Ballkani duket më i bukur kur shikohet nga Brukseli

 

Nga Agustin Palokaj

Për Brukselin një “darkë joformale“ e kryeministrave dhe e ministrave të Jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë, ku ata rikonfirmojnë gatishmërinë për të “përmbushur të gjitha obligimet nga Marrëveshja“, duket ilustrimi më i mirë i normalizimit të raporteve “mes palëve“ sesa situata reale që është kaosi në Kosovë dhe përshkallëzimi i një retorike nacionaliste, fyese, poshtëruese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të liderëve politikë në Serbi, të paparë që nga koha e Milosheviqit. Brukseli vazhdon me ndjenjën e vetëkënaqësisë të besojë se dialogu vërtet ka arritur sukses historik.

Niveli i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mjaftueshëm që Komisioni Evropian të rekomandojë nisjen e negociatave për kapitullin e 35-të mes Serbisë dhe BE-së, kapitullin e parë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Kështu kanë vlerësuar Zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogherini, dhe Komisioni Evropian. Ata edhe kanë formuluar një “qëndrim të përbashkët“ të BE-së për të negociuar këtë kapitull, në të cilin qëndrim kanë sqaruar më hollësisht se çfarë duhet të bëhet në të ardhmen gjatë negociatave. E këtu përmenden pjesët e marrëveshjeve që duhet të zbatohen.

Në Bruksel janë habitur kur nga Beogradi, në vend të gëzimit për një lajm të mirë, kanë ardhur deklarata të shfrenuara dhe të tërbuara për “ultimatum“, të cilin presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, e krahasoi me hiç më pak se “ultimatumin që serbëve u kishte dhënë Perandoria Austro-Hungareze në vitin 1914“, e që solli edhe Luftën e Parë Botërore.

Komisioni Evropian, i cili e hartoi këtë dokument për Serbinë, ka qëndrim jashtëzakonisht miqësor ndaj saj, nuk e trajton në asnjë mënyrë Kosovën si shtet, insiston se nga Serbia nuk kërkohet njohja e Kosovës, tash është gjetur në një situatë të hutuar dhe nuk e di çfarë qëndron para një histerie të tillë në Serbi. Me siguri qëndron përpjekja e kryeministrit Aleksandar Vuçiq që të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, duke vlerësuar se ato mund t’i fitojë bindshëm dhe të sigurojë një mandat për katër vjetët e ardhshëm.

Kështu, Serbia sot është një vend ku është kthyer retorika nacionaliste, sidomos ndaj shqiptarëve dhe kroatëve, ku janë kthyer termet “ultimatum“, “poshtërim“, “mashtrim“, me të cilat përshkruhet sjellja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Sa më shumë përkëdhelëse që është ndaj Serbisë, aq më kokëfortë dhe arrogante bëhet udhëheqja serbe. Në këtë moment, nëse Serbia hyn në proces zgjedhor, askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë kahu do të marrë fushata dhe në cilin drejtim do të shkojë politika serbe, përfshirë edhe në raport me Kosovën.

Një situatë kaotike, e shkaktuar edhe nga dialogu në Bruksel, mbretëron në Kosovë. Qeveria, e cila deri më tash ka besuar se për të shitur marrëveshjet e Brukselit i mjafton mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, është përballur me një kundërshtim radikal nga opozita, me sjellje të cilat në një demokraci normale nuk janë të pranueshme. Por edhe Qeveria e di se as sjellja e saj deri më tash nuk ka qenë në suaza të vlerave demokratike. Ky kuvend, punën e të cilit tash me dhunë po e pengon opozita, ka qenë i injoruar për vite dhe vetëm është shfrytëzuar për të vulosur marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Brukseli ka pasur një qëndrim dyfytyrësh ndaj punës së Kuvendit të Kosovës. Përderisa në raportet e Progresit vlerësonte se “Kuvendi i Kosovës nuk po e kryen si duhet rolin e mbikëqyrësit të Qeverisë“, në praktikë i jepte mbështetje Qeverisë që të mos e pyeste shumë Kuvendin lidhur me marrëveshjet e Brukselit. “Do të ishte natyrisht mirë sikur Kuvendi të debatonte dhe të jepte mbështetje. Por problemi është se debatet e tilla janë shumë të ndjeshme dhe Kuvendi mund t’i kundërshtojë marrëveshjet“, thoshte një diplomat evropian duke arsyetuar sjelljen e Qeverisë ndaj Kuvendit.

Që kur ka filluar dialogu, BE-ja ka qenë besnike në qëndrimin e saj se dialogu është prioritet më i madh sesa demokratizimi i Kosovës. Kemi shumë shembuj për të ilustruar një sjellje të tillë të BE-së, që nga bekimi i zgjedhjeve jodemokratike e deri tek dyshimet për përdorim të EULEX-it për qëllime politike. Edhe në Kosovë tash situata është e paparashikueshme. Këtë ka filluar ta shohë edhe Brukseli, ndonëse jo në nivelin e vërtetë.

Situata nuk do të mund të qetësohet më me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që është shtyrë aq shumë dhe po mbahet si një vegël për t’i dhënë Qeverisë një argument se si nga dialogu i Brukselit ka përfituar me këtë marrëveshje. Situatën aktuale në Kosovë nuk mund ta zgjidhë as premtimi, njëri ndër shumë që kemi dëgjuar në pesë vjetët e shkuar, për liberalizim vizash, dhe vlerësimi i progresit të arritur në këtë drejtim.

Për Brukselin, një “darkë joformale“ e kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, ku ata rikonfirmojnë gatishmërinë për të “përmbushur të gjitha obligimet nga Marrëveshja“, duket ilustrimi më i mirë i normalizimit të raporteve “mes palëve“ sesa situata reale që është kaosi në Kosovë dhe përshkallëzimi i një retorike nacionaliste, fyese, poshtëruese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të liderëve politikë në Serbi, të paparë që nga koha e Milosheviqit. Brukseli vazhdon me ndjenjën e vetëkënaqësisë të besojë se dialogu vërtet ka arritur sukses historik.

Se sa normale janë raportet mes Kosovës dhe Serbisë shihet nga fjalori i përdorur nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm i këtij shteti në prononcimet e tyre lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Vuçiq dhe Daçiq e kanë krahasuar Kosovën me ISIS-in. Tomislav Nikoliq ka shkuar edhe më larg, duke thënë se në Kosovë “nuk ka gjurmë të shqiptarëve më të vjetra sesa 50 vjet“.

Ndoshta në Bruksel mendojnë se këto fjalë duhet injoruar, por ato pasqyrojnë më mirë raportet “normale“ mes Kosovës dhe Serbisë sesa darkat e drekat e delegacioneve në Bruksel. Sa janë normale raportet jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe brenda Kosovës dëshmon edhe ironia se Kosova mund të jetë i vetmi vend në botë ku një zëvendëskryeministër, që vjen nga pakica serbe, kur thotë “qeveria jonë“ mendon në Qeverinë e Serbisë.

Dhe nuk janë vetëm Kosova dhe Serbia në një situatë të paqartë. Në Mal të Zi kanë përshkallëzuar protestat e partive pro serbe, pikërisht në prag të ftesës eventuale që ky shtet të bëhet anëtar i NATO-s. Lideri i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodig, flet për Bashkimin e Republika Sërpskas me Serbinë dhe paralajmëron referendum.

Maqedonia është po ashtu në prag të zgjedhjeve, ndërkohë që disa pjesë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e BE-së pëe të dalë nga kriza nuk po zbatohen me ritmin e duhur.

Në këto rrethana është vështirë të pritet një pasqyrim i mirë i situatës në rajon në raportet vjetore të Progresit që u desh të miratoheshin para një jave, por u shtynë për shkak se Komisioni kishte punë më të rëndësishme. Në këto raporte do të flitet për progres, do të numërohen përsëri të arriturat në procesin e afrimit me BE-në, por do të shihet qartë se sa larg janë vendet e rajonit nga arritja e synimit të integrimit në BE. Prandaj, derisa të mos jenë më afër, Brukseli do të jetë më pak i interesuar për zhvillimin e vërtetë të demokracisë dhe sundimit të ligjit e më shumë për të bashkëpunuar me liderë politikë me të cilët mund të “kryejë punë“. – “Koha.net”

SHKARKO APP