyre kanë një mbarsje të mbushur me era byk, barut e luftë, por nëse ndodh për çfarëdo arsye, ato janë simbolika të kohës e duhen nderuar si të tillë, si një zë i pamundur që e nxjerrin dhe ruajnë me frymë vetëmohimi kur askush nuk bëzan.

Në faqe të dheut gjindja jeton edhe për disa të vërteta që duhen pohuar, por duke mos u konsideruar masë në peshë përfitimesh të çastit, sasi, porcion apo pëlqim dixhital; por ndërgjegje, udhë e rrëfyer, sakrificë, humbje e pranuar dhe guxim për të qenë pikërisht me to.

Erërat mbi Ballkan fryjnë histori të përzishme sa të gëzuara dhe të ashpra nga më njerëzoret, por  Ballist Morina është nga rastet e rralla të drejtësisë, ku vetë drejtësia kërkon të vrasë të drejtën që dyzohet në arratitë e thella të subkoshiencës së njeriut me një të drejtë elementare që ndodh të puthet përkrejt me një vepër arti.

 MAPO

SHKARKO APP